Lajme nga vendi
Një i vdekur dhe një i lenduar në Ohër

Mbrëmë rreth orës 23:00, në rrugën Bulevardi Turistike në Ohër, pranë Mini Marketit, ndodhi një aksident i rëndë trafiku. Një shofer i veturës Golf me targa të Ohrit humbi kontrollin mbi automjetin dhe goditi direkt dy këmbësorë.
Nga forca e përplasjes, të dy personat pësuan lëndime të rënda kërcënuese për jetën. Njëri prej tyre, i lindur në vitin 1980, ndërroi jetë nga plagët e marra, gjë që u konfirmua nga mjekët në spitalin “Shën Erazmo” në Ohër. Personi tjetër ka pësuar fraktura në tre brinjë dhe lëndime të tjera të rënda trupore.
Jozyrtarisht, shkaku i aksidentit dyshohet të ketë qenë një sulm epileptik i shoferit, i cili shkaktoi tragjedinë.
Lajme nga vendi
Qeveria: E rrisim efikasitetin energjetik përmes shfrytëzimit të burimeve të ripërtërishme të energjisë

Në rreth 50 shkolla në territorin e Maqedonisë gjatë periudhës së verës do të vendosen panele fotovoltaike.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka nënshkruar një grant të pakthyeshëm prej 1.1 milionë euro për investime në burime të ripërtërishme të energjisë me Bankën për Zhvillim pranë Këshillit të Evropës.
Me këtë jo vetëm që kursejmë shpenzimet financiare, por edhe fitojmë mundësinë që mjetet t’i riinvestojmë në projekte të tjera infrastrukturore, mjete digjitale për nxënësit në shkolla, si dhe për tekste shkollore.
Angazhimi ynë si Qeveri është të rrisim efikasitetin energjetik përmes shfrytëzimit të burimeve të ripërtërishme të energjisë.
Me hapa konkrete, masa dhe projekte, jo vetëm që kursejmë mjete buxhetore, por gjithashtu kontribuojmë në uljen e ndotjes së mjedisit jetësor.
Qeveria punon me vizion dhe qëllim, e ai është përmirësimi dhe avancimi i sistemit arsimor.
U obliguam para qytetarëve, po realizojmë dhe po përmbushim.
Shteti është në rrugën e ndryshimeve.
Lajme nga vendi
ASH kundër VLEN: Asgjë konkrete për ligjin që garanton barazi për shqiptarët

Aleanca për Shqiptarët e udhëhequr nga Arben Taravari shpreh shqetësimin e saj për deklaratat e fundit të zyrtarëve të koalicionit VLEN, konkretisht Arben Fetait dhe Izet Mexhitit, të cilët, sipas ASH-së, po keqinformojnë opinionin shqiptar lidhur me projektligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat në institucionet shtetërore.
“Deklarimet se projektligji është “gati” dhe pritet vetëm miratimi nga Qeveria, sipas ASH-së, përbëjnë një përpjekje për të mashtruar qytetarët shqiptarë për qëllime elektorale, veçanërisht në prag të zgjedhjeve lokale.
Në të vërtetë, vetë Kryeministri i Arben Fetait, Hristijan Mickoski, ka deklaruar se projektligji do të dërgohet për shqyrtim në Komisionin e Venedikut – një proces që mund të zgjasë me muaj ose edhe vite përpara se të kthehet për miratim në Kuvend.
Sipas kësaj partie, projektligji nuk ka nevojë për interpretim ndërkombëtar, pasi bazohet në sistemin e Balansuesit dhe kërkon vetëm ndryshime teknike për të adresuar keqpërdorimet në emër të përkatësisë etnike gjatë punësimeve.
Dërgimi i tij në Komisionin e Venedikut është një alibi politike për të vonuar procesin, duke u përdorur si mjegull për të mashtruar shqiptarët nga ana e VLEN-it dhe për të kënaqur partnerin maqedonas të koalicionit, VMRO-DPMNE-në.
Në këtë kontekst, VLEN po i shet opinionit shqiptar një projektligj të papërfunduar si një punë të kryer, ndërkohë që Kryeministri Mickoski po i mashtron zyrtarët shqiptarë në Qeveri – përfshirë z. Fetai, z. Mexhiti dhe z. Kasami – me premtime të zbrazëta.
Aleanca për Shqiptarët u bën thirrje të gjitha forcave politike shqiptare që të mos bien pre e kësaj loje politike, që synon vetëm blerjen e kohës dhe vonimin e miratimit të ligjit.
Ne mbetemi të përkushtuar për një përfaqësim real dhe të drejtë të shqiptarëve në institucionet shtetërore, jo përmes propagandës, por përmes ligjit, mekanizmave efikas dhe zbatimit të menjëhershëm të tij”, reagon ASH.(INA)
Lajme nga vendi
Nikolloski: Po punojmë për tren urban, tramvaj dhe autobusë të rinj për Shkupin

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, deklaroi se përmirësimi i ndjeshëm i cilësisë së ajrit në Shkup mund të arrihet me realizimin e tre projekteve kyçe, si vendosja e trenit urban, autobusët e rinj dhe vendosja e tramvajit.
Nikolloski tha se qeveria po punon në këtë drejtim.
“Për versionin më të vogël të projektit të trenit urban po punojmë me mjete vetanake, ndërsa versioni i madh do të jetë pjesë e të ashtuquajturit ‘projekt britanik’. Pra, pjesë e hekurudhës së shpejtë do të jetë edhe treni i madh urban për Shkupin. Sa i përket projektit të dytë, ndërrimit të autobusëve, po e them ekskluzivisht – është shpallur thirrja për furnizimin me 120 autobusë ekologjikë, nga të cilët 80 do të jenë për Shkupin. Dhe gjëja e tretë që i duhet patjetër Shkupit është tramvaji”.
“Nëse i realizojmë këto tre gjëra, mendoj se pjesa më e madhe e ndotjes nga automjetet do të reduktohet. Burimi i dytë i ndotjes ka të bëjë me ngrohjen – për këtë, kryeministri tashmë ka paralajmëruar një agjendë më ambicioze, me të cilën do të përpiqemi të sjellim ngrohje qendrore në pjesën më të madhe të amvisërive”, theksoi Nikolloski në Kanal 5.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve