Lajme nga vendi
Zëvendëskryeministri dhe ministri Stoilkoviq realizoi takim me ambasadorin çek Ludva
Zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe ministri për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, z. Ivan Stoilkoviq sot ka zhvilluar një takim pune me një delegacion të Ambasadës së Republikës Çeke në Shkup, të kryesuar nga ambasadori z. Jaroslav Ludva.
Gjatë këtij takimi, i pari zyrtar mes dy bashkëbiseduesve, u shkëmbyen mendime dhe qëndrime për situatën aktuale politike dhe ekonomike në të dyja vendet, si dhe për mundësitë për thellimin, por edhe konfirmimin e marrëdhënieve të shkëlqyera diplomatike reciproke.
Zëvendëskryeministri dhe ministri Stoilkoviq e informoi ambasadorin Ludva me punën e realizuar deri më tani që nga marrja e detyrës, ndërsa gjatë takimit gjithashtu u bisedua edhe për planet e ardhshme, përkatësisht për çështjet dhe prioritetet kyçe të Ministrisë për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive.
Në fund të takimit, konkluzioni i të dy bashkëbiseduesve ishte se mbrojtja e bashkësive etnike me fokus ndryshimin e perceptimit dhe faktit që ata duhet të marrin pozitën që meritojnë dhe në vendin ku jetojnë të ndjehen si qytetarë të barabartë me të gjitha të drejtat dhe detyrimet që burojnë nga Kushtetuta, duhet të vazhdojnë të mbeten prioritet i Ministrisë për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, si dhe për shumë çështje për të cilat mund të diskutohet dhe punohet bashkë për të ardhmen, kurse çështja e parë është rritja e bashkëpunimit ekonomik dhe investimet e Republikës Çeke në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Lajme nga vendi
“Vërshimet”, Tetova, Gostivari e Zhelina formojnë komisione për vlerësimin e dëmeve
Dhjetëra shtëpi të vërshuara, oborre të kthyera në liqene, por edhe rrugë të bllokuara dhe rrëshqitje dheu në disa vende. Ky është bilanci nga reshjet e dendura të shiut dhe dalja e lumenjve nga shtrati në rajonin e Pollogut. Komunat e Tetovës, Gostivarit dhe Zhelinës kanë filluar me formimin e komisioneve për vlerësim dhe evidentim të dëmeve, e në disa pika, edhe dislokim të banorëve nga objektet e banimit, si pasojë e rrezikut nga përmbytjet.
“Aktualisht po realizohen analiza të detajuara të rrezikshmërisë me qëllim që banorët e zonave ku siguria është cenuar, të zhvendosen në hapësira më të sigurta, dhe paralelisht po bëhet edhe evidentimi i objekteve të rrezikuara për të vërtetuar edhe statusin e tyre juridik. Sa i përket infrastrukturës rrugore, në rrugën e Banjës janë evidentuar rrëshqitje të mëdha të dheut dhe ekipet e komunës kanë ndërhyrë menjëherë për pastrim dhe normalizim të qarkullimit. Ndërhyrje janë realizuar edhe në Gjermë ku situata është më kritike”, tha Besarta Ramdani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.
“Zonat më të prekura në Komunën e Gostivarit kanë qenë, fshati Forinë, fshati Llakavicë, fshati Turçan i Vogël dhe disa lagje të qytetit, por ne si komunë, kemi bashkëpunuar me banorët dhe nga gjitha të dhënat që përmendëm më kritike ka qenë Forina. Për vlerësimin e dëmit, tani do formojmë një komision dhe do dalim në terren për të vlerësuar dëmet në fshatin Forinë dhe banorëve që janë prekur nga vërshimet”, u shpreh Safet Asani, komisioni për mbrojtje dhe shpëtim Komuna e Gostivarit.
Zona e fundit ku pati përmbytje një ditë më parë ishte fshati Strimnicë.
“Në këtë lagje afërsisht 12 shtëpi kanë dëme materiale që iu ka hy uji nëpër bodrume. Ne si ekipe e komunës ishim afër qytetarëve dhe u ndihmuam sa mundëm, andaj shpresoj që Ministria e Ekologjisë dhe institucionet më lartë të marrin masa që ky problem të përfundoj”, deklaroi Suad Alili, Ndërmarrja Publike Komuna e Zhelinës.
Sipas udhëheqësve të komunave dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe shpëtim përmbytjet janë si pasojë e mos pastrimit në kohë të shtretërve të lumenjve, dhe hedhjes së pakontrolluar të mbeturinave nëpër lumenj. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Kosova, 18 vjet shtet i pavarur, krerë shtetesh urojnë Kosovën
Lajme nga vendi
Badinteri në Kushtetuese, Kostadinovski: S’jemi organ politik

