Lajme nga vendi
BDI: Kemi informuar BE-në, SHBA-të dhe Mbretërinë e Bashkuar për përjashtimin e shqiptarëve nga institucionet shtetërore
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në një kumtesë për media thotë se ka informuar zyrtarisht Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë për përjashtimin e shqiptarëve nga institucionet kyçe të shtetit në Maqedoninë e Veriut.
Nga BDI thonë se “zhvillimet e fundit tregojnë një prirje shqetësuese të kundërt, me përjashtim sistematik të shqiptarëve në shumë sektorë kyçë të qeverisjes dhe administratës publike”.
“Në fushën e kulturës, ndarja e fundit e fondeve shtetërore tregon një mospërfaqësim të dukshëm të shqiptarëve, ku projektet shqiptare kanë marrë më pak se 12% të buxhetit, ndonëse shqiptarët përbëjnë midis mbi 29% të popullsisë së vendit. Kjo ngre shqetësime serioze mbi qëndrueshmërinë e institucioneve kulturore shqiptare dhe mbështetjen e barabartë të barazisë kulturore në Maqedoninë e Veriut”.
“Në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë, situata paraqitet edhe më alarmante: Asnjë shqiptar në mesin e 10 drejtorëve të drejtorive në Ministrinë e Mbrojtjes; Asnjë shqiptar në mesin e 29 udhëheqësve të njësive brenda ministrisë; Vetëm 1 shqiptar mes 12 këshilltarëve kryesorë të ministrisë”.
“Këto të dhëna dëshmojnë një proces sistematik të përjashtimit të shqiptarëve nga rolet vendimmarrëse në institucionet shtetërore, i cili vë në pikëpyetje përkushtimin e qeverisë ndaj qeverisjes gjithëpërfshirëse dhe respektimit të Marrëveshjes së Ohrit. Me këtë po rrezikohet struktura multietnike e shtetit. Kjo prirje e organizuar e marginalizimit nuk është një fenomen i izoluar, por një zhvillim sistematik që kërcënon barazinë institucionale dhe procesin e integrimit euroatlantik të vendit”.
“Maqedonia e Veriut ka përfituar ndihmë të madhe nga partnerët ndërkombëtarë për të ndërtuar institucione të barabarta dhe gjithëpërfshirëse, por këto parime po sfidohen drejtpërdrejt përmes këtyre vendimeve të fundit. BDI u bën thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, të cilët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në ndërtimin e institucioneve gjithëpërfshirëse në Maqedoninë e Veriut, që të trajtojnë këto shqetësime përpara se të bëhen strukturore dhe të vështira për t’u rikthyer. Sigurimi i përfaqësimit të drejtë dhe shmangia e margjinalizimit institucional janë thelbësore për rrugëtimin e Maqedonisë së Veriut drejt një të ardhme të qëndrueshme, demokratike dhe evropiane”, thonë nga BDI.
Lajme nga vendi
VOLEJBOLL: VETERANËT E SHKËNDIJËS REGJISTRUAN FITOREN E KATËRT
Legjendat e Shkëndijës edhe në xhiron e katërt të kampionatit e Ligës së Veteranëve të Maqedonisë së Veriut kanë regjistruar fitore të sigurt 2 -0 në sete kësaj radhë kundër 11 Oktomvrit .
Për kuqezinjtë tetovar ishte kjo fitorja e katërt me radhë dhe janë duke udhëhequr tabelën me pikë maksimale së bashku me Borecin e Velesit.
Kapiteni Durim Luma gjatë një prononcimi për TV Koha shpreson që të vazhdojë kjo ecuri pozitive.
“Turneu i katërt në kampionatin e veteranëve të Maqedonisë së Veriut u zhvillua në Shkup, ndërsa ne për kundërshtarë kishin ekipin e Prilepit të cilën e fituam bindshëm 2-0 në sete 25-13 dhe 25-19, ku të gjithë lojtarët kishin rastin që të angazhohen në këtë ndeshje në mungesë të lojtarit tonë kryesor Habil Ajeti zhvilluam ndeshje shumë të mirë. Me aktivizimin e Naim Abazit i cili ishte figurë qendrore dhe kryesore e ndeshjes ne fituam bindshëm këtë ndeshje në këtë turne’’ deklaroi kapiteni Durim Luma
Në dy ndeshjet tjera të xhiros së katërt janë regjistruar këto rezultate Gjevgjelia – Skopje 0-2 dhe Strumica – Boreci 0-2.
Pas katër xhirove të zhvilluar tabelën e kryesojnë Shkëndija dhe Boreci me nga katër fitore maksimale.
Kampionati vazhdon më 4 tetor me ndeshjet e xhiros së pestë që organizohet në Tetovë, ku takohen Shkëndija – Boreci, 11 Oktomvri – Skopje dhe Strumica – Tetova.
Shaban Sinani – TV Koha
Lajme nga vendi
Temperatura sot do të ngjitet deri në 34 gradë celsiuz
Moti sot do të jetë me diell dhe i ngrohtë, me vranësira të ulëta deri mesatare lokale. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare, në pjesët perëndimore nga perëndimi, i cili do të forcohet kohë pas kohe në disa vende, ndërsa përgjatë Vardarit dhe në pjesët lindore do të fryjë nga drejtimi juglindor. Temperatura minimale do të jetë nga 7 deri në 16 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 27 deri në 34 gradë Celsius.
Në Shkup moti do të jetë me diell dhe i ngrohtë, me vranësira të ulëta. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare, kryesisht nga drejtimi juglindor. Temperatura minimale do të ulet deri në 13 gradë, ndërsa temperatura maksimale do të arrijë deri në 34 gradë Celsius.
Gjatë kësaj jave do të mbizotërojë mot i ngrohtë. Të martën do të ketë zhvillim lokal të vranësirave të paqëndrueshme, ndërsa të mërkurën në shumë vende pritet mot i paqëndrueshëm me shi të rrëmbyeshëm, bubullima dhe erë të përforcuar. Nga e enjtja do të mbizotërojë mot me diell, me vranësira të ndryshueshme gjatë ditës.
Lajme nga vendi
‘Fitonin’ 34 mijë euro me mallverzimeve gjatë shit-blerjes së veturave të konfiskuara
Drejtoria e Policisë Financiare ngriti kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup kundër personave N.I., B.G. në cilësinë e tyre si drejtues të personave juridikë, kundër dy personave juridikë, si dhe kundër pesë personave të punësuar në Agjencinë për Menaxhimin e Pasurisë së Sekuestruar F.A., G.A., P.K., F.J. dhe A.B., për shkak të ekzistencës së bazave të dyshimit për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i procedurës për thirrjes publike, dhënie të kontratës së prokurimit publik ose partneritetit publik-privat” sipas nenit 275-c të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Të denoncuarit N.I. dhe B.G., si drejtues të dy personave juridikë, gjatë vitit 2021 me vetëdije dhe me qëllim të paracaktuar kanë shkelur rregulloret e procedurës për thirrje publike dhe dhënie të kontratës së prokurimit publik, me marrëveshje paraprake dhe veprime të koordinuara kanë shkelur konkurrencën në procedurën për shitjen e automjeteve të shkatërruara – skrap metali, të organizuar nga Agjencia për Menaxhimin e Pasurisë së Sekuestruar. Një person juridik u paraqit si konkurrent formal, dhe gjatë ankandit publik u paraqit një ofertë me një gabim teknik të qëllimshëm në një shumë monetare joreale, e cila i pengoi pjesëmarrësit e tjerë të vazhdonin më tej me ofertat.
Të pandehurit G.A., P.K. dhe F.J., si anëtarë të komisionit për zbatimin e procedurës, në kundërshtim me dispozitat ligjore të parashikuara në Ligjin për Menaxhimin e Pronës së Konfiskuar, Përfitimit Pasuror dhe Objekteve të Sekuestruara në Procedurën Penale dhe Kundërvajtje, dhe bazuar në një akt nënligjor dhe mendim ligjor të përgatitur nga A.B., me vetëdije ndihmuan në zbatimin e kësaj skeme të dakorduar dhe mundësuan lidhjen e një marrëveshjeje për shitjen e automjeteve të sekuestruara të shkatërruara si skrap metali midis Agjencisë për Menaxhimin e Pronës së Sekuestruar, të përfaqësuar nga F.A., dhe personit juridik të menaxhuar nga N.I., gjë që i mundësoi personit juridik të fitonte përfitim pasuror të paligjshëm në shumën prej 2.128.352 denarë.

