Lajme nga vendi
VLEN: BDI pranoi fajsinë për fshirjen e mërgatës
BDI pranoi fajsinë për fshirjen e mërgatës
Të nderuar qytetarë, shumë të respektuara media
Sot, para syve të opinionit publik dhe mediave, Bashkimi Demokratik për Integrim pranoi publikisht fajësinë për njërën nga padrejtësitë më të rënda dhe antikushtetuese ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, fshirjen e mërgatës nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2021 përmes metodologjisë skandaloze që i ndau banorët në rezident dhe jo rezident.
Në vend që të japë llogari për këtë akt të rëndë politik e kombëtar, ata iu shmangën çdo përgjegjësie, duke heshtur për faktin se regjistrimi u bë në kohën kur BDI ishte në pushtet dhe kishte përfaqësuesin e vet në Entin Shtetëror të Statistikave.
VLEN e pyet publikisht BDI-në:
Pse e fshitë mërgatën shqiptare nga regjistrimi zyrtar?
Cili ishte pazari i pistë politik që bëtë dhe me kë?
Pse përjashtuat nga vendimmarrja shqiptarët e diasporës që për dekada kanë kontribuar për këtë vend?
Ky është një akt i paprecedent, që ka cenuar të drejtën themelore të mërgatës për të qenë pjesë përbërëse e popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut ,jo vetëm emocionalisht, por edhe ligjërisht dhe institucionalisht.
Tashmë është e qartë: BDI, bashkë me shokët nongrata, jo vetëm që heshtën për këtë padrejtësi për katër vite rresht, por sot e pranuan se kanë qenë bashkëorganizatorë të këtij procesi të padrejtë, ndërsa nuk dhanë asnjë përgjigje për dëmin e bërë.
Ndërkohë që mërgimtarët u lanë jashtë, BDI sot po bën pazare të reja për lista të përbashkëta në zgjedhjet lokale. A është kjo një paralajmërim për një marrëveshje të re të fshehtë mes BDI-së dhe patericave të saj? Me këtë marrëveshje apo e amnistojnë aleatët e ri BDI-në për këtë akt të turpshëm?
Të nderuar,
VLEN ju garanton të gjithëve këto padrejtësi nuk do të mbeten pa u ndëshkuar. Në tetor 2025, përgjigja më e fuqishme do të vijë nga qytetarët dhe nga mërgata, të cilët do të zgjedhin barazi, drejtësi dhe përfaqësim të dinjitetshëm, jo pazare dhe manipulime.
VLEN do të vazhdojë t’ia kujtojë opinionit shqiptar të gjitha vendimet antishqiptare të regjimit të kaluar. Ata që përjashtuan mërgatën, do të përjashtohen edhe nga pushteti lokal. Dhe këtë do ta bëjnë qytetarët me votën e tyre!
VLEN sepse shqiptarët nuk harrojnë! VLEN sepse mërgata është pjesë e pandashme e kombit tonë!
Lajme nga vendi
NDOTET LUMI VARDAR, KOMUNA E GOSTIVARIT NIS HETIMET PËR ZBULIMIN E AUTORIT
Lajme nga vendi
Studentët kërkojnë mbështetje për protestën: Jurisprudenca edhe në shqip
Unionet e studentëve nga Universiteti i Tetovës, Universiteti “Nënë Tereza” dhe Universiteti i Evropës Juglindore kanë intensifikuar thirrjet për mbështetje ndaj protestës së paralajmëruar më 6 prill në ora 12:30 në Shkup.
Në një komunikatë publike, ata i janë drejtuar mediave, shoqërisë civile dhe aktivistëve, duke kërkuar përfshirje dhe mbështetje për kauzën e tyre. Studentët theksojnë se po përballen me padrejtësi të vazhdueshme, pasi nuk u lejohet dhënia e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, një të drejtë e garantuar me Kushtetutë dhe ligj.
Protesta do të nisë me një marsh nga Ura e Gurit në Shkup. Çështja ka tërhequr vëmendje të shtuar kohët e fundit, pasi 385 studentë shqiptarë nga tre universitetet kanë nënshkruar një peticion që kërkon organizimin e provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe, në përputhje me të drejtat e tyre ligjore.
Lajme nga vendi
Ilaçi palbociklib do të jetë së shpejti në dispozicion në Onkologji, për dy javë thirrja për vitin 2026-2027
Për pacientët onkologjikë për momentin mungon vetëm një ilaç – palbociklibi të cilin e përdorin 142 nga gjithsej 7000 paciente femra me kancer në gji.
Drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësore (FSSH), Sasho Klekovski deklaroi se ilaçi së shpejti do të jetë në dispozicion dhe se sasitë për vitin 2026 janë rritur për 50 për qind.
Në konferencën për shtyp në Klinikën për Radioterapi dhe Onkologji ku u shpallën rezultatet për rritjen e jetëgjatësisë së pacientëve me tre lloje kanceri, që është për shkak të terapisë efikase dhe një buxheti më të madh për trajtim, Klekovski tha se mungesa e palbociklibit është për shkak të faktit se në dhjetor 2025 u përballën me një nevojë dukshëm të shtuar për këtë ilaç (për 142 pacientë), ndërsa vitin e kaluar sasitë ishin planifikuar për 80 pacientë.
“Kur ka një numër dukshëm më të madh pacientësh se sa është planifikuar, nuk është e lehtë të plotësohen nevojat, kështu që buxheti për vitin 2026 do të rritet për 50 për qind për dy barna në këtë kategori, ku përveç këtij është edhe një ilaç tjetër. Presim që thirrja e re për barna të shpallet brenda dy javësh që do të mbulojë vitet 2026-2027”, tha Klekovski.
Së shpejti në Onkologji do të jenë të kapshëm edhe markerët- tumoralë që janë në mungesë, por Klekovski theksoi se kjo nuk është mungesë në të gjithë vendin dhe se pacientët mund të bëjnë markerë- tumoralë në spitale dhe laboratorë të tjerë.
-
Lajme nga vendi2 months agoRrjeti i madh i dyqaneve për produkte të shtëpisë Comodita Home po rritet akoma më tepër, tash me dyqanin më të madh në Re Mall, Tetovë
-
Lajme nga rajoni1 week agoZbardhet dëshmia e autorit të vrasjes së Liridonës, Plava: Kisha marrëveshje me Murselin, më tha se Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni
-
Lajme nga bota1 week ago“Do jem makthi i Iranit”, Trump ‘kërcënon’ sërish: Nëse nuk ulen në negociata, bombardimet do të shtohen

