Lajme nga vendi
Xhamia “Jeni” në Manastir, reagon BDI: Dënojmë me vendosmëri këtë qasje të papërgjegjshme, e cila thellon ndarjet ndërfetare dhe ndëretnike në shoqërinë tonë
Nga BDI nëpërmjet një komunikate lëshuar mediave, kanë reaguar pas publikimit të informacionit se në Manastir është bërë hapja solemne e Manastirit të trashëgimisë krishtere dhe islame, ku është integruar edhe Xhamia Jeni.
Ja dhe reagimi i plotë:
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) shpreh shqetësimin e tij të thellë për vendimin e fundit të qeverisë për të aktivizuar statusin e Xhamisë Jeni në Manastir si një galeri, duke anashkaluar ndjeshmëritë fetare dhe historike të një komuniteti të rëndësishëm në vend.
Ky akt, i cili vazhdon logjikën e vendimeve të njëanshme, është një tregues i qartë i degradimit të vazhdueshëm institucional, etnik dhe fetar që ka karakterizuar këtë qeveri.
Dënojmë me vendosmëri këtë qasje të papërgjegjshme, e cila thellon ndarjet ndërfetare dhe ndëretnike në shoqërinë tonë.
Në një vend si Maqedonia e Veriut, ku bashkëjetesa shumëetnike dhe shumëfetare është një nga vlerat themelore të shtetit, një vendim i tillë është një goditje e rëndë ndaj tolerancës, respektit dhe bashkëjetesës që kemi ndërtuar ndër vite.
Ky vendim i qeverisë përfaqëson një akt degradues që përçan dhe nxit tensione të reja sociale, duke përkeqësuar klimën e mosbesimit mes komuniteteve.
Në këtë kontekst, BDI dënon politikat e qeverisë që kanë për qëllim rrënimin e themeleve të barazisë dhe bashkëjetesës, duke i shndërruar këto tema në mjete politike për përçarje. Në vend që të promovojë dialogun dhe mirëkuptimin, qeveria aktuale vazhdon të ndjekë një agjendë që rrezikon stabilitetin dhe harmoninë e shtetit tonë.
BDI kërkon fuqimisht respektimin e trashëgimisë kulturore dhe fetare të çdo komuniteti në Maqedoninë e Veriut.
Objektet e shenjta dhe monumentet historike duhet të trajtohen me ndjeshmëri dhe respekt për rolin e tyre në identitetin dhe historinë e komuniteteve që i përkasin.
Kërkojmë ndërprerjen e menjëhershme të politikave përçarëse.
Vendimet që anashkalojnë ndjeshmëritë ndërfetare dhe ndëretnike janë të papranueshme dhe nuk kanë vend në një shtet demokratik dhe multietnik.
Ftojmë në promovimin e dialogut dhe harmonisë.
Qeveria duhet të veprojë me përgjegjësi për të garantuar që vendimet e saj të pasqyrojnë nevojat dhe ndjeshmëritë e të gjitha komuniteteve në mënyrë të barabartë.
E bëjmë të qartë se ky vendim nuk është i izoluar, por pjesë e një serie veprimesh që po minojnë themelet e bashkëjetesës shumëetnike dhe shumëfetare në Maqedoninë e Veriut. Këto politika degradimi nuk përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve dhe nuk kontribuojnë në të ardhmen evropiane të vendit.
BDI u bën thirrje të gjitha institucioneve të përfshira të veprojnë me përgjegjësi dhe të rishikojnë këtë vendim, në mënyrë që të ruajnë dhe promovojnë harmoninë ndërmjet komuniteteve. Bashkëjetesa shumëetnike dhe shumëfetare është një vlerë e patjetërsueshme që nuk mund dhe nuk duhet të vihet në rrezik nga vendime të tilla të njëanshme dhe të pamatura.
Stabiliteti dhe e ardhmja e Maqedonisë së Veriut mund të sigurohen vetëm përmes respektimit të ndërsjellë, barazisë dhe promovimit të bashkëjetesës.
Lajme nga vendi
“Vërshimet”, Tetova, Gostivari e Zhelina formojnë komisione për vlerësimin e dëmeve
Dhjetëra shtëpi të vërshuara, oborre të kthyera në liqene, por edhe rrugë të bllokuara dhe rrëshqitje dheu në disa vende. Ky është bilanci nga reshjet e dendura të shiut dhe dalja e lumenjve nga shtrati në rajonin e Pollogut. Komunat e Tetovës, Gostivarit dhe Zhelinës kanë filluar me formimin e komisioneve për vlerësim dhe evidentim të dëmeve, e në disa pika, edhe dislokim të banorëve nga objektet e banimit, si pasojë e rrezikut nga përmbytjet.
“Aktualisht po realizohen analiza të detajuara të rrezikshmërisë me qëllim që banorët e zonave ku siguria është cenuar, të zhvendosen në hapësira më të sigurta, dhe paralelisht po bëhet edhe evidentimi i objekteve të rrezikuara për të vërtetuar edhe statusin e tyre juridik. Sa i përket infrastrukturës rrugore, në rrugën e Banjës janë evidentuar rrëshqitje të mëdha të dheut dhe ekipet e komunës kanë ndërhyrë menjëherë për pastrim dhe normalizim të qarkullimit. Ndërhyrje janë realizuar edhe në Gjermë ku situata është më kritike”, tha Besarta Ramdani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.
“Zonat më të prekura në Komunën e Gostivarit kanë qenë, fshati Forinë, fshati Llakavicë, fshati Turçan i Vogël dhe disa lagje të qytetit, por ne si komunë, kemi bashkëpunuar me banorët dhe nga gjitha të dhënat që përmendëm më kritike ka qenë Forina. Për vlerësimin e dëmit, tani do formojmë një komision dhe do dalim në terren për të vlerësuar dëmet në fshatin Forinë dhe banorëve që janë prekur nga vërshimet”, u shpreh Safet Asani, komisioni për mbrojtje dhe shpëtim Komuna e Gostivarit.
Zona e fundit ku pati përmbytje një ditë më parë ishte fshati Strimnicë.
“Në këtë lagje afërsisht 12 shtëpi kanë dëme materiale që iu ka hy uji nëpër bodrume. Ne si ekipe e komunës ishim afër qytetarëve dhe u ndihmuam sa mundëm, andaj shpresoj që Ministria e Ekologjisë dhe institucionet më lartë të marrin masa që ky problem të përfundoj”, deklaroi Suad Alili, Ndërmarrja Publike Komuna e Zhelinës.
Sipas udhëheqësve të komunave dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe shpëtim përmbytjet janë si pasojë e mos pastrimit në kohë të shtretërve të lumenjve, dhe hedhjes së pakontrolluar të mbeturinave nëpër lumenj. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Kosova, 18 vjet shtet i pavarur, krerë shtetesh urojnë Kosovën
Lajme nga vendi
Badinteri në Kushtetuese, Kostadinovski: S’jemi organ politik

