Lajme nga rajoni
Ngërçi në Parlamentin e Kosovës! Dështon për të 26-ën herë konstituimi i Kuvendit
Që nga 1 maji, për të tetëmbëdhjetën herë, deputetët kanë refuzuar të formojnë një komision që do të mbikëqyrte një votim të fshehtë për kreun e ri të Kuvendit.
Votimi i fshehtë është propozuar nga kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, pasi e propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, disa herë nuk ka arritur të sigurojë 61 vota për t’u zgjedhur në krye të organit ligjvënës.
Çështja e votimit të fshehtë është dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese nga partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.
Ato vlerësojnë se mënyra se si LVV-ja po tenton që kryetari i ri i Kuvendit të zgjidhet përmes votës së fshehtë është jokushtetuese, duke kërkuar nga Gjykata që të marrë “një masë të përkohshme për ndalimin e mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë lëndë dhe të marrë një vendim”.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe sërish refuzuan, në vazhdimin e seancës konstituive më 4 qershor, që të propozonin një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.
Saranda Bogujevci nga LVV-ja tha se partia e saj është në pritje të vendimit të Kushtetueses, ndërkaq shtoi se kanë informacione se disa deputetë janë të gatshëm të votojnë për kryeparlamentarin pas vendimit të gjykatës.
Faton Peci, pjesë e koalicionit me LVV-në, tha se në ditët e fundit ka pasur takim mes LVV-së dhe Nismës Socialdemokrate të Fatmir Limajt, duke thënë se Limaj shihet si partner i mundshëm për qeverisje.
Limaj, partia e të cilit ka tri ulëse në Kuvend, deklaroi se vendi duhet të ketë një shumicë parlamentare, duke shprehur bindjen se Kosova së shpejti do t’i ketë institucionet e reja.
Seanca konstituive pritet të vazhdojë të enjten, më 5 qershor. Kjo është hera e parë që nga nisja e seancës konstituive më 15 prill, që vazhdimi i seancës bëhet pas 24 orësh, pasi deri më tani vazhdimet janë bërë çdo 48 orë. Ky vendim u mor nga kryesuesi Avni Dehari, në konsultim me përfaqësuesit e partive, me qëllim që seanca të mos vazhdonte të premten, kur është festa e Bajramit.
PDK-ja dhe AAK-ja e konsiderojnë Haxhiun si një figurë jounifikuese, duke kërkuar nga LVV-ja ta ndryshojë kandidatin për kryeparlamentar. LDK-ja, ndërkaq, ka thënë se nuk do të votojë asnjë kandidat të LVV-së për këtë post.
LVV-ja, si partia fituese e zgjedhjeve të shkurtit, ka të drejtën ekskluzive të propozimit të kandidatit për kryeparlamentar. Kjo parti ka thënë se nuk do ta ndryshojë kandidatin, duke theksuar se Haxhiu e meriton të zgjidhet në këtë pozitë.
Për ta konstituuar Kuvendin, deputetët duhet të zgjedhin kryetarin e ri dhe pesë nënkryetarët, për të cilët nevojiten 61 vota.
Vetëm pas zgjedhjes së tyre, organi ligjvënës konsiderohet i konstituuar, dhe pas kësaj hapet rruga për formimin e Qeverisë së re të Kosovës./REL/
Lajme nga rajoni
Film ndërkombëtar për Reçakun dhe luftën në Kosovë, pjesë e kastit edhe legjenda e kinemasë Robert De Niro
Një film ndërkombëtar që do të trajtojë luftën e Kosovës pritet të mbledhë dhjetëra aktorë të njohur të Hollywood-it, përfshirë edhe legjendën e kinemasë Robert De Niro.
Lajmin e ka bërë të ditur producenti nga Kosova, Fitim Krasniqi, i cili prej vitesh realizon filma për tregun ndërkombëtar.
Projekti i ri, sipas tij, do të bazohet në një histori tejet personale — historinë e trishtë të babait të tij, të ndërlidhur me një nga ngjarjet më të dhimbshme të luftës në Kosovë.
Në një intervistë me Blendi Fevziun, Krasniqi konfirmoi se Robert De Niro do të luajë rolin e babait të tij.
“Është historia e babait tim, dhe masakrën e Reçakut, dhe luftës që ka ndodhur në Kosovë nga fillimi deri në fund”, ka deklaruar ai, shkruan Telegrafi, transmeton Periskopi.
Producenti ndau me emocion edhe rrëfimin e dhimbshëm për fatin e të atit, i cili gjatë luftës ishte plagosur dhe më pas djegur për së gjalli, një histori që tani do të shndërrohet në një film me mesazh të fuqishëm njerëzor.
Krasniqi pohoi se në këtë projekt do të marrin pjesë 71 aktorë nga Hollywood-i, ndër ta edhe Robert De Niro, dhe se të gjitha kontratat tashmë janë nënshkruar.
Ai konfirmoi gjithashtu se De Niro ka pranuar të portretizojë rolin e babait të tij.
Xhirimet për filmin pritet të nisin vitin e ardhshëm, pasi fillimisht ishin planifikuar të fillonin këtë vit, por janë shtyrë për arsye organizative.
Lajme nga rajoni
Krijoi profil të rremë me logon e bankës dhe ofronte kredi false — 1 i arrestuar, 2 të proceduar në Tiranë
Goditet një rast të mashtrimit kompjuterik në Tiranë, ku për pasojë u arrestua autori kryesor i rastit, si dhe u proceduan dy të tjerë. Në kuadër të operacionit u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i shtetasit Orlando Gjoka, 21 vjeç banues në Laç, si dhe u proceduan penalisht, në gjendje të lirë, shtetasit D. G., 23 vjeç dhe E. Gj., 21 vjeç. Shtetasi O. Gj. kishte krijuar një profil të rremë në rrjete sociale, duke përdorur logon dhe emrin e bankës, me qëllim mashtrimin e qytetarëve. Ai kontaktonte qytetarët, përmes platformave të ndryshme online, duke iu ofruar kredi të rreme pranë bankës, ndërsa nëpërmjet aksesit të paautorizuar në llogaritë e tyre bankare, arrinte të boshatiste fondet. Në rastet kur llogaritë nuk kishin para, ai i shtynte qytetarët të depozitonin shuma nga 750 deri në 1 500 euro, me premtimin e rremë të një kredie prej 15 000 eurosh. Falë bashkëpunimit të ngushtë mes ekspertëve të Krimit Kibernetik dhe Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, u bë i mundur ndalimi i autorit kryesor dhe ndërprerja e veprimtarisë së paligjshme. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të skemës dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Falsifikimi kompjuterik”, “Mashtrim kompjuterik”, “Ndërhyrje kompjuterike” dhe “Keqpërdorimi i thirrjeve telefonike”.
Lajme nga rajoni
Sot varoset studentja 25-vjeçare nga Gjakova ‘Pusho e qetë në Parajsë, dritë e syve të mi’! Babai rrëqeth me fjalët e ndjera për bijën e humbur
Babai i Daorsa Spahijës, studentes 25-vjeçare nga Gjakova, e cila u gjet e vdekur të mërkurën mbrëma në Tetovë, ka shpërndarë një postim emocionues në rrjetet sociale pas humbjes tragjike të vajzës së tij.
Në postimin e tij, ai ka ndarë një fotografi të së bijës dhe ka shkruar: “Pusho e qetë në Parajsë, dritë e syve të mi”. Ky mesazh ka prekur thellë zemrat e miqve dhe të njohurve të familjes, të cilët e kanë shprehur ngushëllimin dhe solidaritetin e tyre.
Vajza e ndjerë, Daorsa, do të varroset sot në varrezat e qytetit të Gjakovës, në orën 14:00. Familja dhe të afërmit do të mblidhen për ta nderuar dhe kujtuar të dashurën e humbur, ndërsa qyteti i Gjakovës ka shprehur mbështetje për tragjedinë që ka goditur këtë familje.
Për momentin, ende nuk janë dhënë detaje të plota mbi shkakun e vdekjes së Daorsa Spahijës, por hetimet vazhdojnë.
-
Lajme nga rajoni1 month agoTirana mirëpret në tetor Forumin e parë të Investimeve BE-Ballkani Perëndimor
-
Lajme nga vendi2 weeks agoBilall Kasami : Mega projekti që po bëhet realitet investim prej 70 milionë denarëve Tetova po transformohet
-
Lajme nga rajoni2 months agoNë Nju York emërtohet rruga “Isa Boletini” në muajin e Pavarësisë

