Lajme nga vendi
Dëmtim i hatashëm i buxhetit të shtetit, ku përfunduan ato para?
Buxheti i shtetit është buxheti që buron nga xhepat e qytetarëve. Prandaj, si i tillë duhet të trajtohet. Çdo keqpërdorim i këtij buxheti është dëmtim drejtpërsëdrejti i të gjithë qytetarëve pa dallim. Korrupsioni apo hajnia nuk njeh përkatësi por duhet të dënohet e sanksionohet në format më të ashpra të mundshme. Nuk mundet askush në kurriz të popullit, përmes votës qytetarëve të arrij deri te arka e qytetarëve e të njëjtën ta vjedh, e më keq se ka qytetarët të vazhdojnë të jetojnë në mjerim, shkruan Zhurnal.
Për një dekadë, arka shtetërore është dëmtuar për 244 milionë euro –
Në dhjetë vjetët e fundit, buxheti i Maqedonisë së Veriut është dëmtuar për më shumë se 244 milionë euro, tregon analiza e Radios Evropa e Lirë që përfshin 30 raste të profilit të lartë të gjyqësorit. Prokurorët kanë kërkuar nga gjykata të konfiskojë pronën e dhjetëra të akuzuarve në vlerë prej 62 milionë eurosh, ndërsa gjykata ka miratuar konfiskimin në 5 çështje me vlerë 49 milionë euro.
Apartamentet e ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski, ende presin vendimin e Qeverisë. Gati 62 milionë euro do të mund të “peshojë në letër” Agjencia për Pronën e Konfiskuar, nëse gjykata do t’i pranonte kërkesat e prokurorëve për sekuestrimin e pronës së fituar përmes krimit, për 30 raste gjyqësore me profil të lartë gjatë 10 vjetëve të fundit.
Sipas lëndëve të analizuara, Gjykata në pesë nga 30 rastet gjyqësore ka vendosur që nga 62 milionë euro të kërkuara, të konfiskohen prona me vlerë prej 49 milionë eurosh. Nëse deri tani këto para do të ishin mbledhur, shteti mund t’i përdorte, për shembull, për të paguar interesin e kredisë hungareze për tre vjetët e parë, ose për të ndërtuar të paktën 30 shkolla të reja.
Bëhet fjalë për aktgjykime me konfiskim që, edhe pas disa vjetësh nga hyrja në fuqi, ende nuk janë plotësisht të realizuara dhe të paguara. Këto vendime janë në rastet si “Perandoria” në të cilin janë dënuar ish-shefi i Drejtorisë për Kundërzbulim Sasho Mijallkov dhe biznesmeni që është në listën e zezë amerikane Jordan Kamçev, ish-kryeministri Nikolla Gruevski për “Parcelat në Vodno”, biznesmeni Sead Koçan në rastin “Trusti”, ish-agjentët e zbulimit që janë në arrati – Nikolla Boshkoski, Toni Jakomoski dhe Goran Grujevski – si dhe pronarja e kompanisë Vera Ivanova në rastin “Diamed”.
Mirëpo, në realitet, llogaria bankare e Agjencisë është shumë më “e hollë”. Gjithsej 11.3 milionë euro u depozituan në llogarinë buxhetore nga Mijallkovi dhe Kamçevi në vitin 2022. Më pas duhej të shiteshin pronat e patundshme dhe aksionet bankare që ishin pjesë e konfiskimit. Por, dy vjet më vonë, një pjesë e madhe e tyre ende nuk është shitur. Një pjesë pret vendimin e Qeverisë për realizimin e një ankandi.
Mijallkovit iu konfiskua pasuri me vlerë prej 15 milionë eurosh. Shteti, edhe pse shpresonte se me shitjen e pronës do të mblidhte 21 milionë euro, kjo nuk ndodhi dhe shuma totale e mbledhur është shumë më e ulët se sa pritej.
“Korrupsioni në Maqedoninë e Veriut është kancer me metastaza që çdoherë pengon progresin”
Maqedonia e Veriut si shtet i pavarur nga 8 shtatori i vitit 1991, 31 vite shtet, përgjatë gjithë kësaj periudhe është përballë me luhatje e lëkundje të ndryshme që kanë dridhur edhe rrënjët e shtetit, por ja që të gjitha këto kanë qenë edhe të përballueshme e tejkaluese. Por, ajo që nuk po kalon dot e për të cilën mund të konstatohet lirshëm se është “sëmundje” kancerogjene që po dëmton në palcë shtetin tonë, është korrupsioni. Temë e stërfolur por pa ndonjë epilog konkret, komisione të shumta, apele të veçanta, veting i premtuar për çdo vit, e çka jo tjetër, vetëm për t’i shpallë luftë korrupsionit.
“Korrupsioni mendoj se është epidemi, është kancer në këtë vend. Unë besoj që ata që janë të përfshirë në akte të korrupsionit janë hajdutë. Besoj se janë duke vjedhur nga ky shtet dhe nga qytetarët. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për para, besoj që janë duke vjedhur edhe mundësinë, besoj se janë duke vjedhur në shumë instanca edhe shpresën dhe se njerëzit e këtij shteti meritojnë të kenë liderë, nisma për biznes dhe sipërmarrës të sinqertë”, pati thënë ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Aggeler.
Megjithatë, një luftë e tillë është parë kohëve të fundit nga qeveria e re, edhe pse ajo që publikohet në rrjete sociale dhe që thuhet në fushatë elektorale është krejtësisht tjetër dhe ka dallim të madh nga ajo që shihet në praktikë. Maqedonia e Veriut shtet i pavarur që 31 vite, që 18 vite shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ende nuk ka marrë datën për fillim të negociatave me BE-në. Kjo mbase edhe nuk po ndodhë rastësisht e as për inati të askujt, po ndodhë sepse Maqedonia e Veriut po ka problem serioz me korrupsionin, e që në BE nuk pranohen shtetet që kanë problem me korrupsionin. /Zhurnal.mk
Lajme nga vendi
S’dihet kur do të lirohen 128 milionë euro nga Ipard 3! Tripunovski: Monitorojmë çmimet e plehrave artificiale
Nuk dihet kur do të lirohen 128 milionë euro nga programi IPARD 3. Komisioni Evropian nuk ka dhënë afate konkrete për shqyrtimin e raportit që qeveria e Maqedonisë e dorëzoi lidhur me skandalin e korrupsionit me drejtorin e Agjencisë së Pagesave, Ile Stoilev, që çoi në pezullimin e pagesave.
Ministri i Bujqësisë, Cvetan Tripunovski, në emisionin Biznis 21 tha se në takimin në Bruksel kërkuan që raporti të shqyrtohet sa më shpejt, por nuk morën përgjigje konkrete, vetëm një sinjalizim që do të merret në shqyrtim.
“Diskutuam për raportin e dorëzuar, që të shqyrtohet sa më shpejt dhe ai në mënyrë praktike të shqyrtohet në tërësi nga ana e tyre, nga administrata dhe në përputhje me atë shqyrtim dhe vërejtjet eventuale nëse ka, të veprohet me vazhdimin e mëtejmë të punës së Agjencisë së Pagesave. Nuk kemi përgjigje konkrete, megjithatë kemi një sinjalizim se do të vendoset në procedurë të përshpejtuar shqyrtimi i atij raporti. Bëhet fjalë për raporte voluminoze. Kur saktësisht do të ndodhë nuk mund të them, sepse administrata në Bruksel nuk punon me data konkrete”, theksoi ministri i Bujqësisë, Cvetan Tripunovski.
Tripunovski për arrestimin e dy drejtorëve nga resori i tij tha se kjo është dëshmi se nuk ka persona të mbrojtur nga pozita e funksionarëve. Tha se nuk do të mbrojë askënd, por edhe se nuk ndjen përgjegjësi.
Ministri pretendon se me vëmendje po ndiqet gjendja me luftën në Iran, e cila përveç çmimeve të naftës i ka rritur edhe çmimet botërore të plehrave për 40 për qind, gjë që mund ta shtrenjtojë edhe ushqimin. Tha se në shtator të vitit të kaluar janë ndarë mbi 46.000 kartela për naftë të gjelbër, të cilat bujqit nuk i përdorin gjatë dimrit dhe tani mund t’ua lehtësojnë shpenzimet.
Dua të them se kjo naftë që e kanë marrë në kartelat e tyre, ose kanë bërë ndoshta rezerva gjatë dimrit ose e përdorin tani, është një lloj ndihme në lehtësimin e këtyre shpenzimeve. Ja ju thashë në pjesën e naftës çfarë kemi bërë, mendoj se kemi derivatet më të lira në rajon. Mirëpo ushqimi është i rrezikuar, këto plehra artificiale u nevojiten bujqve, a do të kemi këtu ndonjë masë shtesë reagimi? Me vëmendje po e ndjekim gjendjen dhe do të reagojmë nëse ka nevojë”, deklaroi Cvetan Tripunovski – ministër i Bujqësisë.
Edhe pse një pjesë e bujqve reaguan se u detyrohen rreth 100 milionë euro për subvencione, ndër to edhe për vitin 2024, Tripunovski siguron se subvencionet paguhen rregullisht.
Lajme nga vendi
Mjeku nga një fshat i Tetovës arrestohet për vrasjen e 76-vjeçarit në Ohër
Një mjek nga fshati Bërvenicë i Tetovës është arrestuar dje, pasi dyshohet se ka kryer vrasjen e një 76-vjeçari në Ohër, mësohet jozyrtarisht, përcjell INA.
Sipas informacioneve, dje rreth orës 17:20 në fshatin Bërvenicë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë, në bazë të një fletarresti qendror të lëshuar nga SPB Ohër, kanë privuar nga liria personin me inicialet Zh.G. (53), i cili dyshohet për veprën penale “vrasje” sipas nenit 123 të Kodit Penal.
Më herët, në orën 08:24, në SPB Ohër ishte raportuar se në shtëpinë familjare në rrugën “Nada Fileva” në Ohër, ishte gjetur pa shenja jete 76-vjeçari me inicialet K.M.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori publik dhe ekipet policore, ndërsa mjeku i ndihmës së shpejtë ka konstatuar vdekjen. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion.(INA)
Lajme nga vendi
Polici i rremë mashtroi shkupjanin për 3.500 euro
Siç njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme, më 24 të këtij muaji, në ora 15:30, në SPB Shkup, 45-vjeçari nga Shkupi ka denoncuar se është mashtruar nga një person.
Sipas denoncimit, personi i është paraqitur, është prezantuar si i punësuar në polici dhe i ka ofruar që t’i kthejë paratë – 40 mijë euro që i ka investuar në firmë të huaj në të cilën ka qenë i punësuar dhe që ka ndaluar me punë.
Nga policia shtojnë se pasi që nuk është kryer shërbimi, denoncuesi ka dyshuar se personi është mashtrues dhe ka denoncuar.
Ministria e Punëve të Brendshme theksojnë se po ndërmerren masat për zbardhjen e plotë të rastit.
-
Lajme nga vendi2 months agoRrjeti i madh i dyqaneve për produkte të shtëpisë Comodita Home po rritet akoma më tepër, tash me dyqanin më të madh në Re Mall, Tetovë
-
Lajme nga rajoni3 days agoZbardhet dëshmia e autorit të vrasjes së Liridonës, Plava: Kisha marrëveshje me Murselin, më tha se Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni
-
Lajme nga bota3 days ago“Do jem makthi i Iranit”, Trump ‘kërcënon’ sërish: Nëse nuk ulen në negociata, bombardimet do të shtohen

