Lajme nga vendi
Mexhiti: Brenda javës do të ketë iniciativë për shkrirjen e VLEN-it, vetëm Taravari ka dilema!
Izet Mexhiti sot në një paraqitje për media tha se brenda kësaj jave do të ketë iniciativë për shkrirjen e VLEN-it në një parti politike. Ai i kërkoi Taravarit që të sqarohet për deklaratat e tij, duke shtuar se është i vetmi që ka dilema nëse VLEN-i duhet të bashkohet.
“I vetmi që ka dilema dhe që e sheh si të mundshme bashkëpunimin me BDI-në është Taravari. VLEN është anti-pod i BDI-së dhe nuk ka logjikë bashkëpunimi me BDI-në. Në atë moment që bashkëpunohet me BDI-në humb kuptimi i ndryshimit dhe i asaj për të cilën kemi kërkuar votën. Ne si subjekte shqyrtojmë mundësinë që të dëgjojmë votuesit, të cilët më herët kanë kërkuar bashkim opozitar, ndërsa tani kërkojnë shkrirjen e VLEN-it në një parti”.
“Brenda javës do të ketë iniciativë që VLEN-i të jetë një opsion. Përkrahësit e VLEN-it kërkojnë që katër partitë politike, LD, Besa, Alternativa dhe Vetëvendosja, kërkojnë këtë, i vetmi që ka dilema është Taravari, i cili duhet të sqarohet se nuk mund edhe të jesh pjesë e VLEN-it edhe të bashkëpunosh me BDI-në”, tha mes tjerash Mexhiti.
Ndryshe, Taravari në emisionin “PodGo” më herët deklaroi se u ka ofruar krerëve të VLEN-it që në zgjedhjet lokale të shkojnë me lista të ndara për këshilltarë për komunat, ndërsa me kandidatë të përbashkët për kryetarë, propozim që është refuzuar nga kryetarët e partive tjera të koalicionit VLEN. Ndërsa më pas Taravari ka thënë se këtë periudhë do të vendosë se si partia e tij do të garojë në zgjedhjet lokale.
Lajme nga vendi
Fillon faza e zbatimit konkret të Strategjisë 2025–2028 për Hetime Financiare dhe Konfiskim të Pasurisë në RMV
Pas mbledhjes konstituive të Këshillit Nacional për Hetime Financiare dhe Konfiskim të Pasurisë, të mbajtur më 2 shkurt 2026, sot shënohet hyrja në fazën vendimtare të zbatimit konkret të Strategjisë për periudhën 2025–2028 dhe Planit të Veprimit 2025–2026, njoftojnë nga kabineti i zv. kryeministrit Arben Fetai.
“Me Vendimin e Qeverisë të datës 9 shtator 2025 dhe me emërimin e anëtarëve më 28 tetor 2025, është konsoliduar struktura e plotë institucionale për koordinimin dhe monitorimin e kësaj strategjie.
Megjithatë, siç theksoi Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, struktura në vetvete nuk prodhon rezultate, rezultatet arrihen përmes veprimit të koordinuar, përgjegjësisë së qartë institucionale dhe llogaridhënies konkrete.
Këshilli Nacional përcakton drejtimin politik, ndërsa Komisioni Nacional ka për detyrë të sigurojë që ky drejtim të përkthehet në rezultate të matshme në praktikë. Raporti i parë vjetor evidenton progres normativ, por faza aktuale kërkon angazhim të shtuar operacional, disiplinë në raportim dhe reagim tëmenjëhershëm ndaj pengesave sistemike.
Në këtë kontekst, Komisioni Nacional do të funksionojë si mekanizëm aktiv i zbatimit dhe monitorimit, me fokus në:
-zbatimin e plotë të përgjegjësive institucionale;
-identifikimin dhe adresimin e pengesave reale në sistem;-raportim me integritet, transparencë dhe pa kalkulime politike;
-ndërhyrje të menjëhershme në rast vonesash apo mungese kapacitetesh”, thuhet në njoftim.
Gjatë takimit, theksojnë nga atje, u promovua dokumenti i përgatitur në bashkëpunim me United Nations Office on Drugs and Crime (UNODC), “Checklist për lehtësimin e kthimit të pasurisë”, si instrument praktik për standardizimin dhe fuqizimin e proceseve të rikuperimit të aseteve. Ky dokument përfaqëson një hap konkret drejt forcimit të kapaciteteve teknike dhe harmonizimit me standardet ndërkombëtare.
Lajme nga vendi
Ndërpritet bojkoti i mësimit në Vaksincë! Suspendohet arsimtarja deri në ekzaminimet mjekësore
Pas një muaji të plotë bojkot, ka rifilluar mësimin në filloren e Vaksincës. Pas raportimit të vazhdueshëm të TV21 për mos reagim në kohë të institucioneve, më në fund drejtoria e shkollës mori vendim për suspendim të arsimtares së anglishtes S.S. për të cilën dyshohet se ka probleme shëndetësore. Drejtori i Sh. F. “Rilindja” përmes telefonit e konfirmoi se arsimtaren në fjalë e kanë larguar nga puna 3 muaj deri sa të kryhen procedurat administrative dhe ekzaminimet shëndetësore te Instituti i mjekësisë së punës.
Nga Komuna e Likovës thanë se kanë urdhëruar drejtorinë që ta zëvendësojnë përkohësisht me një arsimtare tjetër të anglishtes në mënyrë që mësimi të mos ngecë, ndërsa gjatë pushimit pranveror dhe veror do të kompensohen 4 javët e humbura mësimore. Nga Inspektorati shtetëror i arsimit thonë se brenda afateve ligjore presin raportin e drejtorisë për ekzaminimet mjekësore për të vendosur nëse arsimtarja S.S. i plotëson kushtet për tu rikthyer në mësim ose për përjashtim të përhershëm nga puna.
Lajme nga vendi
Tiranë, deklaratë e 5 vendeve për Korridorin 8

