Lajme nga vendi
Vrasja në Haraçinë, arrestohet njëri nga autorët
Pas të shtënave me armë zjarri mbrëmë në Haraçinë të Shkupit ku si pasojë mbeti i vrarë S.A. 50-vjeçar ndërsa u plagos i biri i tij A.A. 19-vjeçar, nga Ministria e Punëve të Brendshme konfirmojnë së është kapur njëri nga të dyshuarit për këtë rast, ndërsa tjetri është në arrati. Ndërkaq gjendja e të plagosurit A.A. 19 vjeçar, i cili është sjellë në spitalin e urgjencës Nënë Tereza në Shkup, mbrëmë rreth orës 19:00, sipas mjekeve është stabile por vazhdon të mbetet në repartin për mbikëqyrje intensive.
“Mbrëmë në orët e vonshme pranuam një djalosh 19-vjeçar me lëndime nga armë zjarri, një hyrje-dalje, predhë e kalibrit të vogël, supozoj. Lëndimet janë kryesisht në pjesën e djathtë të kraharorit. Brenda natës bëmë intervenim kirurgjik me ç ‘rast është mënjanuar një pjesë e mushkërisë së djathtë të dëmtuar. Pacienti është sjellë në gjendje shoku dhe pas intervenimit është stabilizuar dhe në këtë moment ende gjendet në repartin e kujdesit intensive ndërsa sipas të gjitha parametrave është në gjendje stabile dhe besoj që brenda ditës do të transferohet në repartin e klinikës sonë”, tha Nexhadi Jakupi – Kirurg kujdestar.
Sipas njoftimit të MPB-së, babai që ndërroi jetë dhe biri i tij që mbeti i plagosur, janë qëlluar me armë zjarri në fshatin Haraçinë nga dy persona të cilët ndodheshin në veturën e tipit “Audi”.
“Sipas njoftimit, ata janë qëlluar me armë zjarri në fshatin Haraçinë nga dy persona të cilët ndodheshin në veturën “Audi”. Njëri nga personat që kanë marrë pjesë në të shtënat gjatë natës është ndaluar nga policët e SPB Shkupi dhe në bashkëpunim me Prokurorinë Publike sot do të parashtrohet kallëzim penal dhe do të paraqitet në gjykatë. Për personin e dytë është lëshuar urdhër-arrest dhe po merren masa për gjetjen e tij”, theksoi Goce Andreevski – Zëdhënës i MPB-së.
Motivet e vrasjes dhe plagosjes së mbrëmshme në Haraçinë mbeten të paqarta por jozyrtiatisht bëhet fjalë për borxhe të pa paguara ndaj njëri-tjetrit. Incidentika ndodhur në mes të fshatit Haraçinë, në afërsi të shtëpisë së tani më të ndjerit./Alsat.mk
Lajme nga vendi
Struga nuk heq dorë nga Korridori 8, Qyra: Projekt strategjik për zhvillimin e rajonit
Komuna e Strugës ka rikonfirmuar përkushtimin për realizimin e Korridorit VIII, duke e cilësuar këtë projekt si domosdoshmëri strategjike për zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturor të qytetit, vendit dhe rajonit. Në një njoftim zyrtar, Komuna thekson se Korridori VIII nuk është çështje zgjedhjeje, por një projekt me ndikim të drejtpërdrejtë në ndërlidhjen infrastrukturore dhe perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut, raporton gazeta KOHA.
Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, vlerëson se realizimi i segmentit Trebenishtë-Qafë Thanë është i domosdoshëm dhe duhet të vazhdojë pa ndërprerje. Sipas tij, institucionet duhet të veprojnë në mënyrë të koordinuar dhe të përgjegjshme, duke gjetur një zgjidhje që balancon nevojat zhvillimore me rekomandimet e UNESCO.
Në këtë drejtim, nga Komuna rikujtojnë se çështja është trajtuar edhe në një takim të nivelit të lartë të mbajtur në Paris gjatë muajit shkurt, ku janë diskutuar mundësitë për harmonizimin e projektit me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e trashëgimisë. Komuna e Strugës ka dhënë tashmë një mendim të qartë dhe pozitiv për realizimin e projektit, duke e konsideruar atë thelbësor për të ardhmen e rajonit. Ky qëndrim, sipas njoftimit, i është dorëzuar Ministrisë së Mjedisit Jetësor.
Në funksion të rritjes së transparencës dhe përfshirjes së qytetarëve në proces, Komuna ka mirëpritur iniciativën e kompanisë Bechtel Enka për organizimin e një takimi publik konsultativ. Takimi publik do të mbahet nesër (e martë) në ora 12:00, në sallën e Këshillit të Komunës së Strugës, ku qytetarët dhe palët e interesuara do të kenë mundësi të informohen dhe të japin kontributin e tyre.
Autoritetet lokale theksojnë se mbeten të vendosura që projekti i Korridorit VIII të realizohet, duke e konsideruar atë jo vetëm si investim infrastrukturor, por si drejtim kyç për zhvillimin e ardhshëm të Strugës dhe rajonit përreth. (koha.mk)
Lajme nga vendi
Gjendet pa jetë 38-vjeçari që rezultonte i zhdukur, pranë tij u gjetë një pistoletë
MPB njofton se më datë 29.03.2026, në ora 16:47, në Sektorin për Punë të Brendshme (SPB) Shkup është raportuar se në një objekt të braktisur në zonën e komunës së Aerodromit është gjetur i vdekur personi me iniciale M.K. (38 vjeç) nga Shkupi.
Sipas informacioneve të para nga policia, pranë trupit të pajetë është gjetur edhe një pistoletë. Vdekja është konstatuar në vendngjarje nga mjeku kompetent.
Viktima ishte denoncuar si i zhdukur që nga data 03.03.2026, pasi ishte larguar nga shtëpia e tij dhe nuk ishte kthyer më. Ekipet policore kanë kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes, ndërsa me urdhër të Prokurorit Publik, trupi i të ndjerit është dërguar për obduksion (autopsi) për të zbardhur shkaqet e sakta të vdekjes.
Lajme nga vendi
Devijimi i Korridorit 8-të, Nikollovski: S’mund ta rrezikojmë anëtarësinë në UNESCO, po kërkojmë zgjidhje të re
Një rekomandim i UNESCO-s për Maqedoninë e Veriut për segmentin Trebenishtë-Qafë Thanë ka mjaftuar që shteti ta rishikojë këtë projekt.
Ministri i transportit Aleksandar Nikollovski thotë se nuk mund të rrezikohet përjashtimi nga UNESCO për lëshimet që janë bërë nga projektuesit në kohën e pushteti të kaluar.
“Ndërtohet aksi për momentin, kështu që nëse s’do të kishim qëllim për të punuar nuk do të bëhej! Por, gjithashtu ka rekomandim shumë të qartë nga UNESCO për mbrojtje të mjedisit jetësor dhe të trashëgimisë kulturore, duke pasur parasysh se kjo zonë është e mbrojtur nga UNESCO, shkaku i relikteve të shumta arkeologjike që gjenden në këtë trase. Ne e kemi patjetër t’i përmbahemi rekomandimeve të UNESCO-s që për këtë trase nuk mund të merren vendime të pakthyeshme”, tha Aleksandar Nikollovski, Ministër i Transportit.
“Kjo zgjidhje e sjellë nga pushteti i kaluar i LSDM-BDI nuk parasheh lidhje me Komunën e Strugës me këtë autostradë. Dikush mund të thotë se mund të bëhet lidhje e re, por në projektin aktual nuk është, unë e kam këtu. Nuk ka lidhshmëri as me aeroportin sepse kalon mbi vendndodhjen aktuale të aeroportit dhe është e pamundur të lidhet me aeroportin që do të thotë nëse jeni nga Struga ose Ohri e keni patjetër të përshkoni përmes rrugës tjetër Ohër-Kërçovë”, u shpreh Aleksandar Nikollovski, Ministër i Transportit.
Këto rekomandime u diskutuan në një takim të autoriteteve tona me përfaqësuesit e UNESCO-s në Paris për mbrojtjen e statusit të kësaj zone në UNESCO dhe pas kësaj të punohet për një zgjidhje.
Ndryshe nga pjesa e Shqipërisë punimet po vazhdojnë për lidhjen e Korridorit 8 me autostradë drejtë vendkalimit kufitar Qafë Thanë, megjithëse fqinjit tonë UNESCO i ka bërë njësoj rekomandime për punimet në zonën e mbrojtur të Liqenit Ohrit.
-
Lajme nga vendi2 months agoRrjeti i madh i dyqaneve për produkte të shtëpisë Comodita Home po rritet akoma më tepër, tash me dyqanin më të madh në Re Mall, Tetovë
-
Lajme nga rajoni4 days agoZbardhet dëshmia e autorit të vrasjes së Liridonës, Plava: Kisha marrëveshje me Murselin, më tha se Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni
-
Lajme nga bota4 days ago“Do jem makthi i Iranit”, Trump ‘kërcënon’ sërish: Nëse nuk ulen në negociata, bombardimet do të shtohen

