Lajme nga vendi
Mexhiti: Jemi të përkushtuar seriozisht për avancimin e mekanizmave për sigurimin qasjes në drejtësinë ekologjike
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, sot mori pjesë dhe mbajti fjalim në konferencën ndërkombëtare me temën “Ombudsmanët dhe Institucionet Kombëtare për të Drejtat e Njeriut dhe Mjedisin”, që do t’u mundësojë ombudsmenëve dhe institucioneve kombëtare të të drejtave të njeriut nga i gjithë rajoni dhe më gjerë të ndajnë njohuritë dhe strategjitë për ruajtjen e të drejtave të njeriut në kushtet e kërcënimeve ndaj mjedisit.
Në hapje të Konferencës, zëvendëskryeministri i parë Mexhiti, theksoi se në Republikën e Maqedonisë së Veriut e drejta për një mjedis të shëndetshëm si e drejtë themelore e njeriut është e garantuar me Kushtetutë, duke theksuar se në vendin tonë e drejta ekologjike mbulon një gamë të gjerë të rregullimeve juridike në fushën e mjedisit, para së gjithash legjislacioni kombëtar, rregullimi juridik ndërkombëtar, përkatësisht konventat ndërkombëtare dhe marrëveshjet dhe dokumentet tjera juridike në sferën ndërkombëtare, si dhe legjislacioni i Bashkimit Evropian.
“Si Qeveri jemi të përkushtuar seriozisht në krijimin dhe zbatimin e politikave për reduktimin e presionit që njerëzit e ushtrojnë mbi mjedisin, mbrojtjen dhe përmirësimin e cilësisë së mjedisit njerëzor, por edhe sigurimin e mbrojtjes së vetë natyrës dhe biodiversitetit”, duke shtuar se nga ana tjetër, kjo nënkupton sigurimin e një segmenti social përmes pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje, por edhe përmes përdorimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore me qëllim të transformimit të gjelbër të sistemit ekonomik dhe rritjes së mundësive për të ashtuquajturat punë të gjelbra.
Mexhiti, theksoi se Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor ka krijuar mekanizma për qasje të publikut në informata dhe për pjesëmarrje të publikut në vendimmarrje, por është e nevojshme të përmirësohen mekanizmat për sigurimin e qasjes në drejtësinë ekologjike. Sipas tij, është e një rëndësie të veçantë forcimi i rolit të Avokatit të Popullit në sigurimin e drejtësisë ekologjike në vend, si dhe forcimi i aftësisë së institucioneve kombëtare të të drejtave të njeriut për t’iu përgjigjur sfidave ekologjike përmes mësimit dhe nismave të përbashkëta, duke siguruar se ato do të përgatiten dhe pajisen për zgjidhjen e çështjeve të reja.
Armen Grigorjan, përfaqësuesi i Përhershëm i Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), tha se duhet ta lidhim mbrojtjen e mjedisit jetësor me përmirësimin e drejtësisë, respektimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. “Gjatë negociatave politike që po zhvillohen në nivel multilateral, përfshirë Samitin e Kombeve të Bashkuara për Klimatin në Azerbajxhan dhe atë për biodiversitetin në Kolumbi, po ndjehet gjithnjë e më shumë se diskutimet nuk janë të mjaftueshme. Jemi dëshmitarë të sfidave mjedisore me të cilat përballet shoqëria maqedonase në këtë moment. Lufta për shpëtimin e planetit tonë nuk është vetëm politike, por edhe juridike, e bazuar në norma, standarde dhe principe për të drejtat e njeriut, dhe pikërisht në këtë kontekst duhet të mbështesim institucionet kombëtare për të drejtat e njeriut dhe avokatët e popullit për të përmbushur rolet e tyre, veçanërisht në përparimin e të drejtës për një mjedis të pastër, të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm. Rolet e tyre në promovimin e drejtësisë mjedisore do të bëhen gjithnjë e më të rëndësishme në vitet në vazhdim, në kohën kur burimet dhe kapacitetet janë tashmë në kufirin e shfrytëzueshmërisë. Por lajmi i mirë është se po vendosen themelet për drejtësinë mjedisore.”
Avokati i Popullit, Naser Ziberi, u ndal në sfidat me të cilat përballet bota nga këndvështrimi i mjedisit dhe efektet shkatërruese nga mungesa e kujdesit. Ai shprehu shqetësimin e tij se gjendja e mjedisit në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe realiteti nuk janë në përputhje me angazhimin kushtetues për një mjedis të shëndetshëm të parashikuar në nenin 43 të Kushtetutës. “Megjithatë, më gëzon fakti që në këtë konferencë kemi përfaqësues nga Gjykata Supreme dhe avokatë të popullit nga shumë shtete, me kontributin e të cilëve do t’i forcojmë kapacitetet,” deklaroi Ziberi, duke shtuar se deri në tetor të këtij viti, rreth 40 ankesa janë dorëzuar te Avokati i Popullit në lidhje me mjedisin.
Konferenca ndërkombëtare do të mbahet nga 20 deri më 21 nëntor në Shkup dhe është organizuar në kuadër të projektit “Përmirësimi i rolit të Avokatit të Popullit në drejtësinë mjedisore”, e financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe implementuar në bashkëpunim me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Zyrën e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut në Shkup.
Lajme nga vendi
“Vërshimet”, Tetova, Gostivari e Zhelina formojnë komisione për vlerësimin e dëmeve
Dhjetëra shtëpi të vërshuara, oborre të kthyera në liqene, por edhe rrugë të bllokuara dhe rrëshqitje dheu në disa vende. Ky është bilanci nga reshjet e dendura të shiut dhe dalja e lumenjve nga shtrati në rajonin e Pollogut. Komunat e Tetovës, Gostivarit dhe Zhelinës kanë filluar me formimin e komisioneve për vlerësim dhe evidentim të dëmeve, e në disa pika, edhe dislokim të banorëve nga objektet e banimit, si pasojë e rrezikut nga përmbytjet.
“Aktualisht po realizohen analiza të detajuara të rrezikshmërisë me qëllim që banorët e zonave ku siguria është cenuar, të zhvendosen në hapësira më të sigurta, dhe paralelisht po bëhet edhe evidentimi i objekteve të rrezikuara për të vërtetuar edhe statusin e tyre juridik. Sa i përket infrastrukturës rrugore, në rrugën e Banjës janë evidentuar rrëshqitje të mëdha të dheut dhe ekipet e komunës kanë ndërhyrë menjëherë për pastrim dhe normalizim të qarkullimit. Ndërhyrje janë realizuar edhe në Gjermë ku situata është më kritike”, tha Besarta Ramdani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.
“Zonat më të prekura në Komunën e Gostivarit kanë qenë, fshati Forinë, fshati Llakavicë, fshati Turçan i Vogël dhe disa lagje të qytetit, por ne si komunë, kemi bashkëpunuar me banorët dhe nga gjitha të dhënat që përmendëm më kritike ka qenë Forina. Për vlerësimin e dëmit, tani do formojmë një komision dhe do dalim në terren për të vlerësuar dëmet në fshatin Forinë dhe banorëve që janë prekur nga vërshimet”, u shpreh Safet Asani, komisioni për mbrojtje dhe shpëtim Komuna e Gostivarit.
Zona e fundit ku pati përmbytje një ditë më parë ishte fshati Strimnicë.
“Në këtë lagje afërsisht 12 shtëpi kanë dëme materiale që iu ka hy uji nëpër bodrume. Ne si ekipe e komunës ishim afër qytetarëve dhe u ndihmuam sa mundëm, andaj shpresoj që Ministria e Ekologjisë dhe institucionet më lartë të marrin masa që ky problem të përfundoj”, deklaroi Suad Alili, Ndërmarrja Publike Komuna e Zhelinës.
Sipas udhëheqësve të komunave dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe shpëtim përmbytjet janë si pasojë e mos pastrimit në kohë të shtretërve të lumenjve, dhe hedhjes së pakontrolluar të mbeturinave nëpër lumenj. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Kosova, 18 vjet shtet i pavarur, krerë shtetesh urojnë Kosovën
Lajme nga vendi
Badinteri në Kushtetuese, Kostadinovski: S’jemi organ politik

