Lajme nga vendi
Qytetarët të zhytur deri në fyt në “kredi të shpejta”, shumica nuk mund t’i kthejnë
Qytetarët në Maqedoninë e Veriut nuk mund të marrin kredi që kalojnë 70 për qind të të ardhurave të tyre. Kjo është arsyeja pse rreth 30 mijë kredi të shpejta, që arrijnë vlerën e afërsisht 20 milionë eurove, nuk mund të kthehen nga qytetarët ndaj këtyre shoqërive financiare.
Nga Grupi i Shoqërive Financiare thuhet se për këtë arsye janë ashpërsuar kriteret për miratimin e kredive.
Sipas kryetarit të Grupit të Shoqërive Financiare Jo-Bankare pranë Odës Ekonomike, Nikola Joshevski, është e nevojshme të përmirësohet shërbimi ndaj klientëve dhe të rritet përgjegjësia gjatë procesit të kreditimit.
Biljana Mishiq, nënkryetare e Grupit, shpjegoi se ndryshe nga bankat që në vlerësimin për miratim të kredisë i marrin parasysh të ardhurat e përgjithshme të familjes, shoqëritë jo-bankare i konsiderojnë vetëm të ardhurat e aplikantit.
Nga Grupi bëjnë të ditur se kontrollet janë ashpërsuar dhe se qytetarët do të mund të paraqesin ankesë pranë Odës Ekonomike nëse nuk respektohet Kodi Etik, sipas të cilit janë të obliguara të punojnë 20 shoqëri që janë pjesë e Grupit.
“Financiarisht ne nuk mund të vendosim gjoba, por nëse shkelet Kodi ose nëse një shoqëri financiare merr dy vërejtje ose gjoba nga Ministria e Financave, ne mund ta qortojmë atë nga ana e Odës, dhe në rastin më të rëndë mund ta përjashtojmë nga Oda, përkatësisht nga grupi,” – shtoi Joshevski.
Për shkak të konkurrencës së madhe, siç theksohet nga Grupi, në periudhën e fundit interesat janë ulur ndjeshëm dhe po afrohen me normat që aplikohen nga bankat për kreditë konsumatore.
Numri i shoqërive financiare në vend është zvogëluar nga 36 në 27, pasi nëntë prej tyre kanë humbur licencat, u theksua në konferencën për shtyp që u mbajt sot në Odën Ekonomike.(INA)
Lajme nga vendi
“Vërshimet”, Tetova, Gostivari e Zhelina formojnë komisione për vlerësimin e dëmeve
Dhjetëra shtëpi të vërshuara, oborre të kthyera në liqene, por edhe rrugë të bllokuara dhe rrëshqitje dheu në disa vende. Ky është bilanci nga reshjet e dendura të shiut dhe dalja e lumenjve nga shtrati në rajonin e Pollogut. Komunat e Tetovës, Gostivarit dhe Zhelinës kanë filluar me formimin e komisioneve për vlerësim dhe evidentim të dëmeve, e në disa pika, edhe dislokim të banorëve nga objektet e banimit, si pasojë e rrezikut nga përmbytjet.
“Aktualisht po realizohen analiza të detajuara të rrezikshmërisë me qëllim që banorët e zonave ku siguria është cenuar, të zhvendosen në hapësira më të sigurta, dhe paralelisht po bëhet edhe evidentimi i objekteve të rrezikuara për të vërtetuar edhe statusin e tyre juridik. Sa i përket infrastrukturës rrugore, në rrugën e Banjës janë evidentuar rrëshqitje të mëdha të dheut dhe ekipet e komunës kanë ndërhyrë menjëherë për pastrim dhe normalizim të qarkullimit. Ndërhyrje janë realizuar edhe në Gjermë ku situata është më kritike”, tha Besarta Ramdani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.
“Zonat më të prekura në Komunën e Gostivarit kanë qenë, fshati Forinë, fshati Llakavicë, fshati Turçan i Vogël dhe disa lagje të qytetit, por ne si komunë, kemi bashkëpunuar me banorët dhe nga gjitha të dhënat që përmendëm më kritike ka qenë Forina. Për vlerësimin e dëmit, tani do formojmë një komision dhe do dalim në terren për të vlerësuar dëmet në fshatin Forinë dhe banorëve që janë prekur nga vërshimet”, u shpreh Safet Asani, komisioni për mbrojtje dhe shpëtim Komuna e Gostivarit.
Zona e fundit ku pati përmbytje një ditë më parë ishte fshati Strimnicë.
“Në këtë lagje afërsisht 12 shtëpi kanë dëme materiale që iu ka hy uji nëpër bodrume. Ne si ekipe e komunës ishim afër qytetarëve dhe u ndihmuam sa mundëm, andaj shpresoj që Ministria e Ekologjisë dhe institucionet më lartë të marrin masa që ky problem të përfundoj”, deklaroi Suad Alili, Ndërmarrja Publike Komuna e Zhelinës.
Sipas udhëheqësve të komunave dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe shpëtim përmbytjet janë si pasojë e mos pastrimit në kohë të shtretërve të lumenjve, dhe hedhjes së pakontrolluar të mbeturinave nëpër lumenj. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Kosova, 18 vjet shtet i pavarur, krerë shtetesh urojnë Kosovën
Lajme nga vendi
Badinteri në Kushtetuese, Kostadinovski: S’jemi organ politik

