Lajme nga vendi
Një rast i konfirmuar, tre tjera të dyshuara të zgjebes në një shkollë në fshatin Rramanli të Kumanovës
Një rast i konfirmuar i zgjebes, ndërsa tre të tjerë janë të dyshuar dhe janë në izolim në shkollën fillore “Kirili dhe Metodi” në fshatin Rramanli të Kumanovës, kumtuan sot kompetentët e shkollës.
Sot, në terren ishin të pranishëm edhe ekipet e Qendrës për Shëndet Publik të cilët kanë kryer mbikëqyrje. Familja e njëri nxënës ka dorëzuar vërtetim nga mjeku në shkollë. Në izolim është edhe motra e nxënësit të klasës së parë. Dy rastet tjera janë të dyshuara, drejtori gojarisht është informuar dhe të dy nxënësit janë në izolim. Shkolla ka ndërmarrë disa masa ndër të cilat edhe dezinfektimin.
“Kemi vetëm konfirmim për një rast, ndërsa për nxënësit e tjerë kemi informacion gojor. Ata fëmijë qëndrojnë në shtëpi. Njëra është motra e nxënësit për të cilin kemi vërtetim. Nxënësi i izoluar nuk ka ardhur që nga e premtja dhe së bashku me familjen ndodhen në izolim deri më 22 shkurt. Njëra nxënëse (klasa e tretë) është motra e atij nxënësi (klasa e parë) me vërtetim ai është i izoluar, e gjithë familja është në izolim. Për pjesën tjetër dimë vetëm gojarisht se ka diçka, por nuk kemi konfirmim zyrtar”, tha drejtori i shkollës “Kirili and Metodi”, Skender Rushiti.
Gjatë fundjavës të gjitha hapësirat dhe klasat e shkollës janë dezinfektuar. Sot Shërbimi Epidemiologjik dorëzoi edhe mjete shtesë për dezinfektim. Nga Qendra për Shëndet Publik njoftuan më shumë detaje pas përfundimit të mbikëqyrjes.
Zgjebja është sëmundje ngjitëse e cila përhapet shpejtë, fëmijët shpesh herë sëmuren përmes kontakteve të afërta, ndërsa më së shpeshti sëmundja përhapet në të gjithë familjen.
Lajme nga vendi
MPB, të hënën në mëngjes grevë e doganierëve grekë në pikat kufitare
Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët se, sipas informacioneve të pranuara nga organet kompetente të Republikës së Greqisë, më 27.07.2026 (e hënë) është paralajmëruar grevë e punonjësve të doganave në pikat kufitare greke Evzoni (Bogorodicë), Dojrani (Dojran) dhe Niki (Mexhitli).
“Gjatë periudhës nga ora 05:00 deri në 09:00 sipas kohës së Maqedonisë (06:00–10:00 sipas kohës së Greqisë), në këto pika kufitare, automjetet e udhëtarëve do të lejohen të kalojnë çdo 10 minuta, ndërsa qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave do të jetë plotësisht i ndërprerë, si për hyrje ashtu edhe për dalje nga Republika e Greqisë”.
“Ministria e Punëve të Brendshme do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe do të angazhojë të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike për menaxhimin e situatës”, – thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
Ulet numri i rasteve të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Gostivar
Sipas të dhënave nga institucionet publike shëndetësore në Gostivar, gjatë ditës së djeshme (23.07.2026) janë regjistruar gjithsej 197 pacientë të rinj, përkatësisht persona që për herë të parë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, çka tregon një ulje krahasuar me një ditë më parë.
Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar janë regjistruar gjithsej 117 vizita të reja, prej të cilave 82 në repartin e sëmundjeve infektive (pa shtrime të reja në spital dhe me tre pacientë të liruar), 40 në repartin e pediatrisë dhe 7 vizita në Qendrën e Urgjencës.
Në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë regjistruar 80 vizita të reja në shërbimin kujdestar, si dhe 13 thirrje në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë.
Lajme nga vendi
Hetime për kredinë hungareze 1 miliardë € që mori Maqedonia e Veriut, urdhëron Magyar
Qeveria në Hungari, e udhëhequr nga Péter Magyar, do të hetojë nëse ka pasur keqpërdorim të mundshëm të fondeve shtetërore në lidhje me kredinë prej një miliard eurosh që “Eximbanka” shtetërore ia dha Maqedonisë së Veriut.
Kështu njoftoi dje Magyar, i cili, siç raportuan mediat vendase, ndau se kredia e marrë nga Maqedonia e Veriut është një nga katër rastet e lidhura me “Eximbank”-un, për të cilat sot Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës ka dorëzuar ankesa, shkruan Fokus.
„Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dorëzoi katër ankesa të enjten për mashtrim të dyshuar në vlerë totale prej një mijë miliardë forintash, në katër raste të ndryshme. Të gjitha kanë të bëjnë me aktivitetet e ‘Eximbank’-ut“ – tha Magyar.
Ai theksoi se kredia u dha në kushte shumë të favorshme me një normë interesi prej 3,25 për qind.
Kredia, tha ai, do t’i kushtojë buxhetit hungarez 90 miliardë forinta (rreth 248 milionë euro) për shkak të diferencave të interesit.
„Kjo paraqet një barrë prej 90 miliardë forintash (rreth 248 milionë euro) për buxhetin hungarez, ndërsa shteti hungarez mori përsipër garanci 100 për qind për kredinë nën udhëheqjen e qeverisë së Orbanit“, tha Magyar.
Sipas tij, norma e interesit me të cilën “Eximbanka” shtetërore i dha kredinë Maqedonisë është shumë më e favorshme se normat e interesit me të cilat kompanitë hungareze dhe qytetarët e vendit marrin hua.(INA)

