Lajme nga vendi
Dogana në Bogorodicë sekuestron 18 kilogram argjend dhe 1.852 veshmbathje, këpucë dhe lodra
Doganierët në hyrje në vend në vendkalimin kufitar Bogorodicë kanë parandaluar tentim për kontrabandë të afërsisht 18 kilogramë bizhuteri argjendi dhe 180 parfume nga 100 ml në vlerë të përgjithshme prej 1,18 milionë denarë.
“Ndaj një personi, shtetas i Kosovës, është ngritur dhe shqiptuar aktgjykim nga gjykata kompetente. Bizhuteritë prej argjendi dhe parfumi u zbuluan gjatë kontrollit në makinën me të cilën udhëtonte autori me bashkëshorten. Gjatë kontrollit, në hapësirën e gomave rezervë u gjetën 180 parfume për meshkuj dhe femra, ndërsa në hapësirën e magazinimit prapa sediljes së pasme dhe në pjesën e djathtë të gomës së pasme dhe në pjesën e djathtë të gomës rezervë, u gjetën gjithsej 26 pako me rreth 18 kilogramë bizhuteri argjendi (bylizikë, vathë, zinxhirë, varëse dhe unaza)”, bëjnë të ditur nga Drejtoria e doganës.
Nga Drejtoria doganore thonë se një ekip mobil sekuestroi 770 tuta me firmë OYSHO për shkak të dyshimit për shkelje të të drejtave të pronësisë intelektuale. Rasti është zbuluar në njësinë doganore Shkup 4 gjatë kontrollit të mallit për doganim importues.
“Një ekip mobil sekuestroi 93 komplete vetura për fëmijë Mercedes, në vlerë prej 301,7 mijë denarë, për shkak të dyshimit të arsyeshëm për shkelje të të drejtave të pronësisë intelektuale. Rasti është zbuluar gjatë kontrollit të mallit të deklaruar për doganim importues në njësinë doganore Tetovë”, thuhet në kumtesë.
Në një rast tjetër, ekipi mobil ka konfiskuar 120 copë lodra me logo të markave të mbrojtura, të cilat janë zbuluar gjatë kontrollit të mallit për doganim importues në njësinë doganore Shkup 3. Doganierët dhe ekipi mobil në vendkalimin kufitar Dojran dhe vendkalimin kufitar Bogorodicë kanë parandaluar kontrabandën e afro 300 veshjeve në tre raste.
“Gjatë kontrollit të dy kamionëve me targa regjistrimi të Maqedonisë së Veriut, të deklaruar për hyrje në vend në vendkalimin kufitar Mexhitli, janë gjetur 27 kuti cigare pa pulla akcize. Cigaret u gjetën në kabina, në një zgavër fabrike pas sediljes së shoferit, si dhe nën strukturën e krevatit”, thuhet në kumtesë.
Në kamion me targa norvegjeze, i drejtuar nga shtetas i Maqedonisë së Veriut, në vendkalimin kufitar Novo Sellë, janë gjetur bandazhë alumini dhe fenerë për kamion.
Një shtetas i Maqedonisë së Veriut ka tentuar të kontrabandojë tetë pjesë kamioni që janë gjetur në bagazhin e veturës me targa të Maqedonisë së Veriut me të cilën shtetasi maqedonas ka aplikuar për hyrje në vend në vendkalimin kufitar Tabanovc -autostradë.
Tri makina dhe dy tavolina për industrinë e furrës janë gjetur në kabinën e ngarkesave të furgonit me të cilin një shtetas i Maqedonisë së Veriut ka aplikuar për hyrje në vend në vendkalimin kufitar Novo Sellë.
“Janë sekuestruar 43 tavolina pasi ekipi mobil doganor gjatë kontrollit të mallit të deklaruar për zhdoganim në njësinë doganore Bllacë ka konstatuar se nuk janë të mbuluara me dokumente doganore. Në një rast tjetër, ekipi mobil, gjatë kontrollit të mallrave të deklaruara për zhdoganim importi, ka zbuluar 13 copë pajisje kuzhine të përdorura, të cilat nuk ishin të paraqitura në deklaratat doganore”, thuhet në kumtesë.
Lajme nga vendi
FILIPÇE: INSPEKTIME NË TË GJITHA SISTEMET E UJËSJELLËSIT NË VEND
Rasti në Gostivar nuk është i izoluar, por bëhet fjalë për dobësi sistematike dhe joefikasitet institucional, deklaroi kryetari i LSDM-së, Venco Filipçe.
Në konferencën e sotme për media ai tha se ka informacione se edhe në vende të tjera të vendit ka probleme me cilësinë e ujit, ndërsa institucionet nuk po reagojnë.
Duke iu referuar një raporti të siguruar nga informatorë, Filipçe deklaroi se uji në Spitalin e Specializuar për Sëmundje të Mushkërive dhe Tuberkuloz në Leshkë ka rezultuar i ndotur.
“Askush nuk ka reaguar. Bëhet fjalë për dokumente zyrtare të Qendrës për Shëndet Publik në Tetovë. Mostra e marrë nga çezma e spitalit në Leshok, ku trajtohen pacientët, ka treguar 51 baktere koliforme në 100 mililitra ujë. Në raport thuhet se uji nuk i plotëson standardet e cilësisë për ujë të pijshëm. A e dinë këta njerëz se çfarë po bëjnë? Çfarë lloj menaxhimi i institucioneve është ky? A është qëllimi të rrezikohet shëndeti i të gjithë qytetarëve në vend?”
Lideri socialdemokrat bëri thirrje që analizat dhe kontrollet të kryhen menjëherë, ndërsa kërkoi dorëheqje dhe përgjegjësi penale për drejtuesit e Ministrisë së Shëndetësisë, Institutit të Shëndetit Publik, Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, si dhe të Prokurorisë, duke i akuzuar se kanë vënë në rrezik shëndetin e qytetarëve.
Lajme nga vendi
Pas zënkës me gruan, merr fëmijën 10-muajsh pa leje dhe largohet për në Zvicër
Dje në orën 08:10 në DPB Gostivar, një 21-vjeçare nga një fshat i Gostivarit ka denoncuar se, pas një mosmarrëveshjeje paraprake në shtëpinë familjare, bashkëshorti i saj kundërligjshëm dhe pa pëlqimin e saj ka marrë fëmijën e tyre 10-muajsh për në Zvicër. Për rastin janë njoftuar shërbimet kompetente dhe Qendra për Punë Sociale në Gostivar për zbardhjen e plotë të rastit.
Lajme nga vendi
16-vjeçari pa leje drejtimi me veturë përfshihet në aksident,i konfiskohet automjeti
Dje rreth orës 14:00 në një hapësirë parkingu në rrugën “Bllagoja Toska” në Tetovë, zyrtarë policorë kanë privuar nga liria një të mitur 16-vjeçar nga fshati Poroj. Paraprakisht, ai pa leje drejtimi ka drejtuar automjetin e udhëtarëve “Smart” me targa të Tetovës dhe me automjetin ka qenë i përfshirë në një aksident komunikacioni. Automjeti është konfiskuar dhe ndaluar në stacionin policor, ndërsa biseda zyrtare me të është kryer në prani të inspektorit për delikuencë të të miturve dhe kujdestarit të tij. Pas dokumentimit të rastit, ndaj personit do të dorëzohet kallëzimi përkatës.

