Lajme nga vendi
“Bozhinovska dhe Mexhiti në partneritet për ajër të pastër dhe energji të rinovueshme për Shkupin – automjete elektrike dhe “car-sharing” si zgjidhje për ndotjen”
Ministritë e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale dhe Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor mbështesin projektin e parë për 100% car-sharing elektrik në Shkup.
Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale dhe Ministria e Mjedisit Jetsor dhe Planifikimit Hapësinor kanë publikuar sot një hap përpara drejt një të ardhme të qëndrueshme dhe të gjelbër me mbështetjen dhe nënshkrimin e një letre me qëllime me kompaninë e njohur “Avant Car”, e cila po e zbaton projektin e parë 100% car-sharing elektrik në Shkup.
Ky dokument vërteton gatishmërinë e të dy institucioneve për të ofruar mbështetje logjistike dhe administrative për zbatimin e sistemit të parë elektrik “car sharing” në Shkup. Ky projekt është shembull se si institucionet publike mund të krijojnë kushte për tërheqjen e investimeve private që kontribuojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Nëpërmjet këtij projekti, qytetarët do të kenë qasje në transport modern, ekonomik dhe ekologjik ndaj mjedisit që është krijuar për të reduktuar bllokimet e trafikut, ndotjen dhe varësinë nga lëndët djegëse fosile. Ministria e Energjetikës theksoi rëndësinë e instalimit të mbushësve për automjetet elektrike që do të përdorin 100% energji të rinovueshme, ndërsa Ministria e Mjedisit Jetësor theksoi se projekti do të kontribuojë në përmirësimin e cilësisë së ajrit duke ulur ndjeshëm emetimet e CO₂.
“Sot po e vendosim Shkupin në hartën e qyteteve moderne që jo vetëm flasin për qëndrueshmëri, por edhe hedhin hapa të guximshëm drejt saj. Bllokimi, ndotja dhe varësia nga lëndët djegëse fosile nuk janë gjëra me të cilat duhet të pajtohemi. Institucionet publike dhe sektori privat mund të krijojnë së bashku projekte që përmirësojnë drejtpërdrejt realitetin e përditshëm të qytetarëve tanë. Sistemi elektrik “car sharing” është gjithashtu shembull se si teknologjia mund të jetë në shërbim të njerëzve dhe planetit. Me nisma të tilla jo vetëm që përmirësojmë cilësinë e jetës, por ndërtojmë besimin tek sektori privat se ia vlen të investohet këtu”, tha ministrja e Energjetikës, Sanja Bozhinovska.
“Qyteti ynë ka kohë që po përballet me pasojat e ndotjes urbane. Qëllimi është që në këtë mënyrë të ndikojmë drejtpërdrejt dhe të reduktojmë emetimet dhe ndotjen e CO₂, që është prioriteti ynë si ministri. Qytetarët do të kenë mundësi për transport më ekonomik, pa kompromis për mjedisin jetësor. Si Ministri e Mjedisit Jetësor, detyra jonë është të mbështesim zgjidhje të tilla inovative që kanë efekt të drejtpërdrejtë dhe pozitiv në mjedis. Ky projekt është dëshmi se është e mundur të krijohen mjedise urbane më të shëndetshme përmes mbështetjes publike dhe nismës private”, tha Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministër i Mjedisit, Izet Mexhiti.
“Me zbatimin dhe implementimin e sistem për ndarjeen e makinave me 100% vetura elektrike me emrin e brendit “Avant2Go” në Slloveni, Kroaci dhe Austri, e tani edhe në Maqedoni, kompania vepron si një pioniere për zbatimin e gjerë të mobilitetit elektrik dhe zbatimin e infrastrukturës së automjeteve elektrike, duke inkurajuar përdorimin dhe ndarjen të automjeteve elektrike”, deklaroi Matej Çer nga Grupacioni Avant Car.
Zbatimi i projektit është planifikuar të fillojë me sigurimin e hapësirave publike dhe private të parkimit dhe instalimin e infrastrukturës së duhur të mbushjes në disa komuna të Shkupit. Në nënshkrimin ishin të pranishëm edhe kryetarët e komunës dhe përpaqësues të Aerodromit, Çairit dhe Gazi Babës. Paralelisht do të organizohen aktivitete për edukimin e opinionit dhe promovimin e përfitimeve të këtij sistemi inovativ.
“Avant car” në Maqedoni do të jetë pjesë e grupit të kompanive “Avant car” me seli në Slloveni, e cila është ndër ofruesit kryesorë të mobilitetit si shërbim në Slloveni, Kroaci, Austri dhe tani Maqedoni.
Ministritë shprehin gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar me komunat, institucionet publike dhe sektorin privat për zbatim më të shpejtë dhe më efikas të kësaj nisme, e cila ka potencial për ta pozicionuar Shkupin si lider në lëvizshmëri të qëndrueshme urbane në rajon.
Kjo nismë do të kontribuojë në përmirësimin e cilësisë së ajrit, uljen e bllokimit të trafikut dhe zhvillimin e zgjidhjeve moderne të transportit që janë efikase energjetike dhe të qasshme për të gjithë qytetarët.
![]()
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 22 Tetor
Dje, zyrtarë policorë nga Sektori për Polici Kriminalistike pranë SPB Tetovë dhe nga ekipi mobil “Task Force”, në koordinim me përfaqësues të Inspektoratit Shtetëror të Tregut dhe Drejtorisë së të Ardhurave Publike, kanë realizuar kontroll aksional në një objekt hotelerie në Qendrën Tregtare të Qytetit në Tetovë.
Me këtë rast, para objektit është zënë një 48-vjeçar nga Tetova dhe gjatë kontrollit tek ai është gjetur një substancë e bardhë pluhur, pas çka është privuar nga liria.
Ndërsa, brenda në objekt, te pronari 54-vjeçar nga fshati Trebosh janë gjetur 15 paketime me substancë të bardhë pluhur, pas çka edhe ai është privuar nga liria.
Të dy janë ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj tyre do të vijojë parashtresë përkatëse.
…….
Dje në orën 12:00 në Stacionin Policor Gostivar, nga Ndihma e Shpejtë Mjekësore Gostivar është denoncuar se te ata është sjellë një 15-vjeçar nga Gostivari pa shenja jete. Sipas denoncimit, në shtëpinë e tij në Gostivar ai kishte rrëshqitur dhe ka rënë shkallëve, ndërsa pasi është pranuar në spital, pas reanimimit të kryer ka shfaqur shenja jete dhe me automjet të Ndihmës së Shpejtë Mjekësore Gostivar është transferuar në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza” në Shkup, ku i janë konstatuar lëndime të rënda trupore. Është njoftuar prokurori publik, është kryer këqyrje në vendngjarje dhe po merren masa për zbardhjen e ngjarjes.
…….
Dje në orën 19:10 në Stacionin Policor Tetovë, një 38-vjeçar nga Tetova ka denoncuar se rreth orës 18:30 në rrugën “Todor Cipovski Merxhan”, djali i saj 11-vjeçar është sulmuar fizikisht nga një i mitur tjetër. Po merren masa për zbardhjen e rastit.
……
Dje në orën 22:30 në Hanet e Mavrovës, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Mavrovë kanë privuar nga liria një 22-vjeçar nga Shkupi. Gjatë një kontrolli në trafik është ndaluar automjeti i udhëtarëve “Volksëagen Golf” me targa të Shkupit, të cilin e drejtonte ai, me ç’rast është konstatuar se e drejtonte pa pasur leje drejtimi. Automjeti është konfiskuar dhe pas dokumentimit të plotë të rastit do të vijojë parashtresë përkatëse.
……..
Dje në orën 20:00 në Stacionin Policor Gostivar, një 71-vjeçar nga Gostivari ka denoncuar se rreth orës 18:30 te Stacioni i Autobusëve në Gostivar, derisa po kryente detyrat e punës si taksist, është sulmuar fizikisht nga një person. Po merren masa për zbardhjen e rastit.
…….
Dje në orën 13:25, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Gostivar kanë privuar nga liria një 29-vjeçar nga Gostivari, i cili ditën e mëparshme është denoncuar nga nëna e tij 53-vjeçare se në disa raste e ka kërcënuar. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të parashtrohet kallëzim përkatës.
……
Pas mesnate në orën 02:00 në SPB Tetovë është denoncuar se ka shpërthyer zjarr në një arë në fshatin Sellarcë e Epërme. Zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Zherovjan kanë dalë në vendngjarje dhe kanë konstatuar se është djegur kashtë, e cila ishte grumbulluar në disa pirgje. Ekipi i Njësisë Territoriale Kundër Zjarrit e ka shuajtur zjarrin, ndërsa persona të lënduar nuk ka. Këqyrja e vendngjarjes është kryer nga ekipi i SPB Tetovë.
Lajme nga vendi
Në shtator, tetë burra në Maqedoni u diagnostikuan me HIV, vetëm këtë vit janë regjistruar 49 raste të reja
Në shtator të këtij viti, në Maqedoninë e Veriut u regjistruan tetë raste të reja me HIV/AIDS, të gjitha te persona të gjinisë mashkullore, tregojnë të dhënat nga buletini më i ri mujor i Institutit të Shëndetit Publik (ISHP). Katër nga personat e diagnostikuar rishtazi janë të moshës 30 deri në 39 vjeç, ndërsa nga një rast është regjistruar në grupmoshat 15–19 vjeç, 20–29 vjeç, 40–49 vjeç dhe 50–59 vjeç, transmeton Portalb.mk.
Në shtator u raportuan edhe dy raste të vdekjes te persona me HIV, të cilët ishin regjistruar më parë me këtë infeksion, përkatësisht në vitin 2015 dhe 2018. Të dy personat që vdiqën ishin të moshës 40 deri në 49 vjeç. Sipas të dhënave të ISHP-së, nga fillimi i vitit 2026 deri më 30 shtator, në vend janë regjistruar gjithsej 49 raste me HIV/AIDS.
Që nga fillimi i regjistrimit të rasteve, në vitin 1987, e deri në shtator të vitit 2026, në vend janë regjistruar gjithsej 778 persona me HIV/AIDS. Prej tyre, 520 persona jetojnë me HIV/AIDS, 144 kanë vdekur, ndërsa 114 figurojnë si të humbur për ndjekje, përkatësisht si persona që janë shpërngulur jashtë vendit.
Në buletinin për sëmundjet akute infektive thuhet se gjatë shtatorit në Maqedoninë e Veriut katër persona kanë vdekur nga ethet e Nilit Perëndimor, ndërsa gjithsej 1.042 persona janë prekur nga sëmundje akute infektive. Numri i të prekurve është 22 përqind më i lartë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, kur ishin regjistruar 854 raste.
“Të katër personat që kanë vdekur ishin të moshës 65 deri në 70 vjeç dhe te ta ishte diagnostikuar forma neuroinvazive e etheve të Nilit Perëndimor. Ata ishin të hospitalizuar në Klinikën Universitare për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile në Shkup, ndërsa te të gjithë ishin regjistruar edhe sëmundje shoqëruese”, thuhet në buletin.
Epidemia e etheve të Nilit Perëndimor është ende në vazhdim.
Pjesa më e madhe e sëmundjeve infektive të regjistruara në shtator ishin infeksione të zorrëve. Nga gjithsej 1.042 rastet e raportuara, 694 ishin raste me enterokolit, që përbëjnë 66,6 përqind të të gjitha sëmundjeve akute infektive të regjistruara.
Krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, kur ishin raportuar 465 raste me enterokolit, këtë vit është shënuar rritje prej 49,2 përqind. Nga fillimi i këtij viti deri në fund të shtatorit janë regjistruar 4.313 raste, që është 43,1 përqind më shumë sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në vendin e dytë për nga shpeshtësia janë lija e dhenve, me 123 persona të prekur, të ndjekura nga salmoneloza me 56 raste, zgjebja me 47 raste dhe infeksionet bakteriale e intoksikimet e shkaktuara nga ushqimi me 30 raste.
Në shtator u regjistruan edhe 29 raste të mononukleozës infektive, tetë raste të sëmundjes së legjionarëve dhe gjashtë infeksione të shkaktuara nga bakteri Escherichia coli.
Lajme nga vendi
Ministria e Transformimit Digjital në RMV bllokon përkohësisht trafikun e jashtëm në internet si masë parandaluese
Ministria e Transformimit Digjital informon se, si pjesë e aktiviteteve parandaluese, trafiku i jashtëm në internet në sistemet e prekura është bllokuar përkohësisht, me qëllim parandalimin e shfrytëzimit të mundshëm të dobësive.
Prandaj, ata theksojnë se Ministria, përmes Sektorit të Sigurisë Kibernetike dhe ekipit qeveritar të sigurisë kompjuterike (MKD-GOV-CSIRT), vazhdon me monitorimin e zgjeruar dhe të vazhdueshëm të kërcënimeve kibernetike, analizën e ngjarjeve të sigurisë dhe të dhënave të regjistrave, si dhe kontrollin e treguesve të mundshëm të kompromentimit.
Përndryshe, institucionet qeveritare dhe kompanitë në të gjithë Evropën dhe botën u detyruan të mbyllin faqet e tyre të internetit dje, pasi u zbuluan të meta serioze në gjuhën e programimit mbi të cilën bazohet pjesa më e madhe e internetit, raportuan mediat botërore.
Ministria e Transformimit Digjital informon se, si pjesë e aktiviteteve parandaluese, trafiku i jashtëm i internetit në sistemet e prekura u bllokua përkohësisht, me qëllim parandalimin e shfrytëzimit të mundshëm të dobësive.
Më pas, shtohet, u kryen kontrolle në versionet e softuerit dhe u aplikuan patch-e dhe përditësime të përshtatshme sigurie, si dhe u kontrollua funksionaliteti dhe siguria e serverëve të internetit.
Masat, thonë nga Ministria, synojnë të zvogëlojnë rrezikun e aksesit të paautorizuar dhe kompromentimit të mundshëm të serverëve të internetit.
“Sipas kontrolleve të kryera deri më tani, nuk janë gjetur indikacione për shfrytëzim të suksesshëm të dobësive të listuara ose për kompromentimin e faqeve të internetit të Qeverisë dhe ministrive”, thuhet në njoftim.

