Lajme nga vendi
Hyri në fuqi kufizimi i marzhës, qytetarët presin ulje reale të çmimeve
Hyri në fuqi kufizimi i marazhës për rreth një mijë produkte ushqimore dhe higjienike. Qytetarët presin ulje reale të çmime pasi siç thonë me shtrenjtimet marramendëse nuk mund t’i sigurojnë as produktet bazë. Masa e qeverisë vlen deri më 30 prill.
“Çfarë keni blerë a mund të shohim? Sa u kanë kushtuar? Ja, 600 denarë, ja një bukë, një të zezë, detergjent, dy argeta, ja. Dhe sa u kushtuan këto? 600 denarë dhe s’kemi marrë asgjë hiç”, u shpreh një qytetar.
Këto ishin produktet të cilat ky çift që jeton nga ndihma sociale ka mundur të blejë sot në market për 600 denarë. Shkaku i çmimeve të larta, thonë se është shumë e vështirë që të sigurohen produktet bazë për një muaj me ndihmën sociale që marrin.
“Jetoni me ndihmë sociale? Po, me ndihmë. Nga sa merrni në muaj? Marrim nga 10 mijë denarë në muaj. Dhe a ia dilni më këto të ardhura? Jo, nuk mund t’ia dalim në fund të muajit. Është shumë e vështirë. Çmimet janë të larta, një kafe para një muaji ishte 250 denarë ndërsa tani është rreth 400 denarë. Çmimet nuk kishin lëvizur aspak, siç ishin ashtu janë”, tha një tjetër qytetar.
E përderisa ky çift vazhdoi rrugën për në pazar, që të kërkojnë çmimet më të lira të fruta perimeve që u kishin mbetur pa i blerë, për çmimet e larta u ankuan edhe disa qytetarë tjerë.
“Çdo gjë është e shtrenjtë, çdo gjë ka dalë jashtë kontrollit, kushtet janë katastrofë. Me pensionin nuk mund t’ia dalim jo, vetëm ndonjë ndihmë nga njerëzit se përndryshe nuk mund të jetohet me këto çmime pasi jemi si në Evropë, çmimet janë katastrofë”, tha një qytetar.
“Ku ka lirë? Më dërgoni diku ku ka lirë. Nuk ka market të lirë? Jo, nuk ka askund. A është e vështirë të jetohet me të ardhurat që merr? Po, e vështirë për mua, jetoj me pension dhe sa bukë e kripë të hamë, aq, më shumë s’ka. Pensioni i ulët, 200 euro dhe çfarë të bëjmë me aq”, theksoi një tjetër qytetar.
Nga sot e deri më 30 prill, çmimet e mbi 1000 produkte ushqimore dhe jo ushqimorë pritet të ulen pas vendimit të Qeverisë për kufizimin e marzhës dhe ngrirjen e çmimeve të disa produkteve. Etiketën “Më pak kosto, më shumë për ju” duhet të mbajnë produkte si, buka, mielli, qumështi, kosi, vezët, vaji i gatimit edhe disa produkte të tjera. Për mishin dhe produktet e mishit, sheqerin, orizin, fasulet, makaronat, djathin, margarinën, gjalpin, kafen, lëngjet, perimet dhe frutat e konservuara, si dhe për disa pije alkoolike është vendosur marzhë 10%, ndërsa 15% marzhë do të llogaritet për disa fruta dhe perime të freskëta dhe për produktet e higjienës personale dhe ushqimeve për fëmijë. Edhe përtej kësaj marzhë të caktuar nga Qeveria, qytetarët thonë se nuk mund të përballojnë çmimet me ato pak të ardhurat që marrin. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Nëna dhe 2 fëmijë dolën nga rruga, lëndohen rëndë
Një nënë dhe dy fëmijë u lënduan këtë fundjavë në një aksident me katër rrota në një fshat të Tetovës.
Më 01.08.2026 në orën 13:25, në SVR Tetovë nga Ndihma e Shpejtë Mjekësore e Tetovës u raportua se një katërrrota kishte dalë nga rruga në territorin e fshatit Bozovcë. Oficerët e policisë nga SVR Tetovë shkuan në vendin e ngjarjes dhe konstatuan se M.A. (43 vjeç) nga fshati Shipkovicë, me qëndrim në Gjermani, duke drejtuar një katërrrota, në të cilën si pasagjerë ishin dy fëmijët e saj të mitur, kishte dalë nga rruga. Personat u transportuan në Spitalin Klinik të Tetovës, ku u konstatuan lëndime trupore, informoi MVR.
Prokurori publik nga PTHP Tetovë është njoftuar.
Lajme nga vendi
Gjendja epidemiologjike në Gostivar stabile
Situata epidemiologjike në Gostivar mbetet stabile, vlerësojnë nga Ministria e Shëndetësisë, edhe pse numri i kontrolleve të para shënoi rritje krahasuar me ditën paraprake. Ndërkaq, nga MSh-ja njoftojnë se në të gjithë territorin e vendit nuk janë regjistruar raste të reja të konfirmuara laboratorikisht me ethet e Nilit Perëndimor.
“Situata në Gostivar mbetet stabile – nuk ka raste të reja të konfirmuara laboratorikisht me ethet e Nilit Perëndimor. Gjatë 2 gushtit janë regjistruar gjithsej 84 kontrolle të para, që është për 27 më shumë krahasuar me ditën paraprake, kur ishin evidentuar 57 kontrolle. Pavarësisht rritjes ditore, numri i kontrolleve mbetet dukshëm më i ulët krahasuar me kulmin e 18 korrikut, kur u regjistruan gjithsej 649 kontrolle. Sa u përket etheve të Nilit Perëndimor, në Institutin e Shëndetit Publik nuk kanë arritur raste të reja të konfirmuara laboratorikisht. Mostrat e fundit nga rastet e dyshuara kanë rezultuar negative në testimin PCR. Gjithashtu, në Klinikën e Sëmundjeve Infektive nuk ka pacientë të rinj të pranuar me dyshime për ethet e Nilit Perëndimor. Ministria e Shëndetësisë, në koordinim me institucionet kompetente, vazhdon ta monitorojë me kujdes situatën dhe do ta informojë me kohë opinionin për të gjitha të dhënat e reja relevante”, thonë nga MSH.
Lajme nga vendi
Gjatë 24 orët e fundit janë regjistruar 30 zjarre në hapësirë të hapur
Qendra për Menaxhimin e Kriseve (QMK) njofton se gjatë 24 orëve të fundit, deri në orën 08:00 të datës 3 gusht 2026, në të gjithë vendin janë regjistruar gjithsej 30 zjarre në hapësirë të hapur.
Sipas informacioneve të fundit, momentalisht nuk ka zjarre aktive. Nga numri total, një zjarr është vënë nën kontroll, ndërsa 29 të tjerë janë shuar plotësisht.
Nën kontroll mbetet zjarri në territorin e komunës së Brodit Maqedonas, midis fshatrave Sllatinë dhe Greshnicë, ku digjej pyll i degraduar me drurë të ulët dhe vegjetacion i ulët.
QMK informon se shërbimet kompetente vazhdojnë të ndjekin situatën në terren dhe mbeten të gatshme për ndërhyrje të shpejtë në rast se shfaqen zjarre të reja.

