Lajme nga vendi
BDI: Largimi i 155 motrave medicinale nga Spitali i Tetovës është akt i turpshëm diskriminues dhe politikisht i motivuar
Nga Bashkimi Demokratik për Integrim shprehin indinjatën dhe shqetësim për siç thonë, vendimin e Qeverisë aktuale OBRM-VLEN për mosdhënien e pëlqimit për marrëdhënie të përhershme pune për 155 motra medicinale në Spitalin Klinik të Tetovës, gra profesioniste, nëna dhe shtylla të qindra familjeve, të cilat me vite të tëra shërbyen me përkushtim ndaj pacientëve dhe sistemit shëndetësor të vendit.
Nga BDI thonë se “një vendim i tillë është jo vetëm i padrejtë dhe politikisht i motivuar, por bart në vete edhe elemente të diskriminimit të hapur etnik dhe gjinor”.
“Në vend që të vlerësohet profesionalizmi dhe sakrifica e këtyre punonjëseve, shumë prej të cilave ishin në vijën e parë të përballjes me pandeminë, atyre u është kthyer shpina në mënyrën më të padenjë të mundshme. BDI, si parti shtetformuese që ka kontribuar në ndërtimin e sistemit të barabartë dhe të drejtë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, e konsideron këtë vendim një precedent të rrezikshëm, që dëmton seriozisht besimin në institucionet shtetërore, minon themelet e bashkëjetesës dhe rikthen logjikën përjashtuese të së kaluarës”.
“Është e papranueshme që në një shtet që aspiron integrimin evropian, të përjashtohen me një të rënë të lapsit 155 nëna e motra shqiptare, për shkak të një qasjeje të mbyllur, të politizuar dhe të verbër ndaj realitetit shoqëror të vendit. BDI kërkon shfuqizimin e menjëhershëm të këtij vendimi dhe rivendosjen e punonjëseve në vendet e tyre të punës me karakter të përhershëm”.
“Qeveria aktuale duhet të kuptojë se luajtja me fatin e njerëzve dhe me dinjitetin e gruas nuk do të kalojë pa pasoja politike. Heshtja nuk është më opsion. Reagimi qytetar është i pashmangshëm, dhe ai do të jetë masiv dhe i drejtë në mbrojtje të barazisë, dinjitetit dhe të drejtës për të punuar në vendin tënd, pa frikë dhe pa përjashtim”, thonë nga BDI.
Lajme nga vendi
Badinteri në Kushtetuese, Kostadinovski: S’jemi organ politik
Lajme nga vendi
4 nisma kundër sistemit Safe City i janë adresuar Gjykatës Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese ka formuar katër lëndë lidhur me sistemin “Safe City” që hyri në fuqi nga data një i këtij muaji dhe shumë shpejt pritet që për të njëjtat të diskutohet. Vërejtja kryesore është se sistemi në tërësi është diskriminues pasi i njëjti është vendosur vetëm në Shkup, Kumanovë e Tetovë. Kreu i Gjykatës Kushteteuse, Darko Kostadinovski thotë se mentaliteti ynë ndryshon vetëm me rregulla.
“Shpejtë do të veprohet mbi këto lëndë dhe nuk mund të jap analiza para kohe. Qëndrimi im personal është se ky projekt ka qëllim legjitim, është i arsyetueshëm në shoqëri, masat që parasheh janë proporcionale me qëllimin që duhet të arrihet. Mentaliteti ynë ndryshon shumë shpejt por ndryshon me rregull”, deklaroi Darko Kostadinovski – Kryetar i Gjykatës Kushtetuese.
Dy prej iniciativave janë dorëzuar nga dy krahët e Aleancës për Shqiptarët, ajo e Selës dhe ajo e Taravarit. Sipas tyre, projekti diskriminon qytetarët në baza etnike pasi kamerat kryesisht janë koncentruar në zonat dhe vendbanimet shqiptare. U kontestua gjithashtu edhe obligimi ligjor që të gjithë qytetarët të kenë numra telefoni dhe adresa elektronike që të realizohet komunikim për dërgimin e gjobave për kundërvajtje. Me 81 vota “PËR” Kuvendi më 23 janar miratoi ndryshimet në ligjin për kundërvajtje.
Badenterin e mundësuan deputetët Ilir Demiri dhe Bejxhan Iljas të cilët në Kuvend veprojnë si të pavarur. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Ndryshimet e fundit në Kodin Penal parashohin masa të rrepta tashmë edhe traktorët që konstatohen të parregullt do të konfiskohen?!
Ndryshimet e fundit në Kodin Penal parashohin masa të rrepta për sigurinë në rrugë, ku përveç makinave, tashmë edhe traktorët që konstatohen të parregullt teknikisht ose të paregjistruar do të konfiskohen menjëherë nga policia.
Fokus i veçantë i këtyre ndryshimeve janë traktorët që qarkullojnë pa sinjalizim adekuat (dritat e pasme), fenomen ky që ka shkaktuar reagime të shumta në opinion dhe ka qenë burim i aksidenteve të rënda.
Pse po ndërmerret kjo masë?
Sipas të dhënave nga Ministria e Punëve të Brendshme, çdo sezon bujqësor regjistrohen dhjetëra aksidente ku mjetet e udhëtarëve godasin traktorët nga mbrapa.
Mungesa e dritave: Shumica e traktorëve në zonat rurale lëvizin gjatë natës ose në muzg pa drita të pasme, duke u bërë “të padukshëm” për shoferët e tjerë.
Pasojat fatale: Çdo vit, një numër i konsiderueshëm i këtyre aksidenteve përfundojnë me viktima në njerëz.
Çfarë parashohin ndryshimet ligjore?
Nëse një traktorist ndalohet në trafik dhe mjeti i tij:
Nuk është i regjistruar;
Ka parregullsi teknike (sidomos në sistemin e dritave dhe frenimit); … policia ka autoritetin e plotë për odzim (konfiskim) të mjetit në vendngjarje.
Kjo masë synon të rrisë ndërgjegjësimin e bujqve për rëndësinë e mirëmbajtjes së mjeteve të tyre të punës, duke mbrojtur kështu jetën e të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion

