Lajme nga vendi
Më shumë se 1000 propozime për ndryshimin e emrave të rrugëve dhe shkollave në Tetovë
Përskaj nismës së ndryshimit të emrave të rrugëve, në Tetovë janë shtuar kërkesat edhe për ndryshimin e emrit të disa shkollave. Individë të sektorit të arsimit thonë se disa emra të shkollave, madje nuk kanë asnjë domethënie as simbolike dhe as historike për qytetarët. Nga gjithësej pesë shkolla të mesme katër prej tyre kanë emra që nuk përkojnë me siç është rasti i shkollës së mjekësisë Nikolla Shtejn.
“Ato pak të dhëna që ne i kemi nuk themi dot se janë të sakta thjeshtë ka qenë një infermier partizan që as nuk është nga shteti ynë e as nuk lidhet diçka me vendin tonë. Meqë edhe jemi shkolla më e madhe në vend shpesh kemi kërkesa nga prindër e nxënës se përse shkolla nuk merr një emër që do lidhej qoftë me Tetovën qoftë me ndonjë personalitet të mjekësisë”, tha Malësore Ramadani, drejtoreshë e SHMK “Nikolla Shtejn”.
Kërkesa të këtilla ka pasur edhe në shkollat tjera.
“Në kuadër të Komunës së Tetovës funksionojnë pesë shkolla të mesme nga të cilat vetëm njëra nga to ka emrin “7Marsi” ndërsa katër të tjerat kanë emra të periudhës së komunizmit dhe realisht sipas kërkimeve që kemi bë për një shkollë që quhet Nikolla Shtejn, nuk ka të dhëna as në google apo mjete tjera kërkimore”, tha Nazmi Dauti, sektori për Arsim Tetovë.
Nisma të ngjashme për ndërrim të emrave të shkollave fillore dhe të mesme ka pasur disa herë, por shkaku i mungesës së kohezionit politik në pushtetin lokal, ndryshimi i tyre, gjithnjë ka dështuar.
Problemi me emrat e shkollave po hapet në të njëjtën kohë kur procedura për ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë është në fazën e debatit publik. Numri i propozimeve të dorëzuara në dy debatet e fundit publike ka arritur në 1050. Edhe pse sot duhej që të mbahet debati i tretë publik, debati është anuluar për javën e ardhshme, shkaku i festës së Pashkëve. Zëdhënësi i komunës Albion Alili për Alsat thotë se procedura zhvillohet pa përplasje.
“Pas debateve komisioni do të vlerësojë propozimet dhe biografitë e emrave të propozuar dhe do veprojë për emërtim të tyre. Realisht komisioni po punon në formën e paraparë dhe do veprohet. Nuk ka ndonjë përplasje siç plasohet në opinion, gjithëçka shkon si duhet”, u shpreh Albion Alili, zëdhënës i komunës së Tetovës.
Për momentin nuk ka ndonjë afat konkret se sa procedura do të zgjasë. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
MPB, të hënën në mëngjes grevë e doganierëve grekë në pikat kufitare
Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët se, sipas informacioneve të pranuara nga organet kompetente të Republikës së Greqisë, më 27.07.2026 (e hënë) është paralajmëruar grevë e punonjësve të doganave në pikat kufitare greke Evzoni (Bogorodicë), Dojrani (Dojran) dhe Niki (Mexhitli).
“Gjatë periudhës nga ora 05:00 deri në 09:00 sipas kohës së Maqedonisë (06:00–10:00 sipas kohës së Greqisë), në këto pika kufitare, automjetet e udhëtarëve do të lejohen të kalojnë çdo 10 minuta, ndërsa qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave do të jetë plotësisht i ndërprerë, si për hyrje ashtu edhe për dalje nga Republika e Greqisë”.
“Ministria e Punëve të Brendshme do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe do të angazhojë të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike për menaxhimin e situatës”, – thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
Ulet numri i rasteve të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Gostivar
Sipas të dhënave nga institucionet publike shëndetësore në Gostivar, gjatë ditës së djeshme (23.07.2026) janë regjistruar gjithsej 197 pacientë të rinj, përkatësisht persona që për herë të parë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, çka tregon një ulje krahasuar me një ditë më parë.
Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar janë regjistruar gjithsej 117 vizita të reja, prej të cilave 82 në repartin e sëmundjeve infektive (pa shtrime të reja në spital dhe me tre pacientë të liruar), 40 në repartin e pediatrisë dhe 7 vizita në Qendrën e Urgjencës.
Në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë regjistruar 80 vizita të reja në shërbimin kujdestar, si dhe 13 thirrje në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë.
Lajme nga vendi
Hetime për kredinë hungareze 1 miliardë € që mori Maqedonia e Veriut, urdhëron Magyar
Qeveria në Hungari, e udhëhequr nga Péter Magyar, do të hetojë nëse ka pasur keqpërdorim të mundshëm të fondeve shtetërore në lidhje me kredinë prej një miliard eurosh që “Eximbanka” shtetërore ia dha Maqedonisë së Veriut.
Kështu njoftoi dje Magyar, i cili, siç raportuan mediat vendase, ndau se kredia e marrë nga Maqedonia e Veriut është një nga katër rastet e lidhura me “Eximbank”-un, për të cilat sot Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës ka dorëzuar ankesa, shkruan Fokus.
„Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dorëzoi katër ankesa të enjten për mashtrim të dyshuar në vlerë totale prej një mijë miliardë forintash, në katër raste të ndryshme. Të gjitha kanë të bëjnë me aktivitetet e ‘Eximbank’-ut“ – tha Magyar.
Ai theksoi se kredia u dha në kushte shumë të favorshme me një normë interesi prej 3,25 për qind.
Kredia, tha ai, do t’i kushtojë buxhetit hungarez 90 miliardë forinta (rreth 248 milionë euro) për shkak të diferencave të interesit.
„Kjo paraqet një barrë prej 90 miliardë forintash (rreth 248 milionë euro) për buxhetin hungarez, ndërsa shteti hungarez mori përsipër garanci 100 për qind për kredinë nën udhëheqjen e qeverisë së Orbanit“, tha Magyar.
Sipas tij, norma e interesit me të cilën “Eximbanka” shtetërore i dha kredinë Maqedonisë është shumë më e favorshme se normat e interesit me të cilat kompanitë hungareze dhe qytetarët e vendit marrin hua.(INA)

