Lajme nga vendi
Azizi: Pse po luftohet Bilall Kasami?!
Shkruan: Adnan Azizi
Shpesh më pyesin: Pse vazhdimisht BDI bën spina kundër Bilallit, kundër teje, e bashkë me patronët e saj, në veçanti e sulmon me shpifje Lëvizjen BESA dhe lidershipin e saj?
Është shumë e qartë dhe shumë e thjeshtë, vetëm se duhet një analizë e vogël kronologjike!
Ja, nëse i analizojmë lajmet që mediat i bëjnë për të gjitha komunat në RMV, do të na del një shifër dyfish më e madhe e lajmeve kundër Komunës së Tetovës dhe Bilall Kasamit, krahasuar me lajmet e bëra për të gjitha komunat e tjera bashkërisht.
Nuk ka as edhe një ditë të vetme që e ka falë Zoti, që disa mediume dhe ca të ashtuquajtur gazetarë – kuptohet, të sponsorizuar dikur nga direkt Artani, e tash nga BDI – që nuk rrinë para dyerve të Komunës, rrugëve të qytetit të Tetovës, për të bërë ndonjë lajm të rremë ose për të shpifur për ta njollosur Bilallin.
A e dini pse?
Sepse Bilall Kasami dhe Lëvizja BESA janë promotorët dhe faktorët kryesorë që e dërguan BDI-në në opozitë, fillimisht duke bashkuar opozitën shqiptare, e cila asnjëherë më parë nuk kishte arritur të ishte e bashkuar.
Mllefi u shtua edhe më shumë pasi Bilall Kasami, tri herë me radhë, e mundi BDI-në në Tetovë.
Sepse në zgjedhjet e fundit parlamentare, Bilalli i fitoi të gjithë bashkë, në të ashtuquajturin “Fronti Europian”.
Një arsye tjetër tepër e rëndësishme pse ata e sulmojnë Bilallin është fakti se nuk po gjejnë kundërkandidat në Tetovë që do ta sfidojë, e jo më ta mundë Bilall Kasamin.
Bilall Kasami është edhe lider partie, edhe kryetar i Komunës së Tetovës, i cili me vizion dhe punë e ka transformuar rrënjësisht Komunën, të cilën me dekada e shkatërruan në çdo aspekt si BDI-ja, ashtu edhe të tjerët para saj!
E sulmojnë Bilall Kasamin sepse ia lanë trashëgimi 24 milionë euro borxh, ndërsa ai nuk vazhdoi të vjedhë si ata, por përveç ndërtimit dhe zhvillimit të komunës në çdo dimension, e ka ulur borxhin për 9 milionë euro. Sepse për vetëm tri vite, Bilall Kasami ka realizuar mbi 7 milionë euro investime kapitale.
Në vitin 2025 pritet që investimet të kalojnë shifrën e 15 milionë eurove në infrastrukturë tokësore dhe nëntokësore, pa harruar projektin e fituar për kolektorët, të financuar nga Banka Botërore me mbi 40 milionë euro, projekt ky që ata për 8 vite nuk e kishin lëvizur nga vendi dhe rrezikonte të humbte grandin.
E sulmojnë Bilall Kasamin sepse Bilalli kurrë nuk i shkoi në shtëpi Aliut dhe se Aliut kurrë nuk i kanë ecur “mësytnitë” me Bilallin dhe Lëvizjen BESA.
BDI, përmes kanaleve të saj të ndryshme, gjithmonë e ka përdorur strategjinë “përçaj dhe sundo” dhe përmes shantazhit të kryetarëve të partive tjera kundërshtare të saj.
Ky tentim nuk i ka ndezur kurrë me lidershipin e Lëvizjes BESA, e cila përveç se ua ka prishur të gjitha matematikat, i dërgoi edhe në opozitë. Ndërsa në zgjedhjet lokale, do t’i dërgojë në histori.
Dhe për në fund: A e keni vërejtur se vetëm në komunat ku menaxhon Lëvizja BESA, vazhdimisht ka realizim projektesh dhe investime kapitale? Si në Zhelinë ashtu edhe në Tetovë.
A mos vallë keni parë ndonjë kryetar komune nga radhët e BDI-së dhe Frontit Europian që të realizojë ndonjë projekt, qoftë edhe në fshatin e liderit të BDI-së, ku për dy dekada me pushtet lokal e qendror, ende nuk ka kanalizim?
Epo, nëse për 25 vite do të ishit angazhuar për të punuar në interes të qytetarëve, do të kishit harxhuar energji për të krijuar investime, për të ndërtuar bulevarde e autostrada, për të ndërtuar shkolla dhe spitale – e jo për të vjedhur dhe për t’u pasuruar, e as për të përçarë shqiptarët – atëherë sot do të ndjeheshit krenarë dhe do të rrinit me kokën lart.
Por, pasi keni vepruar ashtu siç keni vepruar, tani mbani në shpinën tuaj samarin e mëkateve dhe krimeve që keni bërë, ndërsa ne, e dinë të gjithë se:
“Nga dita që kemi le, as jemi shitur e as jemi ble”.
Lajme nga vendi
VAPA AFRIKANE: A DO TË SHKURTOHEN ORËT MËSIMORE?!
Shkollat duhet t’i respektojnë protokollet për punë gjatë temperaturave tepër të larta, porositi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska. Rregullat përcaktojnë edhe se kur duhet të hapen apo të mbyllen dritaret dhe cilat aktivitete duhet t’i zhvillojnë nxënësit. Protokollet janë publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), ndërsa u janë dorëzuar edhe të gjitha shkollave. Janevska tha se drejtuesit e shkollave dhe mësimdhënësit duhet ta përshtatin mësimin me kushtet atmosferike.
A do të shkurtohen orët mësimore në ditët kur moti do të jetë shumë i nxehtë, ishte një pyetje e gazetarëve drejtuar Ministres së Arsimit, Vesna Janevska, lidhur me vapën afrikane që ka kapluar vendin edhe në fillim të vitit shkollor dhe sipas paralajmërimeve do të vazhdojë edhe më tej.
Ministrja potencoi se shkollat duhet të veprojnë konform protokolleve për situata të këtilla, duke shtuar se nuk mund t`u ikim ndryshimeve klimatike pasi ato janë të njëjta për të gjithë fëmijët në Evropë dhe në botë.
“Udhëheqësit e shkollave dhe vet mësimdhënësit. Është pjesë e punës së tyre. Të adaptohen konform kushteve. Nëse është nxehtë, nuk do të zhvillojnë edukatë fizike, do të kenë pushim, art figurativ, muzikë, diçka tjetër… Unë nuk dua të ndërhyj në punën e tyre, por ja, kjo mund të jetë një ide. Nëse është më freskët, mund të bëjnë edhe ndonjë ushtrim fizik. Në protokolle përcaktohet kur duhet të hapen dhe kur të mbyllen dritaret, si dhe cilat aktivitete duhet t’i kenë fëmijët. Duhet të përshtatemi me çdo gjë që do të jetë sfidë”
E pyetur nëse në shkolla do të sigurohen kondicionerë për freskim gjatë ditëve të nxehta në fillim dhe në fund të vitit shkollor, ministrja u përgjigj se do të ketë kondicionerë kur si shtet do të jemi në gjendje të sigurojmë kondicionerë në të gjitha shkollat.
Nga ana tjetër, Kryetari i Komunës së Aerodromit, Dejan Miteski, deklaroi se në shkollat e kësaj Komune, orët mësimore do të shkurtohen vetëm nëse aktivizohet “faza e verdhë” për shkak të temperaturave të larta.
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 01 Shtator
Dje në orën 11:00 në SPB Tetovë, një 52-vjeçar nga Republika e Kosovës, me banim në Norvegji, ka raportuar se në fshatin Dobrosht të Tetovës i është marrë motoçikleta e tij „BMV“, e cila ishte e parkuar në fshat. Po merren masa për gjetjen e motoçikletës dhe për zbardhjen e rastit.
…….Dje në orën 19:15 në Tetovë, zyrtarët policorë kanë privuar nga liria personin një 44 vjeçar nga Tetova, duke vepruar sipas raportimit paraprak nga vëllai i tij 46-vjeçar se, pas një debati të shkurtër në shtëpinë familjare, e ka sulmuar fizikisht dhe i ka dëmtuar telefonin celular. Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të vijojë parashtresa përkatëse.
……Dje rreth orës 19:50 në SPB Tetovë është raportuar se në Spitalin Klinik në Tetovë, një 24 vjeçar nga fshati Pallatcë i Tetovës, pasi i është kërkuar të kryejë një pagesë për shërbim mjekësor, është sjellë në mënyrë agresive dhe ka thyer xhamin e sportelit të pranimit, me ç’rast ai dhe dy punonjës të tjerë kanë pësuar lëndime. Pas ndërhyrjes së zyrtarëve policorë, ai ka sulmuar fizikisht edhe një zyrtar policor, e më pas, për shkak të seriozitetit të lëndimeve, është transportuar në Kompleksin e Klinikave „Nënë Tereza“ në Shkup për t’iu ofruar ndihmë mjekësore. Është kryer këqyrje e vendit të ngjarjes dhe pas dokumentimit të plotë të rastit do të dorëzohet kallëzimi përkatës.
……Dje në orën 22:00 në rrugën „107“ në Tetovë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 24 vjeçar nga Tetova sepse gjatë kontrollit të ushtruar ndaj tij është gjetur dhe konfiskuar marihuanë. Personi është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit do të vijojë parashtresa përkatëse.
……..Dje në orën 22:20 në rrugën „Iliria“ në Tetovë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 42-vjeçare nga Velesi, me banim në Tetovë, sepse gjatë kontrollit të ushtruar ndaj saj është gjetur dhe konfiskuar një substancë e bardhë pluhur. Personi është shoqëruar në polici dhe pas dokumentimit të rastit do të dorëzohet kallëzimi përkatës.
Pas mesnate në orën 01:50 në rrugën „107“ në Tetovë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë arrestuar një 30-vjeçar nga Tetova, i cili kërkohej me urdhëresë gjyqësore për vuajtjen e dënimit me burg për vepër penale të kryer sipas nenit 130 paragrafi 1 të Kodit Penal. Personi është dërguar në Institucionin Ndëshkues-Përmirësues Burgu i Tetovës për vuajtjen e dënimit.
Lajme nga vendi
Arlinda Hasani Sinani u zgjodh zëvendësguvernatore e re e Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut votoi Arlinda Hasani Sinanin në pozitën e re të zëvendësguvernatores së Bankës Popullore, pas propozimit të dorëzuar nga kreu i BPM.
Arlinda Hasani Sinani vjen në këtë detyrë të rëndësishme shtetërore me një përvojë të bujshme prej 22 vitesh në sektorin bankar, ku përgjatë karrierës së saj ka ushtruar funksione udhëheqëse në fushën e kreditimit, menaxhimit të rrezikut dhe bankingut afarist.
Ajo ka nisur rrugëtimin e saj profesional si analiste krediti në ProCredit Bank, duke avancuar në pozita të larta drejtuese si drejtoreshë e ekspoziturës, e Qendrës së Biznesit dhe e Sektorit për Ndërmarrje të Vogla dhe të Mesme, ndërsa nga viti 2023 ka mbajtur pozitën e drejtoreshës rajonale për rajonin veriperëndimor në Stopanska Banka SH.A. Shkup.
Ajo është ekonomiste e diplomuar në Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe ka përfshirë në formimin e saj profesional trajnime të specializuara në ProCredit Academy në Frankfurt të Gjermanisë.
Arlinda Hasani Sinani merr zyrtarisht detyrën e re, duke pasuar në këtë post zëvendësguvernatorin e deritanishëm, Fadil Bajrami, mandati i të cilit përfundon më 14 shtator 2026.(INA)

