Lajme nga vendi
Fetai: Kurtin po e kritikojnë opozita e 20%-shit, me VLEN-in shqipja nuk do të jetë përqindje
Zv/kryeministri Arben Fetai, në konferencë për media, deklaroi se puna e ekipit të VLEN-it, po sjellin ndryshime konkrete në jetën e qytetarëve.
“Lajmi i madh? Pikat kufitare Hani i Elezit – Bllacë dhe Glloboqicë – Jazhincë do të jenë plotësisht funksionale në një pikë të përbashkët! Nuk ka më pritje të gjata, maltretime e pengesa për ata që udhëtojnë mes dy vendeve tona vëllezërore. Kjo është një arritje historike që ndihmon çdo familje dhe forcon lidhjet tona kombëtare! Por kjo është vetëm fillimi! Marrëveshjet që kemi nënshkruar dje janë hapa të tjerë drejt të nesërmes e të ardhmes tonë që meritojmë:
1. Memorandumi për energjinë – energji më e lirë, më e qëndrueshme dhe
më e aksesueshme për çdo familje dhe biznes.
2. Marrëveshja për arsimin – një fokus i veçantë për aftësimin
profesional të të rinjve, sepse e ardhmja është në duart e tyre”, deklaroi Fetai.
Fetai tha se pas vizitës së tyre në Kosovë, disa politikanë, që ai i quan të dëshpëruar e që nuk kanë bërë asgjë për qytetarët, po përpiqen të shpikin armiq dhe të hedhin baltë.
“Madje, disa guxuan ta quajnë kryeministrin Albin Kurti “antishqiptar”! Kryeministrin që ka qenë gjithmonë në krah të shqiptarëve, në çdo cep të botës! Dhe pse gjithë kjo zhurmë? Sepse Kurti e tha troç të vërtetën për statusin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut! Kush po e kritikon? Opozita e 20%-shit!
Ata që për 22 vite kanë heshtur dhe nuk kanë bërë asgjë për shqiptarët! Ata që kanë lënë shqipen të mbetet peng i një ligji të cunguar dhe të gjykatësve të emëruar nga vetë ata! VLEN-i thotë me zë të lartë: Shqipja nuk do të jetë përqindje! Shqipja është krenaria jonë, identiteti ynë kombëtar, dhe nuk ka forcë që të na ndalë ta vendosim atë aty ku e ka vendin!
Ata që kanë përvetësuar miliona duke abuzuar me ndjenjat patriotike të
popullit, tani duhet të përgjigjen! Koha e manipulimeve ka marrë fund! Maqedonia e Veriut dhe Kosova janë më të bashkuara se kurrë, dhe askush nuk mund të krijojë ndarje mes nesh! Qytetarë të dashur, mos lejoni që lojërat e vjetra të politike të marrin kohën tuaj. Ne jemi këtu për ju, për të sotmen dhe për të ardhmen tuaj. Me VLEN-in dhe këtë qeveri, ndryshimi është realitet!”, tha Fetai.
Lajme nga vendi
“Vërshimet”, Tetova, Gostivari e Zhelina formojnë komisione për vlerësimin e dëmeve
Dhjetëra shtëpi të vërshuara, oborre të kthyera në liqene, por edhe rrugë të bllokuara dhe rrëshqitje dheu në disa vende. Ky është bilanci nga reshjet e dendura të shiut dhe dalja e lumenjve nga shtrati në rajonin e Pollogut. Komunat e Tetovës, Gostivarit dhe Zhelinës kanë filluar me formimin e komisioneve për vlerësim dhe evidentim të dëmeve, e në disa pika, edhe dislokim të banorëve nga objektet e banimit, si pasojë e rrezikut nga përmbytjet.
“Aktualisht po realizohen analiza të detajuara të rrezikshmërisë me qëllim që banorët e zonave ku siguria është cenuar, të zhvendosen në hapësira më të sigurta, dhe paralelisht po bëhet edhe evidentimi i objekteve të rrezikuara për të vërtetuar edhe statusin e tyre juridik. Sa i përket infrastrukturës rrugore, në rrugën e Banjës janë evidentuar rrëshqitje të mëdha të dheut dhe ekipet e komunës kanë ndërhyrë menjëherë për pastrim dhe normalizim të qarkullimit. Ndërhyrje janë realizuar edhe në Gjermë ku situata është më kritike”, tha Besarta Ramdani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.
“Zonat më të prekura në Komunën e Gostivarit kanë qenë, fshati Forinë, fshati Llakavicë, fshati Turçan i Vogël dhe disa lagje të qytetit, por ne si komunë, kemi bashkëpunuar me banorët dhe nga gjitha të dhënat që përmendëm më kritike ka qenë Forina. Për vlerësimin e dëmit, tani do formojmë një komision dhe do dalim në terren për të vlerësuar dëmet në fshatin Forinë dhe banorëve që janë prekur nga vërshimet”, u shpreh Safet Asani, komisioni për mbrojtje dhe shpëtim Komuna e Gostivarit.
Zona e fundit ku pati përmbytje një ditë më parë ishte fshati Strimnicë.
“Në këtë lagje afërsisht 12 shtëpi kanë dëme materiale që iu ka hy uji nëpër bodrume. Ne si ekipe e komunës ishim afër qytetarëve dhe u ndihmuam sa mundëm, andaj shpresoj që Ministria e Ekologjisë dhe institucionet më lartë të marrin masa që ky problem të përfundoj”, deklaroi Suad Alili, Ndërmarrja Publike Komuna e Zhelinës.
Sipas udhëheqësve të komunave dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe shpëtim përmbytjet janë si pasojë e mos pastrimit në kohë të shtretërve të lumenjve, dhe hedhjes së pakontrolluar të mbeturinave nëpër lumenj. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Kosova, 18 vjet shtet i pavarur, krerë shtetesh urojnë Kosovën
Lajme nga vendi
Badinteri në Kushtetuese, Kostadinovski: S’jemi organ politik

