Lajme nga vendi
Komuna e Tetovës ndan 1 200 000 denarë për familjarët e viktimave dhe të të lënduarëve të tragjedisë në Koçan
Në një akt solidariteti dhe humanizmi, sot u mbajt seanca e 49-të e jashtëzakonshme e Këshillit të Komunës së Tetovës, ku u miratua me unanimitet propozim-vendimi për ndarjen e 1,2 milionë denarëve si ndihmë financiare për familjet e viktimave dhe të të lënduarve në tragjedinë e 16 marsit 2025 në Koçan.
Nga Zyra për Komunikime dhe Marrëdhënie me publikun në kuadër të Komunës së Tetovës në një kumtesë theksojnë se ky vendim nuk është vetëm mbështetje materiale, është një mesazh i fuqishëm bashkimi dhe empatie, që dëshmon se Komuna e Tetovës qëndron pranë atyre që po kalojnë momente të vështira.
“Në këto çaste zie dhe dhimbjeje, kjo ndihmë shkon përtej vlerës monetare — ajo simbolizon shpirtin e humanizmit dhe forcën e solidaritetit, duke treguar se së bashku mund të përballojmë çdo sfidë. Tetova e ka dëshmuar gjithmonë se nuk është vetëm një qytet, por një komunitet që bashkohet në momentet më të vështira. Kjo ndihmë nuk do ta shlyejë dhimbjen, por shpresojmë që do të sjellë pak lehtësim dhe do të jetë një mesazh i qartë se nuk jeni vetëm”, bëhet e ditur në kumtesën e Komunës së Tetovës.
Në kumtesë thuhet se Komuna e Tetovës mbetet e përkushtuar për të qenë pranë qytetarëve në çdo kohë, duke dëshmuar se solidariteti është themeli mbi të cilin ndërtojmë një shoqëri më të drejtë dhe më të ndjeshme.
Lajme nga vendi
LSDM me ndryshime kadrovike para kongresit në qershor
Ndryshime personeli në LSDM-në opozitare përpara kongresit të partisë që do të mbahet në qershor. Në një seancë të Bordit Qendror, partia zgjodhi anëtarët e rinj të organeve drejtuese. Sonja Stamenkova, Sllobodan Çokrevski, Bogdanka Kuzeska, Tanja Ilijovska dhe Rubin Zemon hynë në Bordin Qendror dhe Ekzekutiv, transmeton Portalb.mk.
Andrej Zhernovski është emëruar sekretar ndërkombëtar, dhe Zoran Trifunovski është zgjedhur sekretar i dytë organizativ. Përveç kësaj, partia ka shpallur thirrje për zgjedhjen e kryetarit të Forumit të Pensionistëve.
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, prezantoi platformën e re të propozuar nga e cila do të dalë programi i ri i partisë.
“Përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe debatit të gjerë me anëtarësinë dhe qytetarët, do të përgatitet versioni përfundimtar i programit, i cili do të prezantohet dhe miratohet në kongresin e programit të LSDM-së”, njoftoi partia.
Versioni përfundimtar i dokumentit do të miratohet në Kongresin e 7 qershorit.
Filipçe: Nuk do të lejoj përçarje të reja në parti
Pas përjashtimit të ish-kryetarit të Shkupit Petre Shilegov dhe njoftimeve në media për krijimin e DOS – një platformë për të bashkuar krahun kritik të opozitës, Filipçe deklaroi se nuk do të lejonte përçarje të reja.
“Fokusi mbetet në përgatitjen e programit të ri që do të miratohet në kongres në qershor,” deklaroi Filipçe në “Top Tema” në Telma. Ai i hodhi poshtë iniciativat për trazira si të pabaza dhe theksoi se nuk do të toleronte struktura që punojnë në interes të qeverisë.
“Nuk do të lejoj një ZNAM të dytë. Nuk mund të lejojmë një ndarje në një kohë kur po dalim me kritika të forta ndaj qeverisë dhe po ekspozojmë veprimet e tyre kriminale”, tha ai.
Sipas tij, iniciativat që qarkullojnë në publik nuk kanë bazë serioze: “Këto janë biseda kafenesh dhe letra të pafirmosura pa argumente konkrete.”
Politikat e reja dhe përgatitja e programit
Lidhur me draft-programin që ai ia paraqet Bordit Qendror, Filipçe theksoi se ai përmban politikat dhe masat e ardhshme të LSDM-së për qytetarët. Baza vjen nga komisionet e ekspertëve, dhe procesi do të përfundojë më 7 qershor.
Në ditën parapake, LSDM do të organizojë takimin ndërkombëtar “Iniciativa e Shkupit” me partitë simotra nga rajoni, i dedikuar një platforme të përbashkët për luftën kundër regjimeve autoritare, korrupsionit dhe për përshpejtimin e integrimit evropian. Ideja është të nënshkruhet deklaratë për integrimin evropian, luftën kundër korrupsionit dhe kundërshtimin e regjimeve autoritare.
Lajme nga vendi
GASHI: HAPJA E KUSHTETUTËS ÇËSHTJE E NDJESHME!
Hapja e Kushtetutës është një çështje e ndjeshme dhe varet kryesisht nga marrëveshja ndërmjet partive politike, thotë kryetari i Kuvendit, Afrim Gaşi. Pyetja për kryeparlamentarin u bë në kontekst të iniciativës së Gjykatës Kushtetuese për futjen e institutit të padisë kushtetuese, temë kjo që u diskutua javën e kaluar në një tryezë të rrumbullakët në ambientet e Gjykatës.
Pa dhënë komente të mëtejshme, Gaşi tha se ia lë vendimin partive politike se kur është e nevojshme të bëhet kjo dhe mbi çfarë çështjesh.
“Hapja e Kushtetutës është një çështje e ndjeshme dhe mbi të gjitha punë që kërkon marrëveshje ndërmjet partive politike, dhe ju e dini se në Kuvend nevojitet dy e treta e deputetëve që të bien dakord për hapjen e Kushtetutës. Unë nuk do të komentoj më shumë dhe do ta lë këtë vendim partive politike për të vendosur se kur dhe mbi çfarë çështjesh duhet të veprohet”
Gashi sot u pyet edhe për qëndrimin e tij mbi një çështje tjetër që lidhet me Kushtetutën dhe Gjykatën Kushtetuese, e konkretisht për futjen e votimit me shumicë të ashtuquajturën “Badenter”.
Sipas Kryetarit të Kuvendit, kjo çështje nuk duhet të jetë tabu dhe mbi të duhet të diskutohet nga dy perspektiva – njëra politike dhe tjetra profesionale.
Ndryshe, ndryshimet kushtetuese përmenden më së shpeshti në kontekst të modifikimeve për përfshirjen e Bullgarëve në Preambulën e Kushtetutës, një kusht ky që vendi duhet ta përmbushë për të nisur negociatat me Bashkimin Evropian (BE) mbi kapitujt dhe klasifikimet e anëtarësimit.
Lajme nga vendi
Privohen nga liria pesë persona, nga të cilët katër janë të mitur, për lajmërimet e rreme për bomba në shkollat e Tetovës
Ministria e Punëve të Brendshme e informon opinionin se pas ndërmarrjes së masave dhe veprimeve operative, nëpunës policorë nga SPB Tetovë sot (26.03.2026) privuan nga liria tre të mitur të përfshirë në rastet e lajmërimeve të rreme për bomba në disa shkolla fillore dhe të mesme në Tetovë. Në periudhën e mëparshme, u privuan nga liria dy persona të tjerë, nga të cilët njëri i mitur, po ashtu të përfshirë në rastet e lajmërimeve të rreme për bomba. Ndaj të gjithë pesë personave të përfshirë do të parashtrohen parashtresa përkatëse në Prokurorinë kompetente, në përputhje me Kodin Penal.
MPB u bën apel prindërve që të ndërmarrin urgjentisht masat e duhura të kontrollit ndaj fëmijëve të tyre. Nevojitet vëmendje dhe parandalim maksimal për të parandaluar çfarëdo shfaqje të mëtejshme të dukurive të këtilla të cilat shqetësojnë publikun dhe prishin sistemin e sigurisë.
SPB Tetovë nuk do të tolerojë asnjëlloj tentimi për të rrezikuar sigurinë e nxënësve dhe qytetarëve. Në raste të veprimeve të këtilla në të ardhmen, do të merren masat më të rrepta ligjore kundër kryerësve, por edhe kundër prindërve për mospërfilljen e obligimit të mbikëqyrjes.
Do të inicohen masa pedagogjike dhe sociale në bashkëpunim të ngushtë me institucionet arsimore dhe Qendrat e Punës Sociale.
-
Lajme nga vendi2 months agoRrjeti i madh i dyqaneve për produkte të shtëpisë Comodita Home po rritet akoma më tepër, tash me dyqanin më të madh në Re Mall, Tetovë
-
Sport2 months agoOLIMPIADA DIMËRORE ‘’MILANO CORTINA 2026’’ FILLON MË 6 SHKURT
-
Lajme nga vendi2 months agoVLEN: Me Fetain në krye, nis goditja reale ndaj pasurisë së paligjshme

