Lajme nga rajoni
Porositi vrasjen e gruas, Naim Murseli del sot para gjykatës! Vëllai i Liridona Ademajt: Dhimbja po shtohet, fëmijët po rriten pa nënë
Pak orë para mbajtjes së seancës gjyqësore në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, vëllai i saj, Leonardi, ka thënë se familjes po i shtohet dhimbja teksa ka uruar që gjykimi të përfundojë shpejt.
“Sot në ora 13.20 vazhdon gjykimi për vrasjen e Liridonës tonë. I ftojmë mediat që ta përcjellin seancën. Dhimbja po na shtohet dhe nuk gjejmë asnjë ngushëllim sa herë e mendojmë dhe e shohim se si dy fëmijë të vegjël po rriten pa nënën e tyre. Urojmë që gjykimi të përfundojë shpejt”, ka shkruar ai në Facebook.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Naim Murseli dyshohet se ka organizuar vrasjen e bashkëshortes së tij për motive hakmarrjeje dhe përfitim financiar nga një sigurim jetësor në Suedi në vlerë prej rreth 260 mijë eurosh. Për vrasjen, në aktakuzë thuhet se e ka planifikuar bashkë me Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën, duke i porositur për ta kryer vrasjen në këmbim të një pagese prej 30 mijë eurosh.
Në seancën fillestare më 31 janar 2025, Murseli është deklaruar i pafajshëm. Plava nuk është deklaruar rreth fajësisë, ndërsa Kokalla ka kërkuar kohë për t’u konsultuar me mbrojtjen.
Ndërkohë, Tom Dodaj e ka pranuar fajësinë për shitjen e armës dhe është dënuar me 5 vjet burgim dhe një gjobë prej 5 mijë eurosh.
Lajme nga rajoni
Transportuesit nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina vazhdojnë bllokadat, të martën takim i ministrave të Ballkanit Perëndimor me KE-në
Transportuesit e mallrave nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina vazhdojnë të bllokojnë terminalet kufitare të ngarkesave për ditën e pestë, ndërsa transportuesit në Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut e kanë ndërprerë bllokadën pasi Komisioni Evropian publikoi një strategji të re vizash që pritet të zgjidhë problemin me kufizimet për qëndrimin e shoferëve profesionistë në zonën Shengen, përcjell TV21.
Të martën, më 3 shkurt, do të mbahet një takim i ministrave nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor me përfaqësues të Komisionit Evropian për problemin e transportuesve nga rajoni në zonën Shengen, për çka shefi i Delegacionit të BE-së në Bosnje dhe Hercegovinë, Luigi Soreca, e informoi mbrëmë kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës, Borjana Krishto.
Ata biseduan përmes telefonit për ndërprerjen e qarkullimit të pandërprerë të mallrave dhe funksionimin e transportit ndërkombëtar, të shkaktuar nga bllokadat në terminalet kufitare të ngarkesave drejt vendeve të BE-së.
Strategjia e re e vizave e BE-së, e prezantuar nga Komisioni Evropian, siç u njoftua, do t’u ndihmojë transportuesve nga Ballkani Perëndimor, pasi “BE dëshiron të sigurojë rregulla më fleksibël për punëtorët transkufitarë”.
Shoferët e kamionëve nga Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina filluan të bllokojnë pikat kufitare të hënën, më 26 janar, duke konsideruar se sistemi i ri i kontrollit të hyrjes dhe daljes (EES) në zonën Shengen diskriminon transportuesit nga BE-ja.
Lajme nga rajoni
Aksion i madh antidrogë në Serbi, kapen 5 tonë marihuanë
Policia e Serbisë, në bashkëpunim me Prokurorinë Publike për Krimin e Organizuar, sekuestroi pesë tonë drogë, të llojit marihuanë. Operacioni u zhvillua në fshatin Konjuh, afër Krushevcit në Serbinë qendrore më 29 janar.
Sipas ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, ky është sekuestrimi më i madh i drogës në Serbi deri më tani. Vlera e drogës së kapur vlerësohet të jetë nga 7 deri në 10 milionë euro.Daçiq tha se në këtë aksion janë arrestuar N.S. (1986) dhe R.S. (1958), ndërsa për një person tjetër vazhdojnë kërkimet mbi dyshime se kanë kryer vepra penale për prodhimin dhe posedimin e paautorizuar të narkotikëve dhe për posedim dhe tregtim të paligjshëm të armëve dhe mjeteve plasëse.
Përveç drogës, janë gjetur edhe armë zjarri, të paktën katër pushkë automatike dhe një raketë që hidhet nga krahu, si dhe para në vlerë prej rreth 12.700 eurosh.
Prokuroria Publike për Krimin e Organizuar në Serbi njoftoi se të arrestuarit dyshohen se janë pjesëtarë të një grupi të organizuar kriminal.
Në njoftimin e prokurorisë serbe u tha po ashtu se ky grup i organizuar kriminal e kishte magazinuar marihuanën në hapësirat e kompanisë Florakom d.o.o., prej nga ajo shpërndahej në Beograd, ku shitjen.
Autoritetet në Serbi thanë se po vazhdojë kontrollet, ndërsa të dyshuarit, pas ndalimit policor do të dërgohen në prokurori për t’u marrë në pyetje.
Lajme nga rajoni
Mali i Zi shfuqizon dispozitën ligjore për të dielën si ditë jopune
Gjykata Kushtetuese e Malit të Zi rrëzoi dispozitën ligjore nga viti 2019, me të cilën u vendos e diela jopune në tregti, duke e shpallur antikushtetuese, pasi me të shkelet liria e sipërmarrjes dhe parimi i barazisë së të gjithëve para ligjit.
“Gjykata vlerësoi se me dispozitën në fjalë shkelet liria e sipërmarrjes e garantuar me Kushtetutë, si dhe parimi kushtetues i barazisë së të gjithëve para ligjit, pasi një grupi sipërmarrësish/tregtarësh i është mundësuar të ushtrojë veprimtarinë të dielave dhe në ditët e festave shtetërore dhe të tjera, ndërsa një grupi tjetër i është ndaluar”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të publikuar të mërkurën.
Unioni i Punëdhënësve të Malit të Zi i paraqiti Gjykatës Kushtetuese një nismë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 35a të Ligjit për tregtinë e brendshme, me të cilin parashikohej se tregtia me shumicë dhe pakicë nuk mund të ushtrohet të dielave dhe në ditët e festave shtetërore dhe të tjera, përveç një numri të vogël përjashtimesh.
Gjykata arsyetoi se, duke i lejuar një grupi sipërmarrësish (farmacitë, pastiçeritë, furrat e bukës, kioskat e shtypit, dyqanet e suvenireve, luleshitësit, dyqanet e pajisjeve funerale, dyqanet për mbrojtjen e bimëve, stacionet e karburantit, tregjet, etj.) të punojnë, ndërsa një grupi tjetër jo, një grup i ekonomistëve është vënë në pozitë të pabarabartë në raport me tjetrin.
“Kjo ndalesë nuk ka justifikim objektiv dhe të arsyeshëm, nga aspekti i detyrimit kushtetues të shtetit për t’u siguruar të gjithë sipërmarrësve pozitë të barabartë në treg. Për më tepër, ndalimi i punës të dielave dhe në ditët e festave shtetërore dhe të tjera vetëm për disa tregtarë ka sjellë kufizim të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe shkelje të parimit kushtetues të harmonisë së akteve juridike”, thuhet në vendim.
Gjykata konstatoi se në procedurën e miratimit janë shkelur dispozitat që lidhen me ndalimin e punës të dielave dhe në ditët e festave shtetërore dhe të tjera, si dhe përjashtimet nga kjo ndalesë.
“Gjykata Kushtetuese nuk cenon të drejtën e ligjvënësit që në mënyrë tjetër të rregullojë ushtrimin e tregtisë me shumicë dhe pakicë të dielave, por me respektimin e vlerave themelore kushtetuese përkatëse, përkatësisht të të mirave kushtetuese të mbrojtura, për të cilat Gjykata Kushtetuese ka dhënë udhëzime në këtë vendim.”
Ndalimi i punës së dyqaneve të dielave dhe në ditët e festave shtetërore dhe të tjera mbetet në fuqi deri në publikimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese në Fletoren Zyrtare të Malit të Zi.

