Lajme nga bota
Paralajmërimi i FBI-së: Ja faqet që nuk duhet t’i përdorni, u vjedhin të dhënat

Ky paralajmërim erdhi pasi FBI vuri re një numër të shtuar të rasteve të raportuara. Kohët e fundit, paralajmërimet e lidhura me sigurinë kibernetike nga FBI janë bërë gjithnjë e më të shpeshta.
I fundit, edhe pse është lëshuar kryesisht për përdoruesit amerikanë, tërhoqi vëmendjen e përdoruesve të internetit në mbarë botën.
Në paralajmërimin të publikuar në faqet zyrtare të FBI, kërkohet nga përdoruesit që të ndalojnë përdorimin e faqeve që ofrojnë shërbime për konvertimin falas të dokumenteve nga një format në tjetrin (të ashtuquajturat “document converters”). Sipas FBI, agjentët e tyre kanë pranuar një numër të shtuar raportimesh për mashtrime që përfshijnë mjete falas për konvertimin e dokumenteve. Këto faqe fshehin programe të dëmshme që përdoren për të vjedhur informacionet personale të viktimave dhe, në rastet më të këqija, për të nisur ransomware në pajisjen e viktimës.
Kriminelët kibernetikë në mbarë botën përdorin çdo lloj mjeti falas për të konvertuar dokumentet në formate të tjera. Ata gjithashtu krijojnë faqe që premtojnë bashkimin e dokumenteve JPG në një PDF ose shkarkimin e dokumenteve MP3 ose MP4, thonë nga FBI. Ata shpjegojnë se kriminelët kibernetikë krijojnë faqe interneti që duket se ofrojnë konvertimin falas të dokumenteve nga një format në tjetrin.
Por, në vend të dokumenteve, përdoruesit shkarkojnë programe të dëmshme në kompjuterët e tyre. Për më tepër, është e mundur që të “vjedhën” të dhëna nga vetë dokumentet – emra, informacione për kriptovalutat, fjalëkalime, adresa elektronike dhe të tjera.
Mashtruesit imitojnë adresat e faqeve të ligjshme duke ndryshuar një shkronjë në adresën e saj, shpjegojnë nga FBI. Përdoruesit që arrijnë në këto faqe përmes motorëve të kërkimit janë veçanërisht të rrezikuar, pasi algoritmet tani përfshijnë rezultate të paguara që mund të jenë të rreme.
Zyra e FBI-së në Denver rekomandon hapat e mëposhtëm për t’u mbrojtur nga ky mashtrim:
Merrni një frymë, ngadalësoni dhe mendoni. Jini të vetëdijshëm për veprimet tuaja në internet dhe për rreziqet që mund të jeni të ekspozuar;
Përditësoni rregullisht softuerin tuaj për skanimin e viruseve dhe skanoni çdo skedar që merrni para se ta hapni për të eliminuar mundësinë e instalimit të softuerit të dëmshëm në kompjuterin tuaj.
Nëse keni rënë viktimë, ja disa hapa që duhet të ndërmerrni:
Kontaktoni menjëherë institucionet tuaja financiare. Merrni masa për të mbrojtur identitetin dhe llogaritë tuaja;
Ndryshoni të gjitha fjalëkalimet tuaja duke përdorur një pajisje të pastër dhe të besueshme;
Denonconi rastin në polici dhe në CERT Kombëtar;
Aktivizoni softuerin e përditësuar për skanimin e viruseve për të kontrolluar nëse ka ndonjë softuer të dëmshëm që mund të ketë instaluar mashtruesi. Mendojeni të çoni kompjuterin tuaj te një kompani profesionale të specializuar për shërbime të heqjes së viruseve dhe softuerëve të dëmshëm.
Lajme nga bota
SHBA ofron 50 milionë dollarë për arrestimin e presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro

Shtetet e Bashkuara e kanë dyfishuar shpërblimin për personat që ofrojnë të dhëna që do të çonin në arrestimin e presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, duke e akuzuar se ai është “njëri nga trafikuesit më të mëdhenj të narkotikëve në botë”. Shpërblimi u çua në 50 milionë dollarë.
Presidenti amerikan, Donald Trump, është kritikues i vjetër i Maduros, i cili u rikthye në pushtet në janar pas zgjedhjeve të dyshimta për keqpërdorim të votave. Rezultatet e garës u hodhën poshtë gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar, raporton televizioni BBC.
Kryeprokurorja e Shteteve të Bashkuara, Pam Bondi, tha se vendi i saj do ta dyfishojë shpërblimin prej 25 milionë dollarësh dhe shtoi se Maduro është drejtpërdrejt i lidhur me operacionet e trafikimit të drogës.
Ministri i Jashtëm i Venezuelës, Yvan Gil, tha se lajmi për dyfishimin e shpërblimit për arrestimin e Maduros është “patetik” dhe “propagandë politike”.
“Ne nuk jemi të befasuar, kur kjo vjen nga ata që vjen” – tha kryediplomati venezuelas, duke e akuzuar zonjën Bondi se po bën përpjekje për një “shpërqendrim dëshpërues” nga kryetitujt e mediave që lidhen me reagimet për trajtimin e rastit të abuzuesit seksual, Jeffrey Epstein.
Gjatë mandatit të parë të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, Shtetet e Bashkuara i kishin akuzuar Maduron dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Venezuelës me një varg shkeljesh, përfshirë narko-terrorizmin, korrupsionin dhe trafikimin e drogës.
Në atë kohë, Departamenti i Shtetit i ShBA-së kishte pretenduar se Maduro kishte punuar me grupin rebel kolumbian, Farc, për ta “shfrytëzuar kokainën si armë për t’i “vërshuar” Shtetet e Bashkuara”.
Në një video të publikuar në rrjetin X të enjten, Bondi e akuzoi Maduron për bashkërendim me grupet si Tren de Aragua – bandë venezuelase të cilën administrata e Trumpit e ka shpallur organizatë terroriste – dhe Karteli Sinaloa, rrjet i fuqishëm kriminal me bazë në Meksikë.
Kryeprokurorja amerikane pretendoi se agjencia amerikane kundër drogës, DEA, kishte “konfiskuar 30 tonë kokainë të lidhur me Maduron dhe bashkëpunëtorët e tij, me gati shtatë tonë të lidhur me vetë Maduron”.
Presidenti i Venezuelës në të kaluarën i ka hedhur poshtë pretendimet e Shteteve të Bashkuara se ai është i përfshirë drejtpërdrejt në trafikimin e drogës.(BalkanWeb)
Lajme nga bota
Dyshohet se spiunonte për Izraelin, Irani ekzekuton shkencëtarin bërthamor

Irani ka ekzekutuar një shkencëtar bërthamor që dyshohej se po punonte për Izraelin si spiun.
Roozbeh Vadi u dënua me vdekje për shkak se kishte dhënë informacion mbi një shkencëtar tjetër, i cili u vra gjatë sulmeve të Izraelit në Teheran në qershor, njofton faqja gjyqësore Mizan.
Sipas burimeve, ekzekutimi i Vadi-t u bë me varje. Ai ishte ekspert bërthamor në Organizatën e Energjisë Atomike të Iranit dhe që nga arrestimi në shkurt 2024, mbahej në burgun Evin në Teheran, raporton The Telegraph.
Mizan njofton se Vadi kishte dërguar informacione sekrete dhe dyshohet se është takuar me agjentë të Mossad-it në Vjenë në pesë raste.(Balkanweb)
Lajme nga bota
Italia gjobit me 1 milion euro gjigantin kinez të modës Shein

Rregullatori italian AGCM ka gjobitur gjigantin kinez të modës së shpejtë, Shein, me një milion euro për përdorimin e pretendimeve mashtruese në lidhje me qëndrueshmërinë dhe ndikimin mjedisor të produkteve të tij, njoftoi sot agjencia italiane e konkurrencës AGCM.
Hetimi, i nisur në shtator 2024, zbuloi se mesazhet mjedisore në faqet e kompanive si #SHEINTHEKNOË, “evoluSHEIN” dhe “Përgjegjësia Sociale” ishin shpesh shumë të përgjithshme, të ekzagjeruara dhe në disa raste mashtruese, raporton ANSA.
Shein operon në të ashtuquajturin sektor të “modës super të shpejtë”, i cili është një ndotës i madh i mjedisit, kështu që ai është i detyruar t’u kushtojë vëmendje të veçantë konsumatorëve, shton rregullatori italian.
Kompania kineze njoftoi më parë gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar me autoritetet italiane, por pas shpalljes së vendimit, për momentin nuk ka asnjë koment zyrtar, raporton Reuters.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi3 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve