Lajme nga vendi
Kërstevska: Prokuroria ka ndërmarrë aktivitete të mjaftueshme, të gjitha pretendimet e të akuzuarit Palevski janë të pabaza

Prokuroria ka ndërmarrë aktivitete të mjaftueshme, të gjitha pretendimet e të akuzuarit Lupço Palevski -Palço janë të pabaza, deklaroi prokurorja publike Zhaklina Kërstevska.
Sipas Kërstevskës, është e qartë se i akuzuari Lupço Palevski kërkesën e parashtruar për përjashtim e ka shfrytëzuar për të paraqitur të gjitha pretendimet e tij që në parim i shkojnë mbrojtjes së tij.
“Provat janë bashkangjitur në shkresat e lëndës dhe duket se me prezantimin e video-incizimeve po i afrohemi pjesës kur opinioni do të informohet për veprimet konkrete të ndërmarra nga i akuzuari Lupço Palevski i cili gjatë gjithë kohës ka mohuar se ka marrë pjesë në ngjarjet në fjalë”, deklaroi Kërstevska duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas përfundimit të seancës së sotme në Gjykatën Themelore Penale Shkup.
E pyetur mbi pretendimet në kërkesën për përjashtim se i akuzuari Bore Videvski ka poseduar armë, Kërstevska ka thënë se prokuroria i ka siguruar të gjitha provat dhe të njëjta janë dorëzuar në listën e provave.
“Të gjitha aktivitetet janë ndërmarrë nga prokuroria”, ka thënë Videvski.
Lidhur me deklaratën e mbrojtësit të Palevskit se të akuzuarit e tjerë kanë negociuar me prokurorinë, Kërstevska ka thënë se asnjë mbrojtës nuk ka folur me prokurorinë jashtë aktiviteteve zyrtare.
“Është shumë e çuditshme se si i akuzuari Lupço Palevski i ka procesverbalet e marrjes në pyetje të të dyshuarve Velibor Manev, Bore Videvski, Vlatko Keshishev dhe Aleksandar Gjorçevski në Prokurori, sepse këto janë dokumente që janë vetëm për prokurorinë dhe nuk janë dorëzuar për mbikëqyrje ose mbrojtje, andaj është shumë e çuditshme se si i ka ardhur deri te të njëjtat dhe i prezanton para opinionit”, tha Kërstevska.
E pyetur nëse do të hetojnë se kush nga prokuroria ua ka dhënë këto dokumente, Kërstevska tha se nuk mund të komentojnë derisa të ndërmarrin aktivitete konkrete për person të caktuar.
“Nëse kemi prova, sigurisht se do të prononcohemi”, ka thënë Kërstevska.
I akuzuari i parë për vrasjen e dyfishtë të Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezovskit, Lupço Palevski Palço, në fillim të seancës së sotme, kërkoi përjashtimin e prokurores publike Zhaklina Kërstevska dhe të gjithë Prokurorisë Publike të Shkupit, në rastin për shkak të një hetimi të kryer në mënyrë jo të duhur.
Gjyqtari Ivica Stefanovski, gjykimin e shtyu për më 3 shkurt, duke theksuar se duhet t’i lërë hapësirë prokurorit publik republikan Lupço Kocevski duke u shprehur për pretendimet e kërkesës për përjashtim.
Lajme nga vendi
Mashtrim me telefon për aksident të rremë trafiku, një 79 vjeçare nga Tetova pagoi 16.000 euro dhe 10.700 franga zvicerane

Një banore e moshuar e Tetovës raportoi se ishte viktimë e një mashtrimi telefonik në lidhje me një aksident të pretenduar të vajzës së saj. Bëhet fjalë për një 79-vjeçare banore e Tetovës, e cila sipas raportit të policisë, ishte mashtruar me 16,000 euro dhe 10,700 franga zvicerane, njoftoi Ministria e Brendshme.
“Personi e kontaktoi atë me telefon, u prezantua si mjek dhe i tha se vajza e saj kishte shkaktuar aksident rrugor, në të cilin pësoi lëndime të rënda dhe se duhet të paguante për ndërhyrjen e nevojshme kirurgjikale. Siç raportohet, ajo ia hodhi paratë një personi nga ballkon, dhe më vonë zbuloi se ishte mashtruar”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.
Ministria e Brendshme thotë se po merren masa për të sqaruar rastin.
Lidhur me mashtrimet e shpeshta telefonike në lidhje me aksidentet e dyshuara rrugore, Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski tha se shënjestra janë qytetarët e moshuar. Ai paralajmëroi për kujdes më të madh dhe u bëri thirrje qytetarëve që t’i raportojnë këto raste në polici.
Lajme nga vendi
Aliu: Shëndetësia private do të duhet të hapë bazat e të dhënave të pacientëve

Institucionet private të kujdesit shëndetësor do të detyrohen të hapin bazat e të dhënave për të monitoruar rrugën shëndetësore të çdo qytetari, njoftoi dje Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu.
“Një komision tashmë po punon me ne, nëse ka pengesa ligjore që duhet të hiqen menjëherë, javën tjetër, dhe ne do t’u dërgojmë letër të gjitha institucioneve private të kujdesit shëndetësor nga data 15 e muajit të ardhshëm që të detyrohen të hapin bazat e të dhënave në mënyrë që të mund të mbledhim të gjithë informacionin ekzistues që ndodhet në institucionet e tyre. Kjo është e drejta e shtetit. Sepse çdo qytetar kontribuon drejtpërdrejt ose tërthorazi në sistemin e kujdesit shëndetësor në vend dhe në Fond, dhe për këtë arsye, ne duhet të jemi të azhurnuar me rrugën shëndetësore të çdo qytetari të republikës sonë”, tha Aliu.
Ministri i bëri këto njoftime në konferencën e djeshme për shtyp, pas deklaratës së javës së kaluar nga kirurgu kardiolog Sashko Kedev në një intervistë me Kanal 77, se në disa spitale private kryhen ndërhyrje të panevojshme për fitim, duke përfshirë stentime dhe operacione të panevojshme. Ai nuk përmendi asnjë spital me emër. Pas deklaratës, spitali privat “Acibadem Sistina” i kërkoi atij të specifikonte se për cilin institucion bëjnë fjalë këto pretendime, duke e paralajmëruar se nëse nuk e bën këtë, do të ngrejë padi për shpifje dhe dëmtim të reputacionit.
Aliu tha dje se po formohet një komision me ekspertë nga tre vende të ndryshme, por jo nga fqinjësia, për të kryer kontrolle në institucionet private shëndetësore, por do të vazhdojë edhe në institucionet publike shëndetësore që merren me të njëjtën çështje.
Aliu tha se menjëherë pas deklaratës së profesor Kedev, u krijua një komision i brendshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, e gjitha me qëllim që të analizohen të gjitha protokollet dhe pistat e mundshme që dolën nga ajo deklaratë.
“Dhe ne arritëm në përfundimin se si Ministri e Shëndetësisë, duhet të krijojmë një komision për mbikëqyrjen e ekspertëve që do të përbëhet nga ekspertë nga jashtë vendit. Kur themi ekspertë nga jashtë, doja që ai komision të jetë vërtet i pavarur dhe ai raport nga ai komision i pavarur të jetë udhërrëfyesi ynë për të ardhmen, nëse ka indikacione të tilla – ato konfirmohen, në mënyrë që të mund të hiqen. Nevojitet mbikëqyrje urgjente e jashtëzakonshme sepse duhet të kemi të dhëna për të parë nëse ato indikacione janë të sakta dhe nëse janë të sakta, çfarë të bëjmë më pas. Në mënyrë që të mos ketë dyshim, zero dyshim, ne do të kërkojmë ekspertë nga vende si Sllovenia dhe vende të tjera evropiane. Do të jetë një komision prej tre ekspertësh. Nuk duam të kemi ekspertë nga një vend, i duam ata nga tre vende të ndryshme”, tha Aliu.
Lajme nga vendi
Përpara fillimit të vitit shkollor, mjekët apelojnë tek prindërit të vaksinojnë fëmijët

Respektimi i vaksinimit të fëmijëve para nisjes së vitit shkollor është jetik për të shmangur shpërthime të rënda të virozëve apo sëmundjeve epidemike që mund të kërcënojnë shëndetin publik, shkruan Alsat.
Sipas institucioneve kompetente vaksinat janë të sigurta dhe janë arma më e fortë për mbrojtjen e imunitetit të fëmijëve.
Mjekët përveç vaksinimit, apelojnë që fëmijët në nisjen e vitit shkollor por edhe gjatë tërë vitit shkollor të jenë më të kujdesshëm në ushqyerjen e tyre dhe konsumimin e më shumë vitaminave të nevojshëm
“Një nxënës shkollor ose fëmijët që qëndrojnë në grupe normale është të kenë nga pesë deri në shtatë infeksione gjatë vitit dhe kështu ndërtohet sistemi imunologjik. Megjithatë apelet tona janë që ushqehen në mënyrë të shëndetshme, më shumë lëngje, konsumim të vitaminave më shumë dhe shmangien e sa më shumë që të jetë e mundur të hapësirave të mbyllura, apo të jenë më shumë në hapësira të hapura”, tha Elena Gjinovska Tasevska.
Mjekët theksojnë se çdo vonesë apo refuzim i vaksinimit mund të hapë rrugën për rikthimin e sëmundjeve të rrezikshme. Mosvaksinimi i fëmijëve mund të jetë shkak që viruset të shpërthejnë më lehtë dhe vështir të parandalueshme.
Shpesh ndodh që prindërit refuzojnë të vaksinojnë fëmijët e tyre, duke u ndikuar nga paragjykimet dhe dezinformatat që hasin në rrjetet online, të cilat shpesh përhapin frikë të pabazuar dhe keqkuptime për sigurinë dhe efektivitetin e vaksinave, duke e vendosur kështu shëndetin e fëmijëve të tyre dhe të komunitetit në rrezik.
Për të imponuar vaksinimin e fëmijëve, institucionet e kanë bërë të detyrueshëm vaksinimin e tyre si kusht nëse duan të regjistrohen nëpër çerdhe dhe shkolla. / Alsat.mk
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi3 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve