Lajme nga vendi
Skandali i basteve në Turqi “prek” Shqipërinë dhe Maqedoninë?
Një skandal i mirëfillte ka shpërthyer ne Turqi pasi është zbuluar një grup i strukturuar kriminal i cili merrej me baste të paligjshme, por edhe me pastrim parash, me shifra marramendëse. Policia ka marrë në hetim emra të njohur si këngëtari Serdar Ortaç, prezantuesi Mehmet Ali Erbil, por sidomos ish-futbollisti Batuhan Karadeniz.
Dy të parët po hetohen në gjendje të lirë për rolin e tyre në këtë skandal që ka shpërthyer në Turqi, teksa ish-futbollisti është në arrati dhe i kërkuar nga drejtësia si një nga emrat kryesorë të këtij grupi kriminal.
Sipas informacioneve që po publikohen në Turqi, janë grupe mafioze që fshihen pas shumave të mëdha që janë fituar nëpërmjet basteve ilegale, ndërsa raportohet se janë blerë klube në vende të ndryshme në Ballkan, duke orientuar ndeshjet sipas dëshirave të tyre për të favorizuar bastet. Ndërkohë, ato përdorin rrjetet sociale dhe persona të famshëm për t’u bërë reklamë, kundrejt pagesave të majme.
“Mynet” bën të ditur se klubet e preferuara që kanë kaluar nën kontrollin e këtyre grupeve mafioze janë në Shqipëri dhe Maqedoni, ashtu si edhe në Gjeorgji. Nëpërmjet basteve në kompani online, janë lëvizur shuma të mëdha parash, por edhe janë manipuluar rezultatet sipas dëshirës duke u shkaktuar fitime të mëdha këtyre organizata, e humbje të njëpasnjëshme bastexhinjve të thjeshtë.
Reklamimi i këtyre kompanive online nga persona të famshëm, është bërë kundrejt pagesave jashtëzakonisht të larta, deri në 1 milion dollarë për një numër të caktuar postimesh rreth tyre. Pritet që në ditët në vijim të dalin detaje të tjera rreth këtyre gupeve dhe se si kanë organizuara bastet ilegale apo deri ku është shtrirë ndikimi i tyre në Turqi dhe në vendet e tjera të Ballkanit./Panorama/
Lajme nga vendi
“Vërshimet”, Tetova, Gostivari e Zhelina formojnë komisione për vlerësimin e dëmeve
Dhjetëra shtëpi të vërshuara, oborre të kthyera në liqene, por edhe rrugë të bllokuara dhe rrëshqitje dheu në disa vende. Ky është bilanci nga reshjet e dendura të shiut dhe dalja e lumenjve nga shtrati në rajonin e Pollogut. Komunat e Tetovës, Gostivarit dhe Zhelinës kanë filluar me formimin e komisioneve për vlerësim dhe evidentim të dëmeve, e në disa pika, edhe dislokim të banorëve nga objektet e banimit, si pasojë e rrezikut nga përmbytjet.
“Aktualisht po realizohen analiza të detajuara të rrezikshmërisë me qëllim që banorët e zonave ku siguria është cenuar, të zhvendosen në hapësira më të sigurta, dhe paralelisht po bëhet edhe evidentimi i objekteve të rrezikuara për të vërtetuar edhe statusin e tyre juridik. Sa i përket infrastrukturës rrugore, në rrugën e Banjës janë evidentuar rrëshqitje të mëdha të dheut dhe ekipet e komunës kanë ndërhyrë menjëherë për pastrim dhe normalizim të qarkullimit. Ndërhyrje janë realizuar edhe në Gjermë ku situata është më kritike”, tha Besarta Ramdani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.
“Zonat më të prekura në Komunën e Gostivarit kanë qenë, fshati Forinë, fshati Llakavicë, fshati Turçan i Vogël dhe disa lagje të qytetit, por ne si komunë, kemi bashkëpunuar me banorët dhe nga gjitha të dhënat që përmendëm më kritike ka qenë Forina. Për vlerësimin e dëmit, tani do formojmë një komision dhe do dalim në terren për të vlerësuar dëmet në fshatin Forinë dhe banorëve që janë prekur nga vërshimet”, u shpreh Safet Asani, komisioni për mbrojtje dhe shpëtim Komuna e Gostivarit.
Zona e fundit ku pati përmbytje një ditë më parë ishte fshati Strimnicë.
“Në këtë lagje afërsisht 12 shtëpi kanë dëme materiale që iu ka hy uji nëpër bodrume. Ne si ekipe e komunës ishim afër qytetarëve dhe u ndihmuam sa mundëm, andaj shpresoj që Ministria e Ekologjisë dhe institucionet më lartë të marrin masa që ky problem të përfundoj”, deklaroi Suad Alili, Ndërmarrja Publike Komuna e Zhelinës.
Sipas udhëheqësve të komunave dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe shpëtim përmbytjet janë si pasojë e mos pastrimit në kohë të shtretërve të lumenjve, dhe hedhjes së pakontrolluar të mbeturinave nëpër lumenj. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Kosova, 18 vjet shtet i pavarur, krerë shtetesh urojnë Kosovën
Lajme nga vendi
Badinteri në Kushtetuese, Kostadinovski: S’jemi organ politik

