Lajme nga vendi
Çfarë u dakorduan dje dy qeveritë në Prishtinë?
Dje nga takimi ndërqeveritar mes Prishtinës dhe Shkupit u arritën marrëveshje të rëndësishme për qytetarët e dyja vendeve. Pra, nga kjo lirshëm mund të konstatohet edhe si takim historik nga kjo qeveri për të cilën ka pasur akuza të shumta si qeveri anti-shqiptare. Dje u diskutua, për tema që i prekin qytetarët e dyja vendeve, siç janë pritjet e gjata në pikat kufitare mes dy vendeve, çështjet arsimore dhe ato energjetike, shkruan Zhurnal.
Çfarë u nënshkrua dje në Prishtinë?
Janë nënshkruar marrëveshjet bilaterale mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut. Marrëveshja e parë u nënshkruar mes ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla dhe homologut të tij maqedonas, Pançe Toshkovski, njofton Klankosova.tv.
E ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministres së Energjisë, Minierave Minerale të Maqedonisë së Veriut, Sanja Bozinovska, nënshkruan momerandumin e radhës.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, dhe homologia e saj maqedonase, Vesna Janevska nënshkruan edhe marrëveshjen e fundit ndërmjet dy vendeve.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e përbashkët mes dy Qeverive, Kosovë-Maqedoni e Veriut, foli edhe për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë. Kurti tha se presin që të përfundojnë 10 kilometrat e autostradës dhe të bëhet lidhja me autostradën “Arbër Xhaferi” në Kosovë. Mes tjerash, Kurti theks të veçantë i vendosi edhe tunelit Prizren – Tetovë, i cili tha se duhet angazhim për jetësimin e tunelit.
“Në këtë drejtim e mirëpresim përfundimin e autostradës nga Bllaca për në Shkup, më në fund. 10 kilometrat e mbetur që do të lidhte rrjetin e autostradave në Maqedoninë e Veriut me autostradën “Arbër Xhaferi” në Kosovë, dhe së bashku të angazhohemi për jetësimin e e tunelit që e lidh Prizrenin me Tetovën, angazhim ky tashmë i marrë nga dy vendet tjera”, deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski është shprehur i lumtur për pritjen që ia bëri homologu i tij, Albin Kurti, sot në Prishtinë në kuadër të takimit të përbashkët mes të dyja vendeve.
Ai shpreson se “energjia dhe koha e bukur sot”, do të jetë një impuls i ri për marrëdhënie akoma më të mira mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
“I dashur, Albin. Faleminderit për pritjen e shkëlqyer, energjinë dhe atmosferën që na e mundësuat sot këtu në Prishtinë. Shpresoj se kjo energji e bukur dhe koha e bukur do të jenë impulse të reja për marrëdhënie akoma më të mira midis të dyja vendeve. Shpesh herë takohemi jashtë shteteve tona dhe bisedojmë për gjendjen në vendet tona. Jemi të vetëdijshëm për sfidat, çdo herë konkludojmë se nëse punojmë bashkë do të jemi më të fuqishëm”, tha ai.
Mickoski tutje tha se bashkëpunimi ekonomik do të jetë mbi gjysmë miliard euro tregti midis të dyja vendeve.
“Gjatë takimit bilateral përcaktuam një qëllim këtë vit, bashkëpunimi ekonomik do të jetë mbi gjysmë miliard euro tregti midis dy vendeve tona, në vitet që pasojnë bashkëpunimi ekonomik do të jetë akoma më i madh, jam i bindur se do ia dalim. Takimi ndërqeveritar është provë dhe dëshmi se të dyja qeveritë tregojnë se bashkëpunojnë dhe kemi marrëdhënie miqësore dhe të afërta të cilat do t’i avancojmë. Kemi marrëveshje në pjesën e energjetikës, e poashtu edhe të rregullimit të kalimeve ndërkufitare që qytetarët që hynë dhe dalin nga vendet tona do të ndalen në një pikë kalimi dhe jo në dy, dhe në këtë mënyrë të mos ketë rrëmujë nëpër kufi. Të kemi një pikë kufitare dhe të përshpejtohet transferi i udhëtarëve”, u shpreh kryeministri maqedonas.
Zv.kyeministri dhe Ministri i Qeverisjes së mirë të RMV-së, Arben Fetai thotë se mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës ishte një moment i rëndësishëm për forcimin e frymës së bashkëpunimit dhe partneritetit në rajon.
“E zhvilluar në një atmosferë pozitive dhe konstruktive, mbledhja rezultoi tejet produktive, me nënshkrimin e tre marrëveshjeve: për përmirësimin e lidhjeve të transportit dhe energjisë, bashkëpunimin në arsim dhe kulturë, si dhe për reduktimin e kohës së kalimit të kufijve përmes një protokolli të ri”, sqaron Fetai përmes një shkrimi në rrjetet sociale.
Mbledhje mes dyja qeverive ka pasur edhe në të kaluarën, edhe marrëveshje të nënshkruara, por impelmentimi i tyre në praktikë ka qenë i padukshëm, për faktin se nga pala e Maqedonisë së Veriut partia shqiptare në pushtet nuk ka pasur vullnet pozitiv. Pra, BDI kishte inate të pakuptimta për qëllime vetanake me partinë politike që udhëheq me qeverinë e Kosovës, Vetëvendosjen, prandaj çdoherë kur bëhej fjalë për thellim të raporteve Maqedoni e Veriut – Kosovë, ka pasur hezitim nga pala e vendit tonë. /Zhurnal.mk
Lajme nga vendi
“Vërshimet”, Tetova, Gostivari e Zhelina formojnë komisione për vlerësimin e dëmeve
Dhjetëra shtëpi të vërshuara, oborre të kthyera në liqene, por edhe rrugë të bllokuara dhe rrëshqitje dheu në disa vende. Ky është bilanci nga reshjet e dendura të shiut dhe dalja e lumenjve nga shtrati në rajonin e Pollogut. Komunat e Tetovës, Gostivarit dhe Zhelinës kanë filluar me formimin e komisioneve për vlerësim dhe evidentim të dëmeve, e në disa pika, edhe dislokim të banorëve nga objektet e banimit, si pasojë e rrezikut nga përmbytjet.
“Aktualisht po realizohen analiza të detajuara të rrezikshmërisë me qëllim që banorët e zonave ku siguria është cenuar, të zhvendosen në hapësira më të sigurta, dhe paralelisht po bëhet edhe evidentimi i objekteve të rrezikuara për të vërtetuar edhe statusin e tyre juridik. Sa i përket infrastrukturës rrugore, në rrugën e Banjës janë evidentuar rrëshqitje të mëdha të dheut dhe ekipet e komunës kanë ndërhyrë menjëherë për pastrim dhe normalizim të qarkullimit. Ndërhyrje janë realizuar edhe në Gjermë ku situata është më kritike”, tha Besarta Ramdani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.
“Zonat më të prekura në Komunën e Gostivarit kanë qenë, fshati Forinë, fshati Llakavicë, fshati Turçan i Vogël dhe disa lagje të qytetit, por ne si komunë, kemi bashkëpunuar me banorët dhe nga gjitha të dhënat që përmendëm më kritike ka qenë Forina. Për vlerësimin e dëmit, tani do formojmë një komision dhe do dalim në terren për të vlerësuar dëmet në fshatin Forinë dhe banorëve që janë prekur nga vërshimet”, u shpreh Safet Asani, komisioni për mbrojtje dhe shpëtim Komuna e Gostivarit.
Zona e fundit ku pati përmbytje një ditë më parë ishte fshati Strimnicë.
“Në këtë lagje afërsisht 12 shtëpi kanë dëme materiale që iu ka hy uji nëpër bodrume. Ne si ekipe e komunës ishim afër qytetarëve dhe u ndihmuam sa mundëm, andaj shpresoj që Ministria e Ekologjisë dhe institucionet më lartë të marrin masa që ky problem të përfundoj”, deklaroi Suad Alili, Ndërmarrja Publike Komuna e Zhelinës.
Sipas udhëheqësve të komunave dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe shpëtim përmbytjet janë si pasojë e mos pastrimit në kohë të shtretërve të lumenjve, dhe hedhjes së pakontrolluar të mbeturinave nëpër lumenj. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Kosova, 18 vjet shtet i pavarur, krerë shtetesh urojnë Kosovën
Lajme nga vendi
Badinteri në Kushtetuese, Kostadinovski: S’jemi organ politik

