Lajme nga bota
COP29/ Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke vendosur kështu edhe tonin për negociatat dyjavore.
Ndër të tjera, pritet të flasë edhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.
Përfaqësues nga pothuajse 200 shtete po marrin pjesë në samitin, i njohur si COP29, në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku, i cili filloi dje.
Ata do të diskutojnë se si të frenohet kriza klimatike dhe të zbuten pasojat e saj, të cilat përfshijnë përmbytjet më të shpeshta dhe të rënda, ciklonet, zjarret në pyje, valët e të nxehtit dhe thatësirat.
Samiti synon gjithashtu të adresojë angazhimet e reja financiare për vendet e varfra që janë veçanërisht të prekura nga ndryshimet klimatike.
Disa liderë ndërkombëtarë kanë vendosur të mos jenë në konferencë, përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron, presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe presidentin brazilian Lula da Silva, vendi i të cilit do të marrë presidencën e COP në 2025.
Kancelari gjerman Olaf Scholz ndërkohë anuloi udhëtimin e tij në Baku për shkak të rënies së koalicionit të tij qeverisës javën e kaluar.
Lajme nga bota
Dy persona me motoçikletë hedhin granatë dore në një qendër argëtimi në Stamboll, 7 të plagosur

Një qendër argëtimi në Kağıthane të Stambollit është sulmuar me granatë dore nga sulmues të paidentifikuar, ku si pasojë shtatë persona mbetën të plagosur nga shpërthimi.
Incidenti ka ndodhur rreth orës 01:40 në rrugën Park në Kağıthane, transmeton Telegrafi.
Sipas mediave turke, një granatë dore u hodh nga 2 persona me motoçikletë në katin e dytë të një ndërtese 5-katëshe në rrugë, e cila përdorej si lokal argëtimi.
Si pasojë e sulmit me bombë, 7 persona u plagosën, 3 prej të cilëve rëndë.
Ekipet mjekësore, sigurisë, ekspertë të bombave, operacioneve speciale, kundërterrorizmit dhe zjarrfikës, u dërguan në vendngjarje pas raportimit.
Përveç kësaj, ekipet ekzaminuan pamjet e kamerave të sigurisë në zonë për të kapur sulmuesit. E shtatë persona, tre prej të cilëve u plagosën rëndë, u dërguan në spital.
Lajme nga bota
47 të plagosur nga incidenti në Liverpool

47 persona kanë mbetur të plagosur nga ngjarja në Liverpool të hënën, teksa një makinë përplasi këmbësorët.
Incidenti ndodhi teksa në shesh ishin mbledhur turma të mëdha tifozësh që po festonin shpalljen kampion të Premier League të ekipit të futbollit të Liverpool.
Gëzimi dhe festa u shndërrua shpejt në kaos dhe frikë. Sipas autoriteteve angleze, 27 persona u dërguan në spital për trajtim mjekësor për shkak se pësuan lëndime serioze. Ndërsa 20 të tjerë u trajtuan në vendin e ngjarjes. Mes të plagosurve, 4 janë fëmijë.
Shoferi i makinës që përplasi këmbësorët u arrestua nga policia.
Sipas autoriteteve, ngjarja nuk po hetohet për terrorizëm dhe se asnjë person tjetër deri tani nuk rezulton i përfshirë në incident.
Një dëshmitar tha se turmat e njerëzve filluan të godisnin makinën dhe i thyen xhamat. Sipas dëshmitarit, shoferin e mbërtheu paniku dhe i dha gaz makinës duke përplasur këmbësorët.
Lajme nga bota
Kalon votimi: Flamuri i Palestinës do të valojë për herë të parë në OBSH

Një delegacion palestinez e fitoi të drejtën për ta valëvitur flamurin e vet në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSh) pas një fitoreje simbolike në një votim të zhvilluar të hënën. I dërguari palestinez shpreson që kjo fitore do të çojë në njohje më të madhe brenda OKB-së e jashtë saj.
Propozimi i paraqitur nga Kina, Pakistani, Arabia Saudite e disa vende të tjera në asamblenë vjetore të OBSh-së në Gjenevë u miratua me 95 vota “për” dhe vetëm katër “kundër” – Izraeli, Gjermania, Hungaria dhe Republika Çeke. 27 vende abstenuan, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Fitimi i së drejtës për ngritjen e flamurit në OBSh vjen pas nismës së suksesshme të palestinezëve për anëtarësim të plotë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara vitin e kaluar dhe në kohën e sinjaleve se Franca mund të njohë një shtet të pavarur palestinez.
Në një referencë të qartë ndaj luftës shkatërruese mes Izraelit e Hamasit në Gaza, e dërguara e Libanit, Rana el Khoury, tha se rezultati i votimit ofron “një rreze të vogël shprese për popullin trim palestinez, vuajtja e të cilit ka arritur nivele të papërballueshme”.
Izraeli argumentoi kundër rezolutës së OBSh-së dhe bëri thirrje për një votim. Aleatet kryesore, Shtetet e Bashkuara, të cilat planifikojnë që të tërhiqen nga kjo organizatë, nuk morën pjesën.
Edhe pse gati 150 shtete kanë njohur një shtet të pavarur palestinez, shumica e fuqive perëndimore dhe disa të tjera nuk e kanë bërë ende këtë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Francën, Gjermaninë dhe Japoninë.
Franca dhe Japonia votuan për propozimin që flamuri palestinez të valëvitet në OBSh, ndërsa Britania abstenoi.
“Është simbolike dhe një akt, por një shenjë se ne jemi pjesë e një komuniteti ndërkombëtar që ndihmon për nevoja shëndetësore. Shpresoj që së shpejti të kemi anëtarësi të plotë në OBSh dhe në të gjitha forumet e OKB-së” – i tha agjencisë “Reuters” ambasadori palestinez në Kombet e Bashkuara, Ibrahim Khraishi.
Javën e kaluar, palestinezët e fituan të drejtën për të pranuar njoftime sipas Rregulloreve Shëndetësore Ndërkombëtare të OKB-së – një grumbull rregullash globale për vëzhgimin e përhapjeve të sëmundjeve.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve