Lajme nga vendi
Nënshkruhet Memorandum bashkëpunimi me Fondacionin SIZIGIA për realizimin e trajnimeve për personat në rrezik me qëllim përfshirjen e tyre në ndërmarrjet sociale dhe krijimin e vendeve të punës gjithëpërfshirëse
Në Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve u nënshkrua Memorandum për Bashkëpunim ndërmjet Ministrisë dhe SIZIGIA Shkup – Fondacioni për krijimin e ekosistemeve, inovacioneve dhe bartjes së njohurive për zhvillim personal dhe afarist.
Me Memorandumin e nënshkruar nga ministri Fatmir Limani dhe znj. Suzana Trajkovska Koçankovska nga SIZIGIA, Ministria shpreh mbështetjen për aktivitetet e fondacionit përmes projektit “Mjellma e Zezë” – i cili ka për qëllim mbështetjen e personave në rrezik duke ofruar trajnime për përfshirjen e tyre në ndërmarrjet sociale dhe krijimin e vendeve të punës gjithëpërfshirëse në kontekstin e ndërmarrjeve sociale.
Projekti “Mjellma e Zezë” financohet nga Ministria e Politikës Sociale, Shëndetit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit të Republikës së Austrisë, që ka filluar më 25.01.2025 me një periudhë zbatimi 12 mujore.
I njëjti zbatohet në bashkëpunim me Impact Hub Austria dhe Fondacionin SIZIGIA me synimin për të inkurajuar të rejat (15-24 vjeç) që nuk janë të punësuara, as në arsim apo trajnim (NEET), si dhe personat me aftësi të kufizuara, për të përmirësuar aftësitë e tyre dhe mundësitë e punësimit përmes trajnimeve, punës praktike në kompani dhe sipërmarrje sociale.
Realizimi i aktiviteteve të projektit “Mjellma e Zezë” do të realizohet në Qendrën për Ndërmarrje Sociale, e cila me vendim të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut i është dhënë në përdorim të përhershëm Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve. Realizimi i aktiviteteve është pa pagesë të kompensimit nga fondacioni për shfrytëzimin e Qendrës.
Lajme nga vendi
GASHI: HAPJA E KUSHTETUTËS ÇËSHTJE E NDJESHME!
Hapja e Kushtetutës është një çështje e ndjeshme dhe varet kryesisht nga marrëveshja ndërmjet partive politike, thotë kryetari i Kuvendit, Afrim Gaşi. Pyetja për kryeparlamentarin u bë në kontekst të iniciativës së Gjykatës Kushtetuese për futjen e institutit të padisë kushtetuese, temë kjo që u diskutua javën e kaluar në një tryezë të rrumbullakët në ambientet e Gjykatës.
Pa dhënë komente të mëtejshme, Gaşi tha se ia lë vendimin partive politike se kur është e nevojshme të bëhet kjo dhe mbi çfarë çështjesh.
“Hapja e Kushtetutës është një çështje e ndjeshme dhe mbi të gjitha punë që kërkon marrëveshje ndërmjet partive politike, dhe ju e dini se në Kuvend nevojitet dy e treta e deputetëve që të bien dakord për hapjen e Kushtetutës. Unë nuk do të komentoj më shumë dhe do ta lë këtë vendim partive politike për të vendosur se kur dhe mbi çfarë çështjesh duhet të veprohet”
Gashi sot u pyet edhe për qëndrimin e tij mbi një çështje tjetër që lidhet me Kushtetutën dhe Gjykatën Kushtetuese, e konkretisht për futjen e votimit me shumicë të ashtuquajturën “Badenter”.
Sipas Kryetarit të Kuvendit, kjo çështje nuk duhet të jetë tabu dhe mbi të duhet të diskutohet nga dy perspektiva – njëra politike dhe tjetra profesionale.
Ndryshe, ndryshimet kushtetuese përmenden më së shpeshti në kontekst të modifikimeve për përfshirjen e Bullgarëve në Preambulën e Kushtetutës, një kusht ky që vendi duhet ta përmbushë për të nisur negociatat me Bashkimin Evropian (BE) mbi kapitujt dhe klasifikimet e anëtarësimit.
Lajme nga vendi
Privohen nga liria pesë persona, nga të cilët katër janë të mitur, për lajmërimet e rreme për bomba në shkollat e Tetovës
Ministria e Punëve të Brendshme e informon opinionin se pas ndërmarrjes së masave dhe veprimeve operative, nëpunës policorë nga SPB Tetovë sot (26.03.2026) privuan nga liria tre të mitur të përfshirë në rastet e lajmërimeve të rreme për bomba në disa shkolla fillore dhe të mesme në Tetovë. Në periudhën e mëparshme, u privuan nga liria dy persona të tjerë, nga të cilët njëri i mitur, po ashtu të përfshirë në rastet e lajmërimeve të rreme për bomba. Ndaj të gjithë pesë personave të përfshirë do të parashtrohen parashtresa përkatëse në Prokurorinë kompetente, në përputhje me Kodin Penal.
MPB u bën apel prindërve që të ndërmarrin urgjentisht masat e duhura të kontrollit ndaj fëmijëve të tyre. Nevojitet vëmendje dhe parandalim maksimal për të parandaluar çfarëdo shfaqje të mëtejshme të dukurive të këtilla të cilat shqetësojnë publikun dhe prishin sistemin e sigurisë.
SPB Tetovë nuk do të tolerojë asnjëlloj tentimi për të rrezikuar sigurinë e nxënësve dhe qytetarëve. Në raste të veprimeve të këtilla në të ardhmen, do të merren masat më të rrepta ligjore kundër kryerësve, por edhe kundër prindërve për mospërfilljen e obligimit të mbikëqyrjes.
Do të inicohen masa pedagogjike dhe sociale në bashkëpunim të ngushtë me institucionet arsimore dhe Qendrat e Punës Sociale.
Lajme nga vendi
Mickoski: Në mbledhjen e Qeverisë kaloi Marrëveshja kolektive që do të nënshkruajnë institucionet shtetërore me punonjësit, për dy vite punonjësit do të kenë pagë më të lartë për 40%
Në mbledhjen e sotme të Kuvendit kushtuar pyetjeve të deputetëve, Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, i pyetur se sa do të rritet paga e punonjësve të arsimit me pagesën e pagës së marsit në prill, theksoi se edhe punonjësit në arsim, ashtu si edhe ata në shëndetësi, do ta marrin rritjen e cila është pjesë e marrëveshjes kolektive.
“Po, punonjësit në arsim do ta marrin rritjen e paraparë që është pjesë e marrëveshjes kolektive, ashtu siç do ta marrin edhe punonjësit në shëndetësi dhe të gjithë ata në administratën shtetërore dhe publike që kanë kontrata kolektive të nënshkruara nga kjo Qeveri”, theksoi Mickoski.
Ai gjithashtu shtoi se të martën në mbledhjen e qeverisë ka kaluar edhe propozim-marrëveshja kolektive të cilën institucionet shtetërore do të duhet ta nënshkruajnë me punonjësit në administratë, me të cilën punonjësit për dy vjet do të kishin pagë për rreth 40% më të lartë nga ajo që kanë sot.
“Njëkohësisht do të fillojë edhe procesi, pasi tashmë është miratuar teksti i propozim-marrëveshjes kolektive, të cilën institucionet shtetërore do ta nënshkruajnë me të punësuarit në administratë, dhe e cila më parë ishte dakorduar dhe harmonizuar me dy sindikatat SPOGj dhe Sindikata e Administratës dhe e Shërbimit Shtetëror të Maqedonisë (SADU). Ajo kaloi të martën në mbledhje të Qeverisë, ka disa detaje që duhet të përpunohen gjatë kësaj jave, sot, nesër, pasnesër, dhe pres që nga e hëna të përfundojë edhe nënshkrimi, dhe që tashmë në prill të marrin pagë sipas llogaritjes së re.
Kjo pagë do të jetë më e lartë për shkak të nivelizimit linear të të gjithë të punësuarve në sektorin publik, e rritur për 8%. Kështu do të jetë në prill 2027, kështu do të jetë në prill 2028. Kjo do të thotë se për afërsisht dy vite nga sot, të punësuarit do të kenë të ardhura rreth 40% më të larta se ato që kanë sot. Ky marrëveshje është e para e këtij lloji që ndonjëherë Qeveria e ka nënshkruar me këta të punësuar”, tha Hristijan Mickoski dhe shtoi:
“Meqenëse lista u zgjerua pak, këtu u përfshinë edhe shërbimet e prokurorisë dhe të gjyqësorit, rreth 10 mijë persona janë përfshirë dhe me këtë ne rregullojmë 99% të marrëdhënieve tona me kolegët tanë, ku shteti është punëdhënës. Diçka që deri më tani askush nuk e ka bërë.”
-
Lajme nga vendi2 months agoRrjeti i madh i dyqaneve për produkte të shtëpisë Comodita Home po rritet akoma më tepër, tash me dyqanin më të madh në Re Mall, Tetovë
-
Sport2 months agoOLIMPIADA DIMËRORE ‘’MILANO CORTINA 2026’’ FILLON MË 6 SHKURT
-
Lajme nga bota2 months agoGjermania në krizë për punëtorë të kualifikuar, spitalet dhe shkollat kanë mungesa të mëdha

