Lajme nga vendi
Ende nuk dihen shkaqet e aksidentit fatal në Tetovë, jozyrtarisht dyshohet se vozitësi i makinës pësoi sulm në zemër,gjendja shëndetësore e të mbijetuarit është stabile
Gjendja shëndetësore e të mbijetuarit të vetëm të aksidentit një dite më parë ku humbën jetën 3 persona, është stabile. Nga Spitali Klinik i Tetovës thonë se i riu është lëshuar për kurim shtëpiak. Ndërkohë vazhdon obduksioni i trupave të pajetë.
“Nga mjekët kujdestar iu bënë gjitha ekzaminimet e duhura mjekësore dhe kirurgjikale dhe pacienti është në gjendje normale dhe është në kurim shtëpiak. Kufomat janë dërguar në mjekësinë ligjore dhe mjeku ligjor është duke kryer ekzaminimet bashkë me policinë dhe me përfundimin e ekzaminimit, kufomat do iu dorëzohen familjarëve”, deklaroi Erzen Elezi, Drejtor i Spitalit Klinik të Tetovës.
Ndërkohë Sektori i Punëve të Brendshme presin nga rezultatin e mjekësisë ligjore dhe hetimin e Prokurorisë për të mësuar shkaqet që çuan në aksidentin e rëndë. Ndërkohë nga ajo që është parë në videon nga kamerat e sigurisë, jozyrtarisht dyshohet që vozitësi të ketë pësuar sulm në zemër përpara se të humbte kontrollin.
“Presim çka do tregoj autopsia e shoferit të automjetit, por në vend ngjarje ka qenë edhe prokurori publik në aksidentin e djeshëm ku humbën jetët tre persona dhe një u lëndua, dhe detajet më të hollësishme do nxirën nga ana e prokurorisë. Unë shfrytëzoj rastin të apeloj qytetarët, vozitësit, këmbësorët, motoçiklistët që të kenë kujdes dhe të respektojnë rregullat dhe përkufizimet në komunikacion që që zvogëlojmë këtë numër të viktimave dhe të lënduarve në rrugët tona”, tha Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë.
Një aksident tjetër me pasoja fatale, ndodhi një javë më parë në autostradën Tetovë-Gostivar, ku humbi jetën një njëzet vjeçar nga Gostivari. Ai humbi kontrollin ndaj motoçikletës dhe doli nga korsia. Ndryshe për shtatë muaj, nga aksidentet në Pollog, jetët kanë humbur gjithsej tetë persona. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
MPB, të hënën në mëngjes grevë e doganierëve grekë në pikat kufitare
Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët se, sipas informacioneve të pranuara nga organet kompetente të Republikës së Greqisë, më 27.07.2026 (e hënë) është paralajmëruar grevë e punonjësve të doganave në pikat kufitare greke Evzoni (Bogorodicë), Dojrani (Dojran) dhe Niki (Mexhitli).
“Gjatë periudhës nga ora 05:00 deri në 09:00 sipas kohës së Maqedonisë (06:00–10:00 sipas kohës së Greqisë), në këto pika kufitare, automjetet e udhëtarëve do të lejohen të kalojnë çdo 10 minuta, ndërsa qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave do të jetë plotësisht i ndërprerë, si për hyrje ashtu edhe për dalje nga Republika e Greqisë”.
“Ministria e Punëve të Brendshme do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe do të angazhojë të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike për menaxhimin e situatës”, – thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
Ulet numri i rasteve të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Gostivar
Sipas të dhënave nga institucionet publike shëndetësore në Gostivar, gjatë ditës së djeshme (23.07.2026) janë regjistruar gjithsej 197 pacientë të rinj, përkatësisht persona që për herë të parë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, çka tregon një ulje krahasuar me një ditë më parë.
Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar janë regjistruar gjithsej 117 vizita të reja, prej të cilave 82 në repartin e sëmundjeve infektive (pa shtrime të reja në spital dhe me tre pacientë të liruar), 40 në repartin e pediatrisë dhe 7 vizita në Qendrën e Urgjencës.
Në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë regjistruar 80 vizita të reja në shërbimin kujdestar, si dhe 13 thirrje në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë.
Lajme nga vendi
Hetime për kredinë hungareze 1 miliardë € që mori Maqedonia e Veriut, urdhëron Magyar
Qeveria në Hungari, e udhëhequr nga Péter Magyar, do të hetojë nëse ka pasur keqpërdorim të mundshëm të fondeve shtetërore në lidhje me kredinë prej një miliard eurosh që “Eximbanka” shtetërore ia dha Maqedonisë së Veriut.
Kështu njoftoi dje Magyar, i cili, siç raportuan mediat vendase, ndau se kredia e marrë nga Maqedonia e Veriut është një nga katër rastet e lidhura me “Eximbank”-un, për të cilat sot Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës ka dorëzuar ankesa, shkruan Fokus.
„Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dorëzoi katër ankesa të enjten për mashtrim të dyshuar në vlerë totale prej një mijë miliardë forintash, në katër raste të ndryshme. Të gjitha kanë të bëjnë me aktivitetet e ‘Eximbank’-ut“ – tha Magyar.
Ai theksoi se kredia u dha në kushte shumë të favorshme me një normë interesi prej 3,25 për qind.
Kredia, tha ai, do t’i kushtojë buxhetit hungarez 90 miliardë forinta (rreth 248 milionë euro) për shkak të diferencave të interesit.
„Kjo paraqet një barrë prej 90 miliardë forintash (rreth 248 milionë euro) për buxhetin hungarez, ndërsa shteti hungarez mori përsipër garanci 100 për qind për kredinë nën udhëheqjen e qeverisë së Orbanit“, tha Magyar.
Sipas tij, norma e interesit me të cilën “Eximbanka” shtetërore i dha kredinë Maqedonisë është shumë më e favorshme se normat e interesit me të cilat kompanitë hungareze dhe qytetarët e vendit marrin hua.(INA)

