Lajme nga vendi
Rritje e përqindjes së turistëve nga Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe, turistët nga Turqia ende me numër më të madh
Maqedonia po përjeton një intensifikim të trafikut turistik dhe një rritje të interesit të turistëve të huaj nga vendet e Evropës Perëndimore, kryesisht nga Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe, njoftoi Ministria e Kulturës dhe Turizmit, e cila analizoi të dhënat e fundit mbi lëvizjen e turistëve të huaj në vend për pesë muajt e parë të vitit 2025 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
“Është regjistruar një rritje prej 23,6 për qind te turistët e huaj dhe rritje prej 18,7 për qind te bujtjet e realizuara. Në pesë muajt e parë të vitit 2025, qarkullimi turistik në Maqedoni shënon rritje të dukshme në krahasim me periudhën e njejtë të vitit 2024. Veçanërisht dallohet Gjermania me rritje prej 219 për qind në numrin e turistëve dhe 146 për qind në bujtje, duke treguar një interes të shtuar ndjeshëm të turistëve gjermanë për të vizituar vendin tonë. Franca regjistroi rritjen më të lartë me 398 përqind më shumë turistë dhe 303 përqind më shumë bujtje, duke u pozicionuar si një objektiv i ri strategjik i politikave turistike. Britania e Madhe regjistroi një rritje të konsiderueshme prej 204 përqind të numrit të turistëve dhe 139 përqind të bujtjeve. Turqia, e cila ishte tregu kryesor në vitin 2024, vazhdon me një rritje të qëndrueshme prej 11 përqind të numrit të turistëve dhe 21 përqind të bujtjeve, duke ruajtur pozicionin e saj të parë për sa i përket numrit të përgjithshëm të turistëve dhe bujtjeve”, informoi Ministria.
Këto rezultate, nënvizohet në kumtesë “konfirmojnë dinamikën pozitive dhe interesin e rritur për Maqedoninë si destinacioni turistik atraktiv i hartës evropiane”.
“Maqedonia shënon një interes në rritje midis vizitorëve të huaj për turizëm kulturor në muajt jashtë sezonit tradicional, gjë që kontribuon ndjeshëm në anulimin e turizmit sezonal, rritjen e të ardhurave totale nga turizmi dhe forcimin e ekonomisë lokale. Ky trend është me rëndësi të jashtëzakonshme sepse krijon aktivitet të vazhdueshëm turistik gjatë gjithë vitit, angazhon komunitetet lokale, artizanët, guidat dhe ofruesit e ushqimit, dhe mundëson zhvillim të ekuilibruar ekonomik jashtë qendrave turistike”, deklaron Ministria e Kulturës dhe Turizmit.
Ministria shton se do t’i përdorë këto të dhëna “për të synuar me saktësi aktivitetet promovuese, për të përgatitur programin e sektorit të turizmit, për të forcuar lidhjet ajrore me tregjet e reja dhe për të mbështetur në mënyrë aktive operatorët e turizmit”.
Lajme nga vendi
MPB, të hënën në mëngjes grevë e doganierëve grekë në pikat kufitare
Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët se, sipas informacioneve të pranuara nga organet kompetente të Republikës së Greqisë, më 27.07.2026 (e hënë) është paralajmëruar grevë e punonjësve të doganave në pikat kufitare greke Evzoni (Bogorodicë), Dojrani (Dojran) dhe Niki (Mexhitli).
“Gjatë periudhës nga ora 05:00 deri në 09:00 sipas kohës së Maqedonisë (06:00–10:00 sipas kohës së Greqisë), në këto pika kufitare, automjetet e udhëtarëve do të lejohen të kalojnë çdo 10 minuta, ndërsa qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave do të jetë plotësisht i ndërprerë, si për hyrje ashtu edhe për dalje nga Republika e Greqisë”.
“Ministria e Punëve të Brendshme do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe do të angazhojë të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike për menaxhimin e situatës”, – thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
Ulet numri i rasteve të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Gostivar
Sipas të dhënave nga institucionet publike shëndetësore në Gostivar, gjatë ditës së djeshme (23.07.2026) janë regjistruar gjithsej 197 pacientë të rinj, përkatësisht persona që për herë të parë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, çka tregon një ulje krahasuar me një ditë më parë.
Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar janë regjistruar gjithsej 117 vizita të reja, prej të cilave 82 në repartin e sëmundjeve infektive (pa shtrime të reja në spital dhe me tre pacientë të liruar), 40 në repartin e pediatrisë dhe 7 vizita në Qendrën e Urgjencës.
Në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë regjistruar 80 vizita të reja në shërbimin kujdestar, si dhe 13 thirrje në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë.
Lajme nga vendi
Hetime për kredinë hungareze 1 miliardë € që mori Maqedonia e Veriut, urdhëron Magyar
Qeveria në Hungari, e udhëhequr nga Péter Magyar, do të hetojë nëse ka pasur keqpërdorim të mundshëm të fondeve shtetërore në lidhje me kredinë prej një miliard eurosh që “Eximbanka” shtetërore ia dha Maqedonisë së Veriut.
Kështu njoftoi dje Magyar, i cili, siç raportuan mediat vendase, ndau se kredia e marrë nga Maqedonia e Veriut është një nga katër rastet e lidhura me “Eximbank”-un, për të cilat sot Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës ka dorëzuar ankesa, shkruan Fokus.
„Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dorëzoi katër ankesa të enjten për mashtrim të dyshuar në vlerë totale prej një mijë miliardë forintash, në katër raste të ndryshme. Të gjitha kanë të bëjnë me aktivitetet e ‘Eximbank’-ut“ – tha Magyar.
Ai theksoi se kredia u dha në kushte shumë të favorshme me një normë interesi prej 3,25 për qind.
Kredia, tha ai, do t’i kushtojë buxhetit hungarez 90 miliardë forinta (rreth 248 milionë euro) për shkak të diferencave të interesit.
„Kjo paraqet një barrë prej 90 miliardë forintash (rreth 248 milionë euro) për buxhetin hungarez, ndërsa shteti hungarez mori përsipër garanci 100 për qind për kredinë nën udhëheqjen e qeverisë së Orbanit“, tha Magyar.
Sipas tij, norma e interesit me të cilën “Eximbanka” shtetërore i dha kredinë Maqedonisë është shumë më e favorshme se normat e interesit me të cilat kompanitë hungareze dhe qytetarët e vendit marrin hua.(INA)

