Lajme nga vendi
Kasami në Samitin B40 në Sofje: Angazhim për zhvillim ekonomik dhe kulturor rajonal
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, mori pjesë në Samitin prestigjioz të kryebashkiakëve B40 i mbajtur në Sofje, ku përfaqësoi Tetovën dhe ndau vizionin e tij për zhvillimin ekonomik dhe kulturor lokal.
Gjatë fjalimit të tij, Kasami theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik dhe kulturor lokal si një alternativë e qëndrueshme për zhvillimin afatgjatë të rajonit.
“Bashkëpunimi Ekonomik dhe Kulturor Lokal është një koncept që përfshin angazhimin e komuniteteve lokale, bizneseve, institucioneve dhe organizatave në zhvillimin e përbashkët të aktiviteteve që ndihmojnë në forcimin e lidhjeve ekonomike, turistike dhe kulturore ndërmjet grupeve të ndryshme në një rajon ose qytet,” theksoi Kasami gjatë fjalimit të tij.
Ai vuri në dukje ndryshimet pozitive që po ndodhin në Tetovë, veçanërisht në fushën e ekonomisë dhe turizmit, ku investimet në gastro-turizëm, kulturë dhe tregti lokale po sjellin transformime të dukshme.
Kasami theksoi rolin kyç të lidhjeve kulturore në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit dhe shprehu gatishmërinë e Komunës për organizimin e festivaleve me karakter multikulturor dhe multinacional.
Gjithashtu, Kasami përmendi përmirësimet në infrastrukturë, si ndërtimi i rrugëve, bujtinave dhe shtigjeve të ecjes, të cilat kanë ndikuar pozitivisht në rritjen e numrit të turistëve që vizitojnë Tetovën për të shijuar natyrën dhe traditat lokale.
Në lidhje me tregtinë rajonale, ai theksoi rëndësinë e lehtësimit të procedurave tregtare dhe administrative, duke siguruar që Tetova do të vendosë të gjitha kapacitetet e saj administrative në dispozicion për të mbështetur bizneset lokale dhe për të përforcuar shkëmbimet tregtare dhe turistike.
“Tetova është e gatshme të vë në dispozicion të gjitha kapacitete administrative për të inkurajuar bizneset lokale që të përforcojnë shkëmbimin tregtar dhe turistik. Në këtë drejtim bizneset, autoritetet lokale dhe organizatat joqeveritare mund të bashkëpunojnë për të zhvilluar projekte që mbështesin rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe ruajtjen e vlerave kulturore. Me investimet në infrastrukturë që lehtësojnë shkëmbimin ekonomik dhe kulturor, si krijimi i qendrave kulturore, hapësirave për tregti dhe aktivitete turistike, si dhe përmirësimi i transportit dhe komunikimit Tetova ka krijuar hapësirë të mjaftueshme për të gjitha palët,” deklaroi Kasami.
Në përfundim, Kasami apeloi për intensifikimin e fushatave promovuese rajonale dhe përdorimin efektiv të marketingut për të tërhequr më shumë turistë dhe për të promovuar pasuritë natyrore dhe kulturore të qyteteve tona.
Komuna e Tetovës mbetet e përkushtuar për të forcuar lidhjet rajonale dhe për të kontribuar në një zhvillim të qëndrueshëm dhe harmonik ekonomik dhe kulturor.
Lajme nga vendi
Kasami inspekton asfaltimin e rrugës drejt Sellcës: Çdo premtim po e kthejmë në realitet
“Po punojmë me përkushtim që çdo projekt të realizohet me cilësi dhe në afat, në shërbim të qytetarëve. Çdo premtim e kthejmë në realitet. Çdo vendbanim është i rëndësishëm për ne”, ka shkruar Kasami në një postim publik.
Asfaltimi i kësaj rruge pritet të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin dhe lidhjen e zonës me Tetovën, duke lehtësuar lëvizjen e banorëve dhe zhvillimin lokal. Komuna e Tetovës ka paralajmëruar vazhdimin e investimeve infrastrukturore edhe në vendbanime të tjera rurale./zyrtare.net/
Lajme nga vendi
48 orë paraburgim për dy persona nga Maqedonia: Dyshohen për lidhje me 5 tonë marihuanë të sekuestruar në Serbi
Me kërkesë të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Penale të Shkupit u ka caktuar masën e paraburgimit afatshkurtër prej 48 orësh dy personave të dyshuar. Pas analizës së provave të grumbulluara, autoritetet kanë ngritur dyshime se këta individë kanë ndërmarrë aktivitete konkrete lidhur me sasinë prej 5 tonë marihuanë që u sekuestrua së fundmi në Republikën e Serbisë.
Masa e paraburgimit është vendosur me qëllim që t’i mundësohet prokurorisë kohë e mjaftueshme për të ndërmarrë veprimet e domosdoshme procesuale dhe për të siguruar praninë e të dyshuarve. Prokuroria sqaron se kjo masë është e justifikuar për shkak të kompleksitetit të rastit dhe karakterit të tij ndërkombëtar, ku afatet kohore për veprim janë shpesh të kufizuara. Institucionet po vijojnë me intensitet punën për zbardhjen e plotë të lëndës dhe kanë paralajmëruar se publiku do të informohet në kohë për rrjedhën e mëtejshme të procedurës.
Lajme nga vendi
PROTESTA E PESTË NË TETOVË KUNDËR TATIMEVE RETROAKTIVE
Protesta e pestë me rradhë. Qytetarët sot protestuan përsëri para Drejtorisë së të Ardhurave Publike në Tetovë për tatimet të cilat u kërkohen të paguhen gjatë kohës që ata kanë punuar jashtë vendit, ata thonë se kjo është e jashtëligjshme. Qytetarët të cilët kanë punuar kryesisht në Irak dhe Afganistan theksojnë se nuk janë kundër tatimeve, por kundërshtojnë ngarkesën e padrejtë dhe retroaktive.
Semi Beqiri – Protestues
Protestuesit kërkojnë që të anulohen të gjitha vendimet e marra me efekt retroaktiv. Besir Abdullahi thotë se protestat janë apolitike dhe kanë për qëllim mbrojtjen e qytetarëve, megjithatë u bën thirrje kryetarëve të partive që t’i mbështesin në këtë mision.
Semi Beqiri – Protestues
Qytetarët paralajmëruan se do të vazhdojnë me protestën derisa të dëgjohet zëri i tyre, ndërsa thonë se protestat do të dislokohen edhe në Shkup nëse nuk gjindet zgjidhje. Ata thonë se tash më janë në kontakt të vazhdueshëm edhe me partitë opozitare dhe se çështja e tyre do të adresohet edhe në parlament së shpejti.
Semi Beqiri – Protestues
Më 13 dhjetor 2025, qytetarët u befasuan nga vendimi i Drejtorisë së të Ardhurave Publike për mbledhjen e taksës mbi të ardhurat e padeklaruara nga jashtë Maqedonisë. Disa prej tyre thanë se nuk janë të informuar mjaftueshëm për detyrimin e deklarimit të rregullt të këtyre të ardhura, ndërsa të tjerë kishin theksuar se njoftimet nga DAP-i u kishin ardhur me vonesë, për të ardhura të realizuara vite më parë.

