Lajme nga vendi
Rritet importi i veturave të përdorura në Maqedoni
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Doganave, në katër muajt e parë të këtij viti, importi i veturave të përdorura është rritur në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ndërsa importi i veturave të reja është zvogëluar, shkruan Faktor.
Shifrat tregojnë se nga janari deri në fund të prillit të këtij viti janë importuar 24.023 vetura të përdorura nga jashtë, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar numri i këtyre importeve ka qenë 18.328.
Shikuar sipas muajve, marsi i këtij viti kryeson në blerjen e automjeteve të përdorura, me 8375 automjete të importuara, pasuar nga 5666 në muajin prill dhe një shifër e ngjashme në shkurt, pra 5560, ndërsa janari ishte më i dobëti me 4422 vetura të përdorura të importuara.
Në të njëjtën periudhë, gjatë vitit të kaluar, në janar janë importuar 3.367 automjete të përdorura, në shkurt 4.658, në mars 4.906, ndërsa në prill kjo shifër është rritur në 5.397.
Sipas të dhënave nga Drejtoria e Doganave, në katër muajt e parë të këtij viti është shënuar rënie e numrit të veturave të reja të importuara në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Gjegjësisht, nga janari deri në fund të prillit të këtij viti, në vend janë importuar 3.911 vetura të reja, që është 146 më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur u importuan 4.057 vetura të reja.
Në janar të këtij viti, importi i veturave të reja ka nisur mbarë dhe janë blerë 735 vetura, nga 583 në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Por, shkurti i këtij viti ishte më i dobët, me 1035 vetura të reja të importuara, krahasuar me 1164 në shkurt të vitit të kaluar. Në mars të këtij viti janë importuar 978 vetura të reja, krahasuar me 1.064 në mars të vitit të kaluar, ndërsa në prill të këtij viti qytetarët kanë blerë 1.163 vetura të reja, ndërsa në prill të vitit të kaluar ky numër ka qenë 1.276.
Kujtojmë se përafërsisht, një veturë e përdorur, e vjetër rreth 10 vjet, në gjendje solide, kushton rreth 7,000 euro. Nëse para disa viteve mund të gjenit veturë në gjendje të mirë me 3,000 euro, kjo tani më po bëhet e pamundur. Një nga arsyet e çmimit të lartë të automjeteve të përdorura në vend janë edhe taksat ndaj shtetit, që janë shumë të larta.
Lajme nga vendi
Privohet nga liria një 44-vjeçar nga Gostivari tentoi t’i sulmojë gruan dhe vajzën e tij
Më 09.02.2026 në ora 02:15, punonjës policie nga SP Gostivar kanë privuar nga liria një burrë 44-vjeçar nga Gostivari. paraprakisht, në ora 01:25, bashkëshortja e tij 43-vjeçare ka denoncuar se ai ka tentuar t’i sulmojë atë dhe vajzën e tyre. Ai është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit do t’i përgatitet parashtresë përkatëse.
Lajme nga vendi
Në vendbanimin Hanet e Mavrovës gjatë kontrollit të automjetit është gjetur marihuanë
Më 08.02.2026 në ora 20:00, në vendbanimin Hanet e Mavrovës, punonjës policie nga Stacioni Policor Mavrovë kanë privuar nga liria personat G.D. (28) dhe D.A. (28) nga Shkupi, të cilët po transportoheshin me automjetin pasagjerë „Golf“ me targa të Shkupit, i drejtuar nga G.D.. Gjatë kontrollit të automjetit është gjetur marihuanë. Ata janë ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit do t’u përgatitet parashtresë përkatëse.
Lajme nga vendi
Incident në një bastore në Tetovë: kërcënohet punonjësja dhe thyhet xhami i pultit
Më 08.02.2026 në ora 20:15, në SPB Tetovë, A.M. (31) nga fshati Bellovisht, e punësuar në një bastore sportive në Tetovë, ka raportuar se personi B.B. (65) nga Tetova është sjellë në mënyrë agresive dhe e ka kërcënuar punonjësen, pas së cilës ka thyer xhamin e pultit.
Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.

