Lajme nga vendi
ESHR ka konstatuar parregullësi serioze në funksionimin e SHA Posta e Maqedonisë së Veriut
Humbjet e vazhdueshme reflektojnë negativisht në veprimtarinë aktuale dhe të ardhshme të shoqërisë, nuk lejojnë zhvillimin e saj dhe vënë në pikëpyetje çështjen e veprimtarisë efikase, të përhershme, të rregullt dhe cilësore si operator publik në trafikun postar të brendshëm dhe ndërkombëtar, theksohet në raportin përfundimtar të revizionit të publikuar sot nga Enti Shtetëror për Revizion të SHA për komunikacion postar Posta e Republikës së Maqedonisë së Veriut në pronësi shtetërore Shkup.
Në përputhje me raportin e revizionit shoqata është në pozitë të pafavorshme financiare duke filluar që nga viti 2017, me humbje të vazhdueshme nga punimet, ndërsa humbja më e madhe në vlerë prej 229.883 mijë denarë ose 3.726.000 euro është raportuar në vitin 2022.
“Shoqata përballet me një borxh të madh në bazë të huave, kredive dhe interesin e përllogaritur, të cilat nuk shërbehen në kohën e duhur, gjë që përkeqëson më tej situatën financiare dhe çrregullon likuiditetin. Gjithsej obligimet për huatë dhe kreditë afatshkurtra në fund të vitit 2023 janë 219.650 mijë denarë, ndërsa i referohen një kredie afatshkurtër të marrë nga MEPSO – SHA për bartje të energjisë elektrike në vlerë prej 100.000 mijë denarë dhe dy kredi afatshkurtër nga bankat afariste në vlerë të përgjithshme prej 119.650 mijë denarë. Për kreditë e skaduara dhe të papaguara në vitin 2024, sipas raportit është llogaritur kamatë ndëshkimore kontraktuale prej 24.45 për qind ose 6.7 milionë denarë, gjegjësisht 109.000 euro”, theksohet në raport.
Gjatë vitit 2023 u kthye një kredi afatshkurtër në vlerë prej 40.000 mijë denarë e cila është aprovuar në vitin 2022, ndërsa është aprovuar një kredi tjetër nga një bankë afariste në vlerë prej 32.500 mijë denarë e cila duhet të shlyhet në fund të vitit 2024.
Në raport nënvizohet se të gjitha kreditë e mara hua janë me interes të lartë e cila lëviz në interval prej 4.8 për qind deri në 6.25 për qind.
Revizorët bënë një analizë të cilësisë së shërbimeve të mbuluara me shërbimet universale dhe kanë konstatuar dorëzimin e parakohshëm të dërgesave. Në vitin 2023, 59.7 për qind e dërgesave janë dorëzuar në ditën e parë, përderisa 30.5 për qind janë dorëzuar në një periudhë më të gjatë se prej tre ditëve. Këto rezultate tregojnë një përjashtim nga qëllimet e vendosura nga lidhja botërore postare e cila parashikon një standard minimal prej 75 për qind dhe një standard maksimal prej 88 për qind për dorëzim të suksesshëm dhe në kohë të dërgesave.
Revizorët kanë konstatuar dhe parregullsi serioze në funksionimin e SHA Posta e Maqedonisë së Veriut.
“Mungojnë regjistrimet e sakta dhe të harmonizuara të tokave dhe objekteve ndërtimore, gjë që ndikon në cilësinë e të dhënave në librat tregtarë. Një pjesë e objekteve, si dhe dy pushimore në Ohër në vlerë prej 6.4 milionë denarë janë në gjendje të vështirë dhe kanë nevojë për sanim, ndërsa për njërin është konstatuar shfrytëzim i paligjshëm”, theksohet në raportin e ESHR-së.lajmpress
Lajme nga vendi
Pas shkumës së bardhë në lumin Vardar, analizat paraprake brenda normave, priten rezultatet përfundimtare
Shkuma e bardhë u shfaq më 24 korrik, ndërsa Inspektorati Shtetëror për Mjedisin Jetësor, në koordinim me institucionet kompetente, ndërmori inspektime të jashtëzakonshme në terren dhe analiza laboratorike për të përcaktuar shkakun e rastit.
Sipas Inspektoratit, gjatë kontrolleve të kryera te subjektet industriale në zonën që janë nën kompetencë shtetërore nuk janë konstatuar parregullsi ligjore. Autoritetet bëjnë të ditur se subjektet kanë vepruar në përputhje me kushtet e përcaktuara në lejet ekologjike për menaxhimin e ujërave të ndotura.
Institucioni thekson se cilësia e ujit në këtë pjesë të Vardarit ndikohet nga faktorë të shumtë, përfshirë ujërat komunale dhe atmosferike, si dhe aktiviteti i një numri të madh subjektesh afariste në zonën përreth, prandaj të gjitha institucionet kompetente po veprojnë në mënyrë të koordinuar.
Raporti paraprak i Ndërmarrjes Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Shkup, i dorëzuar më 29 korrik në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, konstaton se parametrat fiziko-kimikë të analizuar nuk i tejkalojnë vlerat kufitare të lejuara.
Njëkohësisht, me kërkesë të Inspektoratit Shtetëror për Mjedisin Jetësor, mostra janë analizuar edhe nga një laborator i akredituar. Raporti përfundimtar pritet t’i dorëzohet Inspektoratit dhe Ministrisë më 4 gusht, pas së cilës institucionet kanë paralajmëruar se do ta informojnë opinionin për rezultatet përfundimtare.
Inspektorati Shtetëror për Mjedisin Jetësor bëri të ditur se do të vazhdojë me inspektime të rregullta dhe të jashtëzakonshme për të siguruar mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe shëndetit të qytetarëve.
Ndryshe, në lumin Lepenc, i cili e furnizon Lumin Vardar, u shfaq një vëllim i madh i shkumës së bardhë në rrjedhjen e tij në Shkup. Shkuma u raportua si ndotje e madhe e lumit, lum i cili në Karposh bashkohet me Vardarin. Rasti ishte raportuar në orën 14:10./portalb.mk/
Lajme nga vendi
Dyvjeçar nga Kumanova helmohet me tretës ngjyre, dërgohet në Klinikën “Nëna Terezë”
Një fëmijë dyvjeçar nga Kumanova është helmuar pasi ka konsumuar një mjet për tretjen e ngjyrës, njofton Ministria e Punëve të Brendshme.
Sipas policisë, rasti është raportuar dje rreth orës 14:00, kur Spitali i Përgjithshëm i Kumanovës ka njoftuar SPB Kumanovë se tek ta ishte sjellë për trajtim një fëmijë dyvjeçar nga Kumanova me shenja helmimi.
Pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore, fëmija është transferuar në Kompleksin e Klinikave “Nëna Terezë” në Shkup për trajtim të mëtejshëm.
Nga SPB Kumanovë bëjnë të ditur se po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Ky nuk është rasti i parë i helmimit të fëmijëve në rajonin e Kumanovës. Gjatë vitit të kaluar u regjistruan disa raste të ngjashme, ku fëmijë të moshave të ndryshme u helmuan pasi konsumuan mjete për pastrim, dezinfektues ose tableta të lëna në vende të arritshme për ta.
Autoritetet shëndetësore dhe institucionet kompetente apelojnë që produktet kimike, barnat dhe substancat e rrezikshme të ruhen gjithmonë jashtë mundësisë së fëmijëve, për të parandaluar raste të tilla.
Lajme nga vendi
KUJDES MAKSIMAL NGA ZJARRET: NJË SHKËNDIJË MUND TË SHKAKTOJË TRAGJEDI!
Gjatë muajit korrik, mesatarisht janë regjistruar rreth 15 zjarre në hapësira të hapura në ditë. Falë ndërhyrjeve të shpejta të zjarrfikësve dhe mbështetjes nga mjetet ajrore të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), të gjitha zjarret janë vënë me sukses nën kontroll dhe janë shuar. Reshjet e shiut gjatë periudhës së kaluar ndikuan në uljen e numrit të zjarreve dhe ngadalësuan përhapjen e tyre, njoftojnë nga DMSH-ja. Megjithatë, periudha me reshje ka përfunduar. Mjafton vetëm një shkëndijë! – thonë autoritetet.
Zjarri në Leshnicë të Tetovës është lokalizuar –thuhet në njoftimin në Facebook të Komandantit të Zjarrfikësve të Tetovës, Avni Ameti, I cili thotë se në koordinim të plotë me të gjitha institucionet përgjegjëse, në terren intervenuan dy avionë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, si dhe ekipet e zjarrfikësve të Tetovës, të cilat punuan pa ndërprerje dhe me përkushtim maksimal.
“U bëj apel të gjithë qytetarëve që gjatë ditëve në vijim të tregojnë kujdes maksimal, të mos ndezin zjarr në ambiente të hapura dhe të raportojnë menjëherë çdo tym apo vatër zjarri në numrin emergjent 112” – thotë Avni Ameti.
Por, jo vetëm kaq!
Sipas tij, pas çdo zjarri që shuhet, fshihet një histori sakrifice, guximi dhe përkushtimi.
Zjarrfikësit përballen çdo ditë me rrezikun për të mbrojtur jetën, familjet dhe pronën e qytetarëve. Nuk është thjesht një profesion – është një mision që kërkon zemër, disiplinë dhe vendosmëri.
Shumica e zjarreve shkaktohen pa qëllim. Qytetarët zakonisht nuk synojnë të shkaktojnë zjarr, por një pakujdesi e vetme mund të ketë pasoja të rënda.
Prandaj bëhet thirrje që të mos hidhen bishta cigaresh në hapësira të hapura, veçanërisht nga automjetet në lëvizje.
-Mos ndizni zjarr apo skara në pyje dhe në vende me bimësi të thatë.
-Pastroni barin e tharë dhe shkurret rreth shtëpive dhe uikend-shtëpizave -dhe krijoni një brez mbrojtës.
-Mos digjni kashtën dhe kullotat. –
-Tregoni kujdes gjatë përdorimit të veglave që krijojnë shkëndija, si gurët prerës dhe aparatet e saldimit.
-Fermerët të jenë të kujdesshëm gjatë përdorimit të pajisjeve për largimin e shpendëve, të cilat mund të shkaktojnë zjarr.
U bëhet thirrje qytetarëve që çdo sjellje të dyshimtë ta raportojnë menjëherë në stacionin më të afërt policor ose në numrin 112.
Raportoni persona që mbajnë lëndë të dyshimta të lëngshme, pishtarë, fishekzjarre të mëdha ose mjete e aktivitete të tjera që mund të shkaktojnë zjarr.
Në kushtet e temperaturave jashtëzakonisht të larta kërkohet kujdes maksimal.
Një shkëndijë mund të shkaktojë një tragjedi të madhe!” – apelojnë nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim./Tv Koha/

