Lajme nga vendi
BDI: HISTORI PA SHQIPTARË – PROGRAMI I RI PËR KLASËN E VII-TË I FSHIN SHQIPTARËT NGA TEKSTET SHKOLLORE
Programi i ri i Byrosë për Zhvillim të Arsimit pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për lëndën “Histori dhe Shoqëri” në klasën e VII-të përfaqëson një hap prapa dhe një fyerje të rëndë për shqiptarët në këtë vend.
Ky dokument, që duhet të udhëzojë autorët në përgatitjen e librave shkollorë, i injoron plotësisht shqiptarët, kulturën, historinë dhe kontributin e tyre në shtetin tonë të përbashkët.
Në versionin e mëparshëm të këtij programi, të përgatitur nga qeveria e kaluar, qartazi kërkohej që nxënësit të mësojnë historinë e popullit të tyre dhe të popujve të tjerë që jetojnë në vend.
Aty nxitej ndërgjegjësimi për identitetin, bashkëjetesën dhe respektin ndërkulturor.
Në programin e ri, këto përmbajtje janë fshirë pa asnjë shpjegim. Mungon çdo përmendje për shqiptarët dhe për rolin e tyre në zhvillimet historike, kulturore dhe shoqërore të këtij shteti.
Ky nuk është një ndryshim teknik. Është një mesazh politik – për të krijuar një histori ku shqiptarët nuk ekzistojnë.
Është përjashtim i qëllimshëm nga rrëfimi i përbashkët dhe një përpjekje për të ndryshuar mënyrën se si brezat e rinj do ta kuptojnë këtë vend dhe ata që jetojnë në të.
Historia dhe shoqëria nuk mund të mësohen duke injoruar njërin nga popujt kryesorë të shtetit.
Programi i ri jo vetëm që ua mohon nxënësve shqiptarë të drejtën për të parë veten në librat shkollorë, por dëmton vetë përpjekjen për bashkëjetesë, barazi dhe respekt të ndërsjellë.
U bëjmë thirrje autoriteteve përgjegjëse që të tërheqin këtë program të njëanshëm dhe të rikthejnë një qasje gjithëpërfshirëse që reflekton realitetin shoqëror dhe historik të Maqedonisë së Veriut.
Shqiptarët nuk janë të padukshëm – as në të kaluarën, as në të tashmen, dhe nuk mund të përjashtohen nga asnjë faqe e historisë sonë të përbashkët.
Lajme nga vendi
“Vërshimet”, Tetova, Gostivari e Zhelina formojnë komisione për vlerësimin e dëmeve
Dhjetëra shtëpi të vërshuara, oborre të kthyera në liqene, por edhe rrugë të bllokuara dhe rrëshqitje dheu në disa vende. Ky është bilanci nga reshjet e dendura të shiut dhe dalja e lumenjve nga shtrati në rajonin e Pollogut. Komunat e Tetovës, Gostivarit dhe Zhelinës kanë filluar me formimin e komisioneve për vlerësim dhe evidentim të dëmeve, e në disa pika, edhe dislokim të banorëve nga objektet e banimit, si pasojë e rrezikut nga përmbytjet.
“Aktualisht po realizohen analiza të detajuara të rrezikshmërisë me qëllim që banorët e zonave ku siguria është cenuar, të zhvendosen në hapësira më të sigurta, dhe paralelisht po bëhet edhe evidentimi i objekteve të rrezikuara për të vërtetuar edhe statusin e tyre juridik. Sa i përket infrastrukturës rrugore, në rrugën e Banjës janë evidentuar rrëshqitje të mëdha të dheut dhe ekipet e komunës kanë ndërhyrë menjëherë për pastrim dhe normalizim të qarkullimit. Ndërhyrje janë realizuar edhe në Gjermë ku situata është më kritike”, tha Besarta Ramdani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.
“Zonat më të prekura në Komunën e Gostivarit kanë qenë, fshati Forinë, fshati Llakavicë, fshati Turçan i Vogël dhe disa lagje të qytetit, por ne si komunë, kemi bashkëpunuar me banorët dhe nga gjitha të dhënat që përmendëm më kritike ka qenë Forina. Për vlerësimin e dëmit, tani do formojmë një komision dhe do dalim në terren për të vlerësuar dëmet në fshatin Forinë dhe banorëve që janë prekur nga vërshimet”, u shpreh Safet Asani, komisioni për mbrojtje dhe shpëtim Komuna e Gostivarit.
Zona e fundit ku pati përmbytje një ditë më parë ishte fshati Strimnicë.
“Në këtë lagje afërsisht 12 shtëpi kanë dëme materiale që iu ka hy uji nëpër bodrume. Ne si ekipe e komunës ishim afër qytetarëve dhe u ndihmuam sa mundëm, andaj shpresoj që Ministria e Ekologjisë dhe institucionet më lartë të marrin masa që ky problem të përfundoj”, deklaroi Suad Alili, Ndërmarrja Publike Komuna e Zhelinës.
Sipas udhëheqësve të komunave dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe shpëtim përmbytjet janë si pasojë e mos pastrimit në kohë të shtretërve të lumenjve, dhe hedhjes së pakontrolluar të mbeturinave nëpër lumenj. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Kosova, 18 vjet shtet i pavarur, krerë shtetesh urojnë Kosovën
Lajme nga vendi
Badinteri në Kushtetuese, Kostadinovski: S’jemi organ politik

