Lajme nga vendi
NGA BANKAT E SHKOLLËS NË TREGUN E PUNËS, ARSIMI DUAL SHPRESË E RE!
Në një kohë kur të rinjtë përballen me dilema të mëdha në zgjedhjen e së ardhmes së tyre profesionale, dhe kur shumë prej tyre e shohin emigrimin si zgjidhje, investimi në arsim nuk është luks është nevojë emergjente. Iniciativa e fundit e Qeverisë së RMV-së për të financuar me 50 milionë denarë 1.570 bursa për nxënësit në arsimin e mesëm dual, nuk është thjesht një masë ekonomike është një investim strategjik për të ardhmen, shkruan Zhurnal.
Zgjohen institucionet kthehet fokusi në vendin e duhur, investime në arsim –
Në fillim të vitit shkollor 2025/2026, nxënësit që do të regjistrohen në paralelet duale do të përfitojnë 3.500 denarë në muaj për nëntë muaj radhazi. Por më e rëndësishme se shifra është filozofia që qëndron pas kësaj mase: lidhja konkrete midis shkollës dhe tregut të punës. Përmes bashkëpunimit me 550 kompani vendore, arsimi i mesëm profesional nuk do të jetë më një “sistem paralel” i izoluar, por pjesë përbërëse e zhvillimit ekonomik të vendit.
Arsimi dual i cili kombinon orët teorike në shkollë me trajnimin praktik në kompani përfaqëson një nga modelet më të suksesshme të arsimit profesional në vendet me ekonomi të zhvilluar si Gjermania, Zvicra apo Austria. Zbatimi i tij në Maqedoninë e Veriut është një hap i guximshëm drejt reformës së thellë të sistemit arsimor, duke e shndërruar shkollën në një mjedis ku dija lidhet drejtpërdrejt me nevojat e tregut.
Ky model jo vetëm që e rrit shanset për punësim të të rinjve pas mbarimit të shkollës, por edhe i fuqizon ata si individë të pavarur ekonomikisht dhe të motivuar për të qëndruar në vend. Në këtë mënyrë, luftohet njëkohësisht edhe papunësia rinore, edhe braktisja e arsimit profesional, që shpesh shihet si zgjedhje e “dytë” në raport me gjimnazin apo universitetin.
Në komunikatën e Qeverisë thuhet me të drejtë: “Arsimi është shtylla më e rëndësishme e zhvillimit të Maqedonisë”. Dhe nëse kjo nuk do të mbetet vetëm një deklaratë, duhet që ky investim të mos jetë masë e vetme dhe afatshkurtër, por pjesë e një strategjie të qëndrueshme kombëtare, ku çdo nxënës që zgjedh rrugën e arsimit profesional të ndjehet i barabartë në mundësi dhe dinjitet me çdo nxënës tjetër.
Ky është momenti për të ndërtuar një sistem arsimor që nuk prodhon vetëm diploma, por kuadro të zotë, të përgatitur, të aftë të kontribuojnë në ekonomi, në komunitet dhe në demokracinë vendore.
Të investosh në arsim, do të thotë të investosh në shpresë –
Të rinjtë nuk janë thjesht pasqyra e së ardhmes ata janë forca lëvizëse e çdo të tashme që synon përparimin. Nëse një shtet dëshiron të ecë përpara, nuk ka rrugë tjetër përveçse të ndërtojë me kujdes themelin mbi të cilin rritet çdo brez, arsimin.
Të investosh në arsim do të thotë të japësh një mesazh të qartë se secili i ri, pavarësisht prejardhjes apo statusit, ka vend në ndërtimin e shoqërisë. Kur një sistem arsimor nuk mbështet vetëm njohuritë teorike, por edhe aftësitë praktike, kur i ndihmon të rinjtë të ndërtojnë rrugën e tyre drejt jetës së pavarur ai sistem bëhet motor i zhvillimit dhe i drejtësisë shoqërore.
Në këtë kontekst, paralelet duale nuk janë thjesht një alternativë e re, por një transformim thelbësor i mënyrës se si e kuptojmë shkollimin profesional. Ato ofrojnë mundësinë që mësimi të mos kufizohet brenda katër mureve të klasës, por të zgjerohet nëpër kompani, industri dhe fusha konkrete të punës aty ku formohen jo vetëm profesionistët, por edhe qytetarët aktivë dhe të përgjegjshëm.
Kur të rinjtë ndihen të vlerësuar, të përfshirë dhe të përgatitur për sfidat reale, ata nuk e kërkojnë më rrugën e emigrimit, por rrënjët e kontributit. Ata nuk shohin më të ardhmen jashtë, por e ndërtojnë brenda.
Në fund të ditës, ky nuk është vetëm një investim financiar. Është një investim në besimin që të rinjtë kanë tek shteti, në aftësinë e shoqërisë për të dëgjuar nevojat e tyre dhe për t’u përgjigjur me politika që sjellin dinjitet, jo varësi. Është një investim në shpresën kolektive, në një vend që nuk e sheh të ardhmen si rrezik për t’u shmangur, por si mundësi për t’u përqafuar së bashku. /Zhurnal.mk
Lajme nga vendi
“Vërshimet”, Tetova, Gostivari e Zhelina formojnë komisione për vlerësimin e dëmeve
Dhjetëra shtëpi të vërshuara, oborre të kthyera në liqene, por edhe rrugë të bllokuara dhe rrëshqitje dheu në disa vende. Ky është bilanci nga reshjet e dendura të shiut dhe dalja e lumenjve nga shtrati në rajonin e Pollogut. Komunat e Tetovës, Gostivarit dhe Zhelinës kanë filluar me formimin e komisioneve për vlerësim dhe evidentim të dëmeve, e në disa pika, edhe dislokim të banorëve nga objektet e banimit, si pasojë e rrezikut nga përmbytjet.
“Aktualisht po realizohen analiza të detajuara të rrezikshmërisë me qëllim që banorët e zonave ku siguria është cenuar, të zhvendosen në hapësira më të sigurta, dhe paralelisht po bëhet edhe evidentimi i objekteve të rrezikuara për të vërtetuar edhe statusin e tyre juridik. Sa i përket infrastrukturës rrugore, në rrugën e Banjës janë evidentuar rrëshqitje të mëdha të dheut dhe ekipet e komunës kanë ndërhyrë menjëherë për pastrim dhe normalizim të qarkullimit. Ndërhyrje janë realizuar edhe në Gjermë ku situata është më kritike”, tha Besarta Ramdani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.
“Zonat më të prekura në Komunën e Gostivarit kanë qenë, fshati Forinë, fshati Llakavicë, fshati Turçan i Vogël dhe disa lagje të qytetit, por ne si komunë, kemi bashkëpunuar me banorët dhe nga gjitha të dhënat që përmendëm më kritike ka qenë Forina. Për vlerësimin e dëmit, tani do formojmë një komision dhe do dalim në terren për të vlerësuar dëmet në fshatin Forinë dhe banorëve që janë prekur nga vërshimet”, u shpreh Safet Asani, komisioni për mbrojtje dhe shpëtim Komuna e Gostivarit.
Zona e fundit ku pati përmbytje një ditë më parë ishte fshati Strimnicë.
“Në këtë lagje afërsisht 12 shtëpi kanë dëme materiale që iu ka hy uji nëpër bodrume. Ne si ekipe e komunës ishim afër qytetarëve dhe u ndihmuam sa mundëm, andaj shpresoj që Ministria e Ekologjisë dhe institucionet më lartë të marrin masa që ky problem të përfundoj”, deklaroi Suad Alili, Ndërmarrja Publike Komuna e Zhelinës.
Sipas udhëheqësve të komunave dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe shpëtim përmbytjet janë si pasojë e mos pastrimit në kohë të shtretërve të lumenjve, dhe hedhjes së pakontrolluar të mbeturinave nëpër lumenj. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Kosova, 18 vjet shtet i pavarur, krerë shtetesh urojnë Kosovën
Lajme nga vendi
Badinteri në Kushtetuese, Kostadinovski: S’jemi organ politik

