Lajme nga vendi
Ikja e një heroi të heshtur – Osman Afizi, simbol i sakrificës dhe përkushtimit kombëtar
Para disa ditësh u nda nga jeta atdhetari dhe veprimtari i çështjes kombëtare, Osman Afizi, nga fshati Brezë i Karadakut, një emër që pak fliste për veten, por që shumë kishte bërë për kombin.
Osmani vinte nga një familje patriotike, me rrënjë të thella atdhedashurie. Por edhe vetë ishte një hallkë e fortë e këtij zinxhiri të pavdekshëm, shkruan agjencia e lajmeve INA.
Ai nuk kërkoi kurrë lavdi, nuk doli në skenë, por veproi në heshtje dhe me përkushtim të rrallë. Ishte një nga ata që mbajnë barrën e kombit në shpinë, pa bërë zhurmë, pa kërkuar duartrokitje.
Gjatë luftës së Kosovës, Osmani me kamionin e tij të modifikuar – ku kishte instaluar një bunker të fshehtë – ngarkonte armët në Dibër dhe përmes rrugëve malore të Karadakut, i dërgonte në Kosovë për t’i shërbyer UÇK-së.
Më vonë, me veturën e tij Mercedes-Benz, kishte transportuar qindra djem të rinj drejt Shqipërisë, ku trajnoheshin ushtarakisht dhe më pas bashkoheshin me radhët e ushtrisë çlirimtare.
Ai ishte heroi i heshtur i furnizimit, i organizimit, i lidhjes mes rrugëve të lirisë dhe shpirtit të sakrificës.
Pas luftës, Osmani mbeti i njëjti. Nuk e shfrytëzoi asnjëherë emrin, as kontributin për përfitime personale. Por nuk heshti përballë padrejtësive. Ishte zë kritik ndaj realitetit të rëndë të shqiptarëve, veçanërisht në Maqedoni. Përdorte rrjetet sociale për të ngritur zërin kundër gabimeve dhe dështimeve të klasës politike shqiptare. Ishte zëri i ndërgjegjes dhe dhembjes.
Sot, ai nuk është më fizikisht mes nesh, por vepra e tij nuk do të vdesë kurrë. Ai vendosi një gur të rëndë në kalanë e shqiptarisë – dhe për këtë duhet të jemi thellësisht mirënjohës.
Lavdi jetës dhe veprës së Osman Afizit!
Qoftë i përjetshëm kujtimi për një burrë të rrallë që jetoi për kombin, jo për veten.
Lajme nga vendi
“Vërshimet”, Tetova, Gostivari e Zhelina formojnë komisione për vlerësimin e dëmeve
Dhjetëra shtëpi të vërshuara, oborre të kthyera në liqene, por edhe rrugë të bllokuara dhe rrëshqitje dheu në disa vende. Ky është bilanci nga reshjet e dendura të shiut dhe dalja e lumenjve nga shtrati në rajonin e Pollogut. Komunat e Tetovës, Gostivarit dhe Zhelinës kanë filluar me formimin e komisioneve për vlerësim dhe evidentim të dëmeve, e në disa pika, edhe dislokim të banorëve nga objektet e banimit, si pasojë e rrezikut nga përmbytjet.
“Aktualisht po realizohen analiza të detajuara të rrezikshmërisë me qëllim që banorët e zonave ku siguria është cenuar, të zhvendosen në hapësira më të sigurta, dhe paralelisht po bëhet edhe evidentimi i objekteve të rrezikuara për të vërtetuar edhe statusin e tyre juridik. Sa i përket infrastrukturës rrugore, në rrugën e Banjës janë evidentuar rrëshqitje të mëdha të dheut dhe ekipet e komunës kanë ndërhyrë menjëherë për pastrim dhe normalizim të qarkullimit. Ndërhyrje janë realizuar edhe në Gjermë ku situata është më kritike”, tha Besarta Ramdani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.
“Zonat më të prekura në Komunën e Gostivarit kanë qenë, fshati Forinë, fshati Llakavicë, fshati Turçan i Vogël dhe disa lagje të qytetit, por ne si komunë, kemi bashkëpunuar me banorët dhe nga gjitha të dhënat që përmendëm më kritike ka qenë Forina. Për vlerësimin e dëmit, tani do formojmë një komision dhe do dalim në terren për të vlerësuar dëmet në fshatin Forinë dhe banorëve që janë prekur nga vërshimet”, u shpreh Safet Asani, komisioni për mbrojtje dhe shpëtim Komuna e Gostivarit.
Zona e fundit ku pati përmbytje një ditë më parë ishte fshati Strimnicë.
“Në këtë lagje afërsisht 12 shtëpi kanë dëme materiale që iu ka hy uji nëpër bodrume. Ne si ekipe e komunës ishim afër qytetarëve dhe u ndihmuam sa mundëm, andaj shpresoj që Ministria e Ekologjisë dhe institucionet më lartë të marrin masa që ky problem të përfundoj”, deklaroi Suad Alili, Ndërmarrja Publike Komuna e Zhelinës.
Sipas udhëheqësve të komunave dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe shpëtim përmbytjet janë si pasojë e mos pastrimit në kohë të shtretërve të lumenjve, dhe hedhjes së pakontrolluar të mbeturinave nëpër lumenj. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Kosova, 18 vjet shtet i pavarur, krerë shtetesh urojnë Kosovën
Lajme nga vendi
Badinteri në Kushtetuese, Kostadinovski: S’jemi organ politik

