Lajme nga vendi
ANALIZË: Buxheti i RMV-së në 2025, cila ministri sa para do të marrë për investime kapitale?
Vitin e ardhshëm paratë nga kredia hungareze të destinuara për komunat do të shpërndahen nëpërmjet disa ministrive, kurse shumat më të larta do të kalojnë përmes Ministrisë së Transportit dhe Ministrisë së Financave – funksionet e shtetit. Shpenzimet kapitale në vitin e ri buxhetor 2025 do të arrijnë në rreth 820 milionë euro, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.
Renditja e shumave për investime publike…
Buxheti për shpenzime kapitale i Ministrisë së Transportit vitin e ardhshëm do të arrijë në pothuajse 248,2 milionë euro, shumë kjo historikisht më e larta. Nga kjo shumë, 130 milionë euro do të jenë për infrastrukturën rrugore, 45,3 milionë euro për projektet e infrastrukturës në komuna dhe 25,8 milionë euro për investime në infrastrukturën hekurudhore. Ministria e Mbrojtjes vitin e ardhshëm do të ketë në dispozicion 140 milionë euro për investime kapitale me qëllim të modernizimit të mbrojtjes, ndërtimit dhe rikonstruksionit të objekteve dhe integrimit në NATO.
Në vitin 2025, zëri i shpenzimeve kapitale të Ministrisë së Financave – funksionet e shtetit do të jetë 93,6 milionë euro, prej të cilave 45,6 milionë euro është shuma e dedikuar për projekte infrastrukturore për komunat.
Për reformat në polici dhe për rikonstruksionin dhe pajisjen e ndërtesave, Ministria e Punëve të Brendshme do të marrë pothuajse prej 33 milionë euro. Ministria e Arsimit vitin e ardhshëm do të ketë në dispozicion 25,9 milionë euro për investime kapitale dhe pjesa më e madhe e kësaj shume do të dedikohet për ndërtimin dhe rikonstruksionin e shkollave, sallave sportive, konvikteve shkollore dhe studentore, por 3,2 milionë euro do të dedikohen edhe për projekte infrastrukturore në komuna, si dhe 7,4 milionë euro për “ndihmë gjatë tranzicionit”

Ministria e Mjedisit Jetësor vitin e ardhshëm për investime publike do të marrë 8 milionë euro, kurse Ministria e Sportit, për objekte sportive dhe projekte infrastrukturore në komuna do të marrë 6,2 milionë euro.
Buxheti për zhvillim i Ministrisë së Bujqësisë vitin e ardhshëm parashikohet të jetë 5,1 milionë euro dhe paratë do të ndahen për hidrosistemet dhe programet e ujitjes. Ministria e Shëndetësisë përmes pjesës zhvillimore të buxhetit vitin e ardhshëm do të përfitojë 4,3 milionë euro, pjesa më e madhe e të cilave për rikonstruksionin dhe zgjerimin e objekteve shëndetësore. 244.000 euro janë planifikuar për Spitalin e Përgjithshëm të Kërçovës, kurse 366.000 euro për Qendrën e re Klinike në Shkup dhe Shtip.
Ministria e Politikës Sociale dhe Demografisë e cila normalisht ka një buxhet të madh për shkak të realizimit të të drejtave sociale të qytetarëve, në vitin 2025 do të ketë gati 2,5 milionë euro për shpenzime kapitale, shumë që është planifikuar kryesisht për ndërtimin, rikonstruksionin dhe pajisjen e objekteve për mbrojtjen e fëmijëve dhe mbrojtjen sociale dhe për shtëpitë e të moshuarve.
Ministria e Energjisë për shpenzime kapitale do të ketë në dispozicion 1,7 milionë euro dhe kjo shumë është tërësisht e destinuar për gazifikimin, me tendencë që të rritet në vitet buxhetore në vijim.
Buxheti i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme përmes zërit të shpenzimeve kapitale do të mund të shpenzojë 115.500 euro, të cilat janë plotësisht të destinuara për “Integrimin në NATO”, kurse Ministria e Ekonomisë dhe e Punës 402.000 euro, kryesisht të dedikuara për mbështetjen e kompanive të vogla dhe të mesme. Një shumë prej 290.000 eurosh për zërin “ndihmë gjatë tranzicionit” do të fitojë Ministria e Çështjeve Evropiane, kurse rreth 200.000 euro do të fitojë Ministria e Drejtësisë.
Lajme nga vendi
‘Fitonin’ 34 mijë euro me mallverzimeve gjatë shit-blerjes së veturave të konfiskuara
Drejtoria e Policisë Financiare ngriti kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup kundër personave N.I., B.G. në cilësinë e tyre si drejtues të personave juridikë, kundër dy personave juridikë, si dhe kundër pesë personave të punësuar në Agjencinë për Menaxhimin e Pasurisë së Sekuestruar F.A., G.A., P.K., F.J. dhe A.B., për shkak të ekzistencës së bazave të dyshimit për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i procedurës për thirrjes publike, dhënie të kontratës së prokurimit publik ose partneritetit publik-privat” sipas nenit 275-c të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Të denoncuarit N.I. dhe B.G., si drejtues të dy personave juridikë, gjatë vitit 2021 me vetëdije dhe me qëllim të paracaktuar kanë shkelur rregulloret e procedurës për thirrje publike dhe dhënie të kontratës së prokurimit publik, me marrëveshje paraprake dhe veprime të koordinuara kanë shkelur konkurrencën në procedurën për shitjen e automjeteve të shkatërruara – skrap metali, të organizuar nga Agjencia për Menaxhimin e Pasurisë së Sekuestruar. Një person juridik u paraqit si konkurrent formal, dhe gjatë ankandit publik u paraqit një ofertë me një gabim teknik të qëllimshëm në një shumë monetare joreale, e cila i pengoi pjesëmarrësit e tjerë të vazhdonin më tej me ofertat.
Të pandehurit G.A., P.K. dhe F.J., si anëtarë të komisionit për zbatimin e procedurës, në kundërshtim me dispozitat ligjore të parashikuara në Ligjin për Menaxhimin e Pronës së Konfiskuar, Përfitimit Pasuror dhe Objekteve të Sekuestruara në Procedurën Penale dhe Kundërvajtje, dhe bazuar në një akt nënligjor dhe mendim ligjor të përgatitur nga A.B., me vetëdije ndihmuan në zbatimin e kësaj skeme të dakorduar dhe mundësuan lidhjen e një marrëveshjeje për shitjen e automjeteve të sekuestruara të shkatërruara si skrap metali midis Agjencisë për Menaxhimin e Pronës së Sekuestruar, të përfaqësuar nga F.A., dhe personit juridik të menaxhuar nga N.I., gjë që i mundësoi personit juridik të fitonte përfitim pasuror të paligjshëm në shumën prej 2.128.352 denarë.
Lajme nga vendi
Siljanovska: Balancuesi krijoi pushtet të korruptuar, ligjet duhet të miratohen me procedurë të rregullt
Presidentja Gordana Siljanovska Davkova sot deklaroi se heqja e balancuesit ishte e domosdoshme për shkak të rreziqeve korruptuese që i ka krijuar, duke theksuar njëkohësisht se çështjet e shtetësisi jorezidente, marrëdhëniet me Bullgarinë dhe politikat energjetike janë komplekse dhe duhet të zgjidhen përmes parimeve kushtetuese, debatit publik dhe respektimit të standarE madhee njerëzore dhe ekologjike.
Në një deklaratë për mediat pas hapjes së “Fundjavës për pastrim të përgjithshëm”, presidentja Gordana Siljanovska Davkova deklaroi se i a.q. balancuesi, në formatin që ka ekzistuar, në thelb çoi në korrupsion dhe kriminalizim.
Në lidhje me çështjen për shtetësinë jorezidente, ajo u përgjigj se zgjidhja duhet të miratohet përmes argumenteve.
“Çështja është komplekse. Ka vende ku ekziston shtetësia e dyfishtë, ka vende ku nuk ekziston. Sot të gjithë po përballemi me një eksod dhe mungesë të fuqisë punëtore, dhe po flasim për qenie njerëzore që kanë edhe të drejtën e jetës”, tha presidentja, duke shtuar se zgjidhjet duhet të merren pas një debati të gjerë publik dhe duke peshuar argumentet “pro” dhe “kundër”.
Lidhur me pritjet e saj për marrëdhëniet me qeverinë e re të Bullgarisë, Siljanovska Davkova deklaroi se pritjet duhet të drejtohen nga qeveria e re bullgare dhe kryeministri Rumen Radev, duke theksuar se populli bullgar pret stabilitet, reforma dhe luftë kundër korrupsionit dhe krimit.
Lidhur me kërkesat e organizatave joqeveritare për të vënë veton ndaj Ligjit për Burimet Minerale, presidentja theksoi se ato kanë një rol të rëndësishëm në shoqëri dhe meritojnë, siç e tha ajo, një “vend të gjelbër” në parlament.
Sipas saj, garancitë për mbrojtjen e mjedisit nuk përmbahen në këto ligje.
“Ato ligje, nëse keni parasysh Ligjin për burimet minerale, merren kryesisht me çështjet e energjisë. Ne kemi Kushtetutë, kemi edhe Ligj për mbrojtjen e mjedisit – ky është çelësi i qëndrimit ndaj këtyre ligjeve”, shtoi Siljanovska Davkova.
Ajo theksoi se shteti duhet të përgatitet njëkohësisht për sfidat e ardhshme energjetike dhe të kujdeset për natyrën.
Lajme nga vendi
KONGRESI I VLEN – QYTETARËT MIRËPRESIN BASHKIMIN!
Për ditë me radhë koalicioni VLEN ka ngritur intensitetit e aktivitetit publik duke paralajmëruër Kongresin e Bashkimit.
Sipas tyre e shtuna, do të kurorëzojë përpjekjet për unifikimin e faktorit politik shqiptar.
Koalicioni VLEN, nesër më 9 Maj – në Ditën e Evropës, do të mbajë Kongresin e bashkimit, ku 5 subjekte politike formalisht duhet të miratojnë vendimin për të vepruar si subjekt i vetëm politik në kuadër të bllokut politik shqiptar në vend. Në prag të Kongresit, VLEN doli me mesazhin se procesi i bashkimit ka qenë i gjatë dhe përplot me sfida politike, dyshime dhe tentativa për të parandaluar këtë process. Sipas VLEN-it, ky bashkim ka peshë historike dhe se ky është premtimi që VLEN ua dha shqiptarëve. Por, si e shohin qytetarët, këtë Kongres dhe këtë bashkim të VLEN-it?
“Çdo bashkim është i mirë. Madje unë kisha thënë se që të bashkohen të gjitha partitë”
“Edhe atë gajle do ia mbajë VLEN-it, unë jam plak”
“Më mirë me u bashkuar”
“Më mirë është. Deri tani Bilall Kasami ka punuar mirë. Jam i gëzuar”
“Mendoj se është mirë. Bilall Kasami duhet të jetë Kryetar”
“Është më mirë për shqiptarët. Cili të jetë Kryetar vet le ta vlerësojnë”
“Normalisht se është mirë. Sa më të bashkuar aq më mirë. Vet si do të vendosin organmet partiake, mendoj se Izeti do të ishte më mirë”
Pas Kongresit, VLEN, si pjesë e Qeverisë, do të duhet të përballet me shumë sfida që prekin drejtpërdrejtë qytetarët.
Situata ekonomike, migrimi i të rinjve, pozita e shqiptarëve, gjuha shqipe, eurointegrimet evropiane e shumë çështje tjera duhet që nga premtimet të shndërrohen në rezultate të prekshme./Tv Koha/

