Lajme nga vendi
LSDM paralajmëroi kallëzim për Imërlije Saliun, kabineti i Gashit: Deputetja ka vepruar sipas Rregullores
Grupi parlamentar i LSDM-së ka paralajmëruar kallëzim penal kundër deputetes Imerlije Saliu Fetai nga koalicioni VLEN, e cila gjatë kryesimit të seancës së komisionit parlamentar për politikë sociale, demografi dhe rini, nuk pranoi kërkesën e LSDM-së për plotësim të rendit të ditës, përkatësisht për propozimin që rendi i ditës të plotësohet me propozim ligjin për branitellat. Deputeti Oliver Spasovski deklaroi për mediat pas përfundimit të seancës se, Fetai, me këtë ka bërë shkelje të ashpër të rregullores së Kuvendit.
Më konkretisht, ai tha se, Fetai ka shkelur nenin 131 me çka ka shkelur Rregulloren, me atë që nuk ka lejuar të hapet debat për propozim rendin e ditës dhe nuk ka lejuar mundësinë për ndryshim dhe plotësim të rendit, me sqarimin se, kryeparlamentari Afrim Gashi, ka caktuar rendin e ditës dhe nuk ka nevojë të konstatohet rend dite nga ana e anëtarëve të komisionit.
“Ne paralajmërojmë se, do të marrim masa konkrete ligjore, gjegjësisht do të dorëzojmë kallëzim penal kundër kryesueses së Komisionit, Imerlije Fetai-Saliu, për shkelje të rëndë të Rregullores së Punës dhe shkelje të rëndë të të drejtave të deputetëve. Njëkohësisht do të paraqesim iniciativë edhe në Gjykatën Kushtetuese me të cilën do të kërkojmë që të konstatohet shkelja e të drejtës së deputetëve të cilëve sipas Rregullores u është pamundësuar të vendosin dhe propozojnë ndryshime dhe plotësime të rendit të ditës. Në nenin 131 të Rregullores së punës thuhet se “rendi i ditës së seancës së trupit punues përcaktohet në fillim të seancës”, deklaroi Spasovski.
Por, nga kabineti i kryeparlamentarit kanë reaguar duke thënë se, të gjitha procedurat janë ndjekur rreptësisht në përputhje të plotë me Rregulloren e Kuvendit.
“Imerlije Saliu Fetai nuk është kryetare e Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini. Ajo ka kryesuar një pikë të caktuar të rendit të ditës së Komisionit, me autorizim nga kryetari i Kuvendit, në përputhje të plotë me nenin 126, paragrafi 3 i Rregullores së Kuvendit. Roli i saj në këtë seancë ishte thjesht procedural dhe i kufizuar vetëm në këtë pikë specifike të rendit të ditës”, thuhet në kumtesën e Kabinetit të kryetarit të Kuvendit.
Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, më 14 mars mbajti seancën e pare pas disa muajve që ishte i bllokur dhe në rend dite të së cilës kishte vetëm një pikë – Propozim ndryshimet e Ligjit për Sigurim Pensional dhe Invaliudor, me procedurë të shkurtër.
Deputetët e LSDM-së opozitare kërkuan plotësimin e rendit të ditës me Ligjin për të Drejtat e branitellave, por kryesuesja e Komisionit, deputetja Imrlije Saliu-Fetai, theksoi se është caktuar për ta udhëhequr këtë seancë të Komisionit me vetëm një pikë të rendit të ditës.
Ndryshe, Ligji për “branitellat” është një ligj i cili ka krijuar debate ndërmjet përfaqësuesve shqiptar dhe maqedonas në Qeverinë dhe Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, pasi të drejtat që i takojnë “branitellave” nuk i takojnë edhe veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
Me këtë ligj përfshihen forcat e sigurisë nga viti 1991 deri në vitin 2024, ashtu që vlera e ndihmës pritet të jetë nga 1.2 milionë denarë për personat me 20 % invaliditet, deri 5 milionë denarë për personat me 100 % invaliditet ushtarak.
Lajme nga vendi
MINISTRIA E DREJTËSISË: JEMI PËR DIALOG – POR VETËM NË BAZË TË KUSHTETUTËS!
“Ministria e Drejtësisë e respekton të drejtën për protestë si një nga të drejtat themelore demokratike të çdo qytetari. Shprehja e lirë e qëndrimeve dhe iniciativave përmes tubimeve publike përbën një segment të rëndësishëm të shoqërisë demokratike dhe kontribuon në avancimin e dialogut publik – thuhet në reagimin e Ministrisë së Drejtësisë, pas protestës së sotme të studentëve.
Ministria e Drejtësisë përmes një komunikate thotë se me keqardhje konstaton se protesta e sotme edhe një herë tregoi përpjekje për manipulim të qytetarëve nga struktura politike që për më shumë se dy dekada kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në krijimin e gjendjeve të këqija në sistemin e drejtësisë.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, këto veprime hapin dyshime për përpjekje për manipulim publik dhe instrumentalizim përmes nxitjes së çështjeve të ndjeshme, si dhe përdorimit të dukshëm të retorikës etnike për arritjen e qëllimeve afatshkurtra politike.
Në këtë kontekst, sipas Ministrisë së Drejtësisë, është evidente edhe mungesa e përdorimit të simboleve shtetërore në protestën e sotme, gjë që, sic thonë, vë në pikëpyetje kapacitetin demokratik të organizatorëve dhe qëndrimin e tyre ndaj shtetit dhe rendit kushtetues.
Sa i përket kërkesave lidhur me dhënien e provimit të jurisprudencës, Ministria e Drejtësisë edhe një herë thekson dhe konfirmon se ai zhvillohet në përputhje me kornizën ligjore në fuqi. Bëhet fjalë për një provim profesional që nuk përbën procedurë administrative, por një mekanizëm për sigurimin e cilësisë dhe profesionalizmit në sistemin e drejtësisë.
Ministria e Drejtësisë mbetet e hapur për dialog konstruktiv me të gjitha palët e interesuara dhe i shqyrton me kujdes të gjitha iniciativat dhe propozimet, ekskluzivisht në kuadër të kompetencave ligjore.
Nuk do të lejojmë asnjë keqpërdorim të Kushtetutës dhe ligjeve. – thuhet në reagimin e Ministrisë së Drejtësisë.
Lajme nga vendi
PROTESTA E STUDENTËVE: AKUZA E KUNDËRAKUZA VLEN – BDI!
I përgëzoj studentët për protestën dinjitoze dhe vetëdijen e lartë qytetare që e dëshmuan sot.
Kërkesa e tyre është e drejtë dhe, siç ju kam premtuar edhe në takimin tonë të parë, këtë çështje do ta zgjidhim. Për herë të parë pas pavarësisë së shtetit Provimi i Jurisprudencës do të mbahet edhe në gjuhën shqipe! – kështu ka shkruar në Facebook, kreu i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, duke pohuar se elita milionere e ish-pushtetit, e cila, sic thotë, tentoi të kontrabandohet në krye të kauzës së pastër studentore, sot dështoi keq. Ky popull i njeh mirë. Tinëzitë e tyre nuk kalojnë.
Por, pas takimit me zyrtaren e Ambasadës Amerikane në Shkup, një nga krerët e koalicionit VLEN u prononcua edhe para gazetarqëve.
Protestën e studentëve e kanë ndjekur edhe deputetë e zyrtarë të Bashkimit Demokratik për Integrim.
Bujar Osmani përmes një postimi në Facebook thotë se në protestën e studentëve ka qenë si ligjerues, si prind po edhe si politikan.
“Ishte një vorbull emocionesh. Nga njëra anë u ndjeva krenar. Krenar për një gjeneratë që nuk bën kompromis për dinjitetin e vet.
Po në të njëjtën kohë u ndjeva edhe keq. Keq për ku e kanë sjellë disa politikanë shqiptarë këtë popull në pak vite” shkruan Osmani duke potencuar, sic thotë, prapa këtij degradimi ka emra dhe mbiemra konkret, të cilët, sipas tij, kanë me mbet në faqet e errëta të historisë.
Ka reaguar edhe Arbër Ademi i BDI-së, pas publikimit të pamjeve nëpër rrjetet sociale ku një qytetarë i kërkon të largohet nga protesta.
Personin në fjalë, Arbër Ademi e ka identifikuar si aktivist të Izet Mexhitit, duke pohuar se ky provokim ishte për kamera duke dashur të kompromitohet një kauzë studentore dhe jopartiake për ta mbrojtur Fillkovin dhe hajnitë e tyre.
“VLEN-i erdhi për ta prishur protestën, por nuk ia doli.
Studentët do t’ia dalin mbanë, deshën apo nuk deshën ata që sot frika u ka hyrë në palcë” – thuhet në postimin e Arbër Ademit.
Lajme nga vendi
Dogana e Maqedonisë konfiskon ilaçe të padeklaruar të fshehura në një autobus nga Kosova
Nga Drejtoria e Doganave të Maqedonisë së Veriut njoftojnë se në një autobus që është ndaluar në territorin e Maqedonisë, janë gjetur gjithsej 16.051 copë ilaçe të pa deklaruara, me vlerë prej 1,6 milion denarësh.
Nga Drejtoria e Doganave thonë se bëhet fjalë për një autobus në pronësi të një agjencie turistike nga Kosova, që lëvizte në linjën Turqi – Kosovë.
“Në kontrollin e detajuar u gjetën: 623 ampula Prolutex (për terapi hormonale dhe mbështetje të shtatzënisë) 15.000 tableta Jardiance (për trajtimin e diabetit) 428 copë solucion për injeksione që përdoren për vizualizim me rezonancë magnetike: 61 ampula Clariscan, 355 ampula Gadovist dhe 12 ampula Genburto Një pjesë e ilaçeve, 428 ampula, u gjetën gjatë kontrollit të parë në një qese të zezë plastike të fshehur pas sediljeve”.
“Pas kësaj, autobusi u dërgua në terminal doganor për kontroll të detajuar, ku në hapësirat fabrika të ventilimit u gjetën pjesa tjetër, 15.623 copë ilaçe. Kundër dy të dyshuarve, Departamenti i Hetimeve ka ngritur padi penale për kryerje të veprës penale të kontrabandës, ndërsa ilaçet janë konfiskuar përgjithmonë”, thonë nga Drejtoria e Doganave.
-
Lajme nga rajoni2 weeks agoZbardhet dëshmia e autorit të vrasjes së Liridonës, Plava: Kisha marrëveshje me Murselin, më tha se Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni
-
Lajme nga bota2 weeks ago“Do jem makthi i Iranit”, Trump ‘kërcënon’ sërish: Nëse nuk ulen në negociata, bombardimet do të shtohen
-
Lajme nga vendi2 months ago20-vjecari nga fshati Novo Sellë е Tetovës drejtonte mjetin pa leje i sekuestohet përkohësisht “BMV”

