Lajme nga bota
Izraeli sulmon portin Hodeidah në Jemen, kërcënon me bllokadë detare dhe ajrore

Marina e Izraelit e ka goditur të martën portin Hodeidah të Jemenit në Detin e Kuq, ndërsa ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, i ka kërcënuar rebelët Huthi me një bllokadë detare dhe ajrore, nëse i vazhdojnë sulmet ndaj Izraelit.
Televizioni “Al Masirah”, i kontrolluar nga Huthit, raportoi se Izraeli i kreu dy sulme ndaj dokeve të portit Hodeidah.
Ushtria izraelite tha në një komunikatë se marina e saj goditi shënjestrat e Huthëve, duke shtuar se porti përdoret nga rebelët Huthi për të transportuar armë.
Nuk është raportuar për viktima deri më tani.
Sulmet ndodhën pasi ushtria izraelite të hënën u bëri thirrje njerëzve të largohen nga portet e kontrolluara nga Huthit në Ras Isa, Hodeidah dhe Salif.
“Ne paralajmëruam organizatën terroriste Huthi se, nëse vazhdon të qëllojë me armë drejt Izraelit, do të përballen me një përgjigje të fuqishme dhe do t’i nënshtrohen një bllokade detare dhe ajrore”, tha Katz në “X”.
Që nga fillimi i luftës në Gazë në tetor të vitit 2023, rebelët Huthi – aleatë të Iranit – kanë kryer sulme ndaj Izraelit dhe ndaj anijeve në Detin e Kuq, duke penguar tregtinë globale. Ata thonë se e bëjnë këtë në shenjë solidariteti me palestinezët.
Shumica e dhjetëra raketave dhe dronëve të lëshuar drejt Izraelit janë shkatërruar ose janë rrëzuar para se t’i arrinin shënjestrat. Izraeli ka kryer një sërë sulmesh hakmarrëse ndaj Huthit.
Izraeli i ka dobësuar ndjeshëm aleatët e tjerë të Iranit në rajon – Hezbollahun e Libanit dhe grupin palestinez Hamas, i cili është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian.
Ndërkohë, rebelët Huthi të mbështetur nga Teherani dhe grupet e armatosura proiraniane në Irak, ende qëndrojnë në këmbë./ REL
Lajme nga bota
Zvicerani thyen rekordin botëror për qëndrimin më të gjatë në borë

Një person nga Zvicra e ka vënë në test qëndrueshmërinë e tij ndaj të ftohtit duke thyer rekordin botëror të Guinnessit duke kaluar më shumë se dy orë i mbuluar me borë, derisa të veshur kishte vetëm disa brekë të larjes.
Elias Meyer, një garues i peshëngritjes, ka thënë se ka vendosur ta marrë titullin si njeriu që ka qëndruar më së gjati me tërë trupin në borë, pasi ka zbuluar se ende askush nuk e ka kapur kohën prej 2-oresh.
Rekordi i mëhershëm është vendosur nga një polak, Valerjan Romanvoski në vitin 2022, i cili ka qëndruar 1 orë e 45 minuta e 2 sekonda.
Ai ka thënë se më shumë e ka penguar pesha e borës sesa i ftohti.
Atleti ka shtuar se ai ka dashur të tregojë se “trupi është i aftë të përballojë gjëra të pabesueshme”.
Lajme nga bota
Moska kërcënon Serbinë, Vuçiç në Ukrainë për herë të parë, Rusia lëshon raketa e dronë

Aleksandër Vuçiç shkel tokën e Ukrainës për herë të parë që prej shpërthimit të luftës. Presidenti Serb ka udhëtuar në mënyrë surprizë drejt vendit që po i reziston përpjekjes së Rusisë për pushtim, ndërsa pritet të marrë pjesë në samitin “Ukrainë-Europa Juglindore”.
Njoftimi vjen nga vetë zyra e presidentit të Serbisë. Kjo nuk është përtypur mirë nga Rusia, që ka ashpërsuar gjuhën me akuza ndaj Beogradit zyrtar se po dërgon në Ukrainë municione dhe armatime. Zëdhënsja e ministrisë së jashtme, Maria Zakharova, përdori një ton kërcënues teksa shtroi pyetjen për vendin aleat se në anën e kujt janë, të Moskës, apo të atyre që i quajti “neonazistë”.
“Ata që flasin për dëshirën për të zhvilluar marrëdhënie me Rusinë, për të ndërtuar një dialog me të, duhet së pari të pyesin veten nëse janë në anën e së vërtetës apo të neonazizmit”, u shpreh zyrtarja. Zakharova u pyet nga gazetarët nëse kjo vizitë e Vuçiç në Odesa është detyruar nga perëndimi që i bën presion vazhdimisht, pasi javë më parë ishte në Sheshin e Kuq të Moskës për Paradën e Fitores.
“Duhet të shtrohet pyetja se me kë do të shoqërohet. Çfarë idesh do të ndajnë ata që janë atje? Me kë do të identifikohen? Regjimi i Kievit është një regjim që i lavdëroi kriminelët nazistë”, shtoi mes tjerash zëdhënësja e ministrisë së jashtme ruse. Nga fjalët, Moska kaloi në vepra. Në qytetin ku mbahet samiti Ukrainë-Europa Juglindore, ushtria e Rusisë lëshoi një sulm masiv me dronë dhe raketa. Përveç Odesës, trupat e Putinit kanë bombarduar edhe rajone të tjera. Në Kharkiv raportohen viktima dhe të plagosur, ndërsa mbrojtja ajrore ukrainase konfirmon se ka rrëzuar 40 dronë nga 85 të lëshuar gjithsej.
Lajme nga bota
Gjendet e vdekur në pyll në Gjermani 28-vjeçarja shqiptare, arrestohet autori i dyshuar, ende mister

Një 28-vjeçare shqiptare është vrarë me armë zjarri në Gjermani më 5 qershor. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në qytetin Wadern, në shtetin e Saarland-it. Lajmi është raportuar nga mediumi gjerman Bild, i cili shkruan se trupi i pajetë i gruas është gjetur pranë një pylli, afër autostradës midis Hermeskeil dhe Nonnweiler.
Autoritetet gjermane dyshojnë se vrasjen e ka kryer një shtetas gjerman, 34 vjeç. Ai është arrestuar mbrëmjen e së njëjtës ditë nga Policia e Saarland-it në lagjen Wadrill të Wadern.
Përmes hetimeve intensive, një burrë 34-vjeçar nga Saarland u identifikua si i dyshuar. Policia e Saarland e arrestoi atë mbrëmë në lagjen Wadrill të Wadern”, ka njoftuar Shtabi i Policisë së Trier.
Trupi i pajetë i viktimës është gjetur të enjten rreth orës 05:30 të mëngjesit. Deri tani nuk ka informacion zyrtar për natyrën e plagëve apo shkakun e saktë të vdekjes.
Sipas policisë, viktima dhe i dyshuari njiheshin me njëri-tjetrin. Në momentin e arrestimit, policia ka gjetur edhe armë zjarri te i dyshuari, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim. Hetimet mbi motivin e mundshëm dhe rrethanat e plota të kësaj vrasjeje tragjike janë ende në zhvillim.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve