Lajme nga vendi
Orari i punës i Shërbimeve administrative të MPB-së gjatë festave të Pashkëve
Ministria e Punëve të Brendshme në prag të festave të ardhshme të Pashkëve, kumtoi se sot të gjitha Seksionet për punë administrative pranë Repartit për punë administrative të MPB-së, përveç Repartit për punë administrative Shkup, do të punojnë në periudhën prej orës 08:00 deri 16:00.
Reparti për punë administrative Shkup, megjithatë, respektivisht njësitë e tij organizative sot do të punojnë me këtë orar:
Pika Prolet – me dy turne prej orës 07:30 deri 19:30;
Pika TVM – me dy turne prej orës 07:30 deri 19:30, ndërsa me periudhën e njëjtë do të punojnë edhe pikat në Beko dhe Gjorçe Petrov;
Pikat Draçevë dhe Butel do të punojnë në një turn në periudhë prej orës 10:00 deri ora 18:00.
MPB-ja i njofton qytetarët se fotografimi për dokumente personale do të bëhet pa caktim të terminit, ndërsa dhënia e dokumenteve do të bëhet rregullisht.
Nesër (e shtunë 19.04) do të punojnë vetëm sportelet për dhënie të dokumenteve personale në TVM dhe Beko nga ora 08:00 deri ora 16:00.
Lajme nga vendi
Mickoski: Lufta sistematike kundër ekonomisë gri
Politika jonë është e qartë – financa publike të qëndrueshme dhe standard jetese i mbrojtur. Do të vazhdojmë me disiplinë në të ardhurat, me përgjegjësi në shpenzime dhe me ndjeshmëri ndaj nevojave reale të qytetarëve, porositi sot kryeministri Hristian Mickoski në fjalimin e tij në konferencën vjetore “Formalizimi i ekonomisë joformale: Përmes bashkëpunimit drejt suksesit”.
Lufta kundër ekonomisë gri, theksoi kryeministri, nuk është fushatë, por proces, kontrolli i çmimeve nuk është populizëm, por mbrojtje e qytetarëve.
Do të jemi të fortë dhe të drejtë. Si ndaj atyre që shmangin detyrimet, ashtu edhe ndaj atyre që përpiqen të përfitojnë nga krizat, sepse detyrimi ynë është i qartë – ekonomi me rregulla, treg me ligje, shtet me dinjitet”, tha Mickoski.
Ai vuri në dukje se ekonomia gri është e ardhur e humbur për shtetin, mundësi e humbur për paga më të larta, spitale më të mira, shkolla moderne, pensione më të sigurta… “Ajo krijon konkurrencë jo të ndershme, shkatërron besimin në institucionet dhe demotivon çdo person që punon në mënyrë të ndershme. Qëllimi ynë është i qartë – ekonomia formale të bëhet më e rëndësishme se ajo joformale, të jetë më e lehtë, më fitimprurëse dhe më e sigurt të punohet ligjërisht, tha Mickoski, duke theksuar se lufta kundër ekonomisë gri nuk mund të jetë vetëm inspektuese, por sistematike.

Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska, theksoi se me Planin e rishkikuar të veprimit 2026-2027 do të vendosë një qëllim të qartë dhe të matshëm për uljen e ekonomisë joformale nga 28,9% të BPV-së deri në fund të vitit 2027.
“Në zbatimin e saj, veçanërisht e rëndësishme është përfshirja aktive e të gjitha institucioneve relevante në zbatimin e Strategjisë dhe masave të saj. Një mesazh i qartë për bashkëpunim dhe përfshirje aktive në zbatim e dërgojmë edhe përmes nënshkrimit sot të Deklaratës për partneritet dhe veprim, me të cilën shprehim angazhimin e përbashkët për formalizimin e ekonomisë joformale. Ajo përbën një hap të rëndësishëm drejt trajtimit sistematik dhe të koordinuar të ekonomisë joformale dhe tregon përkushtimin e përbashkët të institucioneve, komunitetit të biznesit, organizatave sindikale dhe komunitetit akademik”, tha Dimitrieska Koçoska.
Lajme nga vendi
Dy pjesëtarë të ARM-së sulmohen fizikisht nga eprori, përfundojnë në spital
Dy ushtarë nga kazerma “Jane Sandanski” në Shtip njëri 40 vjeçar dhe tjetri 28 vjeçar kanë përfunduar në spital me lëndime të rënda trupore. Burime të Alsat bëjnë të ditur se 40 vjeçari nga Kratova, epror në kazermë ka sulmuar fizikisht një ushtar profesionist shqiptar nga Shkupi, përcjell Alsat.mk.
Nga MPB thonë se gjatë kryerjes së detyrave zyrtare ka ndodhur incident.
“Më 17.02.2026 në ora 01:00 në SPB Shtip nga Klinika e Shtipit është denoncuar se tek ta me lëndime trupore janë sjellë E.H (28) nga fshati Studeniçan i Shkupit dhe D.A (40) nga Kratova, dy ushtarë profesionistë të punësuar në ARMV në kazermën “Jane Sandanski” në Shtip. Pas ndërmarrjes së masave është konstatuar se lëndimet i kanë marrë gjatë kryerjes së detyrave në poligonin ushtarak “Penush” në Shtip, gjatë kryerjes së realizimit të ushtrimeve”, njoftojnë nga MPB.
Lëndimet i konfirmojnë edhe nga Armata e RMV-së. Nga atje nuk zbardhin detaje se në çfarë rrethanash ka ndodhur incidenti por vetëm njoftojnë se që të dy pjesëtarët janë në gjendje të mirë shëndetësore.
“Ju informojmë se për dy personat tanimë janë ndërmarrë masa në përputhje me rregullat ekzistuese. Ju informojmë se dy personat janë në gjendje të mirë shëndetësore. Armata ngelet e përkushtuar në respektimin e procedurave dhe standardeve gjatë kryerjes së aktiviteteve”, thonë nga ARM.
Sulmi fizik ndaj një ushtari profesionist nuk është i vetmi në kazermën e Shtipit pasi më herët atje ka pasur edhe disa incidente të tjera. Muaj më parë një ushtar me iniciale F.J pati përfunduar në Spitalin Psikiatrik pas disa sjelljeve të çuditshme në kazermë. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Maqedonia nis procedurat për linjë ajrore direkte me Arabinë Saudite
Nga Ministria e Transportit njoftojnë se kanë nisur procedurën për nënshkrimin e Marrëveshjes për Transportin Ajror me Mbretërinë e Arabisë Saudite. Nga Ministria thonë se qëllimi i marrëveshjes është krijimi i një kornize ligjore që do të mundësojë hapjen e linjave ajrore të rregullta mes Maqedonisë dhe Arabisë Saudite.
“Duam të theksojmë se deri më tani, nuk ka pasur transport ajror ndërmjet të dy vendeve. Marrëveshja krijon kushte liberale dhe fer për veprimtarinë e operatorëve ajrorë, duke nxitur konkurrencën, uljen e çmimeve për udhëtarët, si dhe mundësinë për ofrimin e shërbimeve të reja dhe më cilësore. Në të njëjtën kohë, Marrëveshja garanton nivelin më të lartë të sigurisë dhe mbrojtjes në transportin ajror, në përputhje me standardet ndërkombëtare. Maqedonia dhe Arabia Saudite mbajnë marrëdhënie miqësore, me angazhim të përbashkët për avancimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, rritjen e investimeve, si dhe thellimin e bashkëpunimit në fusha të tjera me interes të përbashkët”, thonë nga Ministria e Transportit.
Nga MT thonë se pritet që krijimi i linjave ajrore të rregullta mes të dy vendeve të kontribuojë në rritjen e bashkëpunimit ekonomik, turizmit, shkëmbimit tregtar dhe marrëdhënieve bilaterale në përgjithësi.

