Lajme nga vendi
LSDM akuzon VMRO-DPMNE-në dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski se po kryen terror politik
LSDM akuzon VMRO-DPMNE-në dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski se po kryen terror politik me qëllim që të mbrohen zyrtarët e pushtetit nga përgjegjësia për tragjedinë e Koçanit, në të cilën humbën jetën 61 persona. Opozita, thekson se zyrtarët policorë nga Koçani e Shtipit të cilët janë përfshirë në hetimin e Prokurorisë janë të periudhës së kaluar, ndërsa ata që kanë qenë në detyrë natën e kobshme, sipas tyre as nuk përmenden.“Si nuk u gjend asnjë i dyshuar nga kryeshefët aktual dhe zyrtarët aktual të MPB-së në Koçan dhe Shtip të cilët kanë qenë përgjegjës të drejtpërdrejtë për sigurinë natën e kobshme. Pse për shembull kryeshefja e Sektorit për Punë të Brendshme në Koçan Marija Cvetkovska Manevska nuk është në mesin e të përfshirëve me hetimin? Pse kryeshefi i Krim Policisë në Koçan Tomo Donev, nuk është në mesin e të arrestuarve? Si është e mundshme as kryeshefi i SPB Shtip e as kryeshefi i Krim Policisë në Shtip, gjithashtu të mos jenë të përfshirë në hetim. Ministër Toshkovski, a keni pak ndërgjegje? Ju po kryeni terror dhe ndjekje politike vetëm për t’i mbrojtur ata që ju i keni emëruar dhe vendosur”, deklaroi Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse e LSDM-së.Për drejtësi selektive akuzon edhe BDI-ja opozitare, e cila thekson se hetimi është hakmarrje politike, por që kamuflohet si drejtësi. Sipas integristëve, përgjegjësia po kërkohet në mënyrë selektive dhe ka për qëllim eliminimin politik.“U mor një vendim që pothuajse të gjithë të ndaluarit të lirohen nga paraburgimi aktiv, përveç Kreshnik Bekteshit, i cili vazhdon të mbahet në paraburgim – një person që prej kohësh është në shënjestër të hakmarrjes politike…Kjo tashmë nuk është çështje individuale – por një model i rrezikshëm i drejtësisë selektive, që po shndërrohet në instrument për presion dhe eliminim politik…Kjo nuk është drejtësi – kjo është politikë e kamufluar si gjyqësor…BDI nuk mbron individë – por mbron drejtësinë si parim – të barabartë për të gjithë”, thonë nga BDI.Ndryshe, ka shkuar në 62 numri i viktimave nga tragjedia në Koçan. Një pacient që po trajtohej në Beograd ka ndërruar jetë gjatë ditës së sotme. Informacionin e kanë kon!rmuar edhe nga Ministria e Shëndetësisë. Kujtojmë se disa të lënduar nga zjarri që shpërtheu në diskotekën “Puls” më 16 mars të këtij viti, vazhdojnë të kurohen jashtë shtetit.Tragjedia në Koçan,Opozita me akuza ndaj pushtetit.
Lajme nga vendi
Kryeministri e quan të mirëseardhur konsolidimin e VLEN-it në një parti politike
Kryeministri Hristijan Mickoski nuk deshi të komentojë zhvillimet brenda koalicionit VLEN, përcjell TV21. Mickoski tha se ideja që VLEN të bëhet parti politike është e mirëseardhur dhe shtoi se ka komunikim të rregullt me liderët e koalicionit.
“Unë nuk do të mund të komentoj se cilat janë zhvillimet në koalicionin VLEN, unë mund vetëm të them se kam komunikim jashtëzakonisht korrekt me secilin anëtar të qeverisë që vjen nga koalicioni VLEN, do të thosha shumë të suksesshëm, të drejtpërdrejt. Kam komunikim të rregullt me kryetarët e partive politike që janë pjesë e VLEN-it, kështu që konsolidimi i tillë në një subjekt politik është i mirëseardhur në skenën politike të Maqedonisë, por për zhvillimet e brendshme nuk është kulturë që unë të komentoj”, tha Mikcoski.
Lajme nga vendi
Pas jurisprudencës edhe instruktorët e autoshkollave kërkojnë provim në shqip, heshtje në MPB
Një grup instruktorësh të autoshkollave kërkon që testi profesional për marrjen e licencës për instruktorë të auto-shkollave të jepet edhe në gjuhën shqipe përveç asaj maqedonase, megjithatë nga Ministria e Punëve të Brendshme heshtin, nuk tregojnë nëse do e ofrojnë provmin edhe në shqip, shkruan Portalb.mk.
Grupi i instruktorëve thekson se para pesë viteve u është premtuar se testi për licencë për instruktorë do të ofrohet edhe në gjuhën shqipe, në përputhje me Ligjin për përdorimin e gjuhëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, ky premtim nuk është realizuar deri më sot.
“Tani, kur testi do të mbahet këtë vit dhe afati është i afërt, situata bëhet edhe më shqetësuese. Kandidatët shqiptarë po përballen me padrejtësi dhe trajtim të pabarabartë, pasi testi për licencë për instruktorë vazhdon të mos ofrohet në gjuhën shqipe. Kërkojmë zgjidhje urgjente para mbajtjes së testit dhe marrjen e masave konkrete nga institucionet përgjegjëse, në mënyrë që kjo e drejtë ligjore të respektohet pa shtyrje të mëtejshme”, thuhet në kërkesën e instruktorëve.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme edhe pse të pyetur nga Portalb.mk, nuk tregojnë se pse nuk e ofrojnë këtë provim në shqip dhe nëse e kanë në plan të njëjtën.
Kujtojmë që para pak ditëve MPB-ja njoftoi kandidatët për ushtrimin e veprimtarisë si ligjërues dhe shofer -instruktor në autoshkollë, kontrollor, pyetës sipas programit mësimor të rregullave dhe rregulloreve të komunikacionit (pjesa teorike) dhe pyetës sipas programit mësimor të drejtimit të mjetit (pjesa praktike) në qendër të provimit, se dhënia e provimit profesional për aftësim për punë me qëllim të pajisjes me licencë për punë do të zhvillohet në ambientet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, përkatësisht në Qendrën e Trajnimit në Idrizovë.
“Kandidatët që kanë dorëzuar dokumentacion të plotë do të njoftohen, në përputhje me afatin e paraparë me ligj, për datën dhe orën e zhvillimit të provimit profesional”, tha MPB.
Ndryshe, kohën e fundit aktuale ka qenë edhe kërkesa e studentëve për mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, e cila shkaktoi reagime dhe përplasje politike.
Lajme nga vendi
Elfete Ismaili reagon ndaj dhunës në Armatë: “Respekt për uniformën do të thotë respekt për njeriun që e mban atë”
Elfete Ismaili, ish zëvendësministre e Mbrojtjes dhe kryetare e Asamblesë së Gruas pranë Aleanca për Shqiptarët, ka reaguar publikisht lidhur me rastet e raportuara të dhunës ndaj pjesëtarëve të Armatës, duke e cilësuar situatën si alarm serioz për çdo shtet që pretendon profesionalizëm dhe standarde demokratike.
Në reagimin e saj, Ismaili thekson se dhuna brenda strukturave të sigurisë, konkretisht në strukturat e Armatës, përbën cenim të dinjitetit njerëzor dhe të besimit institucional.
“Asnjë epror nuk ka të drejtë të abuzojë me autoritetin apo të cenojë dinjitetin dhe sigurinë e ushtarëve. Institucionet duhet të reagojnë me transparencë, përgjegjësi dhe masa të qarta, sepse heshtja vetëm e normalizon dhunën”, thuhet në reagim.
Ajo shton se kur një pjesëtar i Armatës dhunohet nga një epror, nuk kemi të bëjmë vetëm me një incident individual, por me cenim të hierarkisë së shëndoshë dhe të standardeve etike brenda institucionit. Sipas saj, autoriteti ushtarak buron nga përgjegjësia dhe shembulli, jo nga frika apo abuzimi.
Ismaili kërkon reagim të qartë, transparent dhe institucional nga organet kompetente, duke paralajmëruar se çdo tentativë për relativizim apo heshtje vetëm sa e thellon problemin.
“Armatës i duhet profesionalizëm, respekt dhe standarde të larta etike – jo frikë dhe abuzim me pushtetin. Respekt për uniformën do të thotë respekt për njeriun që e mban atë”, përfundon reagimi i saj.

