Lajme nga vendi
Serbia nuk lejon hapjen e vendkalimit kufitar që lidh Preshevën me Kumanovën
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë i ka refuzuar kërkesën autoriteteve komunale në Preshevë të paraqitur më 19 maj, për hapjen e vendkalimit kufitar Miratoc-Llojan në kufirin me Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani thotë se në përgjigjen zyrtare, Serbia argumenton se rruga kalon përmes fshatit Miratoc dhe mungojnë kushtet infrastrukturore për kontrollin kufitar, duke mos lejuar kështu funksionimin e vendkalimit.
“Kemi të bëjmë me një pengesë teknike, por me një problem politik, përkatësisht me mungesë të vullnetit institucional nga ana e shtetit serb”, thotë ajo.
Ndërsa në takimet me përfaqësues të Trupit Koordinues apo Ministrisë për Administratë Lokale, Sinani thotë se ishte pretenduar se procesi po zvarritej nga pala maqedonase, “tashmë është vetë Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë që konfirmon të kundërtën: pengesat burojnë nga pala serbe”.
“Si institucion lokal, do të vazhdojmë të kërkojmë me këmbëngulje dhe të punojmë me përkushtim për realizimin e kësaj kërkese të drejtë e legjitime të qytetarëve tanë. Hapja e vendkalimit Miratoc–Llojan është një domosdoshmëri për lëvizje të lirë, zhvillim ekonomik dhe bashkëpunim ndërkufitar”, deklaron Sinani.
Kujtojmë se para se të vendoset kufiri ndërmjet Serbisë e Maqedonisë së Veriut, nëpër fshatrat Miratoc dhe Llojan ka funksionuar magjistralja që ka lidhur Preshevën dhe Kumanovën nëpër fshatrat shqiptare në një distancë shumë më të shkurtër se kjo që është sot.
Fshatin Miratoc të Preshevës dhe atë Llojan të Kumanovës i ndanë një distancë rreth 1.5 kilometra. Por, për të lëvizur nga një fshat në tjetrin, duhet kaluar 40 kilometra dhe pritje të gjata në kolona për shkak të kufirit.
Lajme nga vendi
MPB: Nga fillimi i dhjetorit 18,318 kundërvajtje komunikacioni, u privuan nga liria 123 persona për drejtim të pakujdesshëm të automjetit motorik
Në periudhën nga 01.12.2025 deri më 28.12.2025, si rezultat i kontrolleve të rregullta rrugore që i realizojnë nëpunësit policorë nga të gjithë sektorët e punëve të brendshme në rrugët e mbarë vendit, nga gjithsej 18,318 urdhërpagesa të lëshuara, 4,019 kundërvajtje kanë të bëjnë me shoferë që nuk e kanë respektuar shpejtësinë e përshkruar të lëvizjes, informuan në mëngjes nga Ministria e Punëve të Brendshme.
“Të privuar nga liria për drejtim të pakujdesshëm të automjetit motorik në përputhje me nenin 297-a të Kodit Penal ishin 123 persona, prej të cilëve 100 për vozitje nën ndikimin e alkoolit, 13 për vozitje me shpejtësi më të madhe nga e lejuara në vendbanim, shtatë për vozitje me shpejtësi më të madhe se shpejtësia e lejuar jashtë vendbanimit, tre për vozitje në drejtim të ndaluar. Më tej, sipas pasqyrës statistikore të aktiviteteve policore, gjatë muajit dhjetor janë evidentuar 5,018 kundërvajtje për parkim në mënyrë të padrejtë, 1,843 masa janë shqiptuar ndaj shoferëve që drejtonin automjetin pa patentë shoferi, si dhe 679 sanksione për vozitje nën ndikimin e alkoolit”, sqaruan nga MPB.
Nga ana tjetër, në përputhje me dispozitat e Ligjit për Sigurinë e Qarkullimit Rrugor u sanksionuan 18 shoferë motoçikletash për mosmbajtje të helmetës mbrojtëse, dhe janë sanksionuar edhe 415 këmbësorë.
“Gjithashtu janë sanksionuar 1,046 pjesëmarrës në komunikacion të cilët nuk kanë përdorur rripin e sigurisë. Në përputhje me Ligjin për Automjete, 322 automjete u mënjanuan nga komunikacioni për shkak se ishin të paregjistruara, dhe 172 për shkak të parregullësisë teknike. Janë sanksionuar 101 shoferë për shkak të mospërmbushjes së kushteve të përshkruara në lidhje me errësimin e xhamave të automjeteve (folive)”, shtuan nga MPB.
Kontrollet e komunikacionit do të vazhdojnë edhe në ditët në vazhdim.
“U bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë rregullat dhe rregulloret e komunikacionit dhe të kontribuojmë së bashku për rrugë më të sigurta”, thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
Telefon mobil në qelinë e pronarit të “Puls”, gjykatësja njoftoi masa më të rrepta
Në qelinë e të akuzuarit të parë, Dejan Jovanov, pronar i diskotelës “Puls” në Koçan, ku më 16 mars të këtij viti shpërtheu zjarr në të cilin humbën jetën 63 persona dhe mbi 200 u lënduan, u gjet një telefon mobil me kartë SIM.
Në fillim të seancës së sotme, gjykatësja Diana Gruevska Ilievska, informoi se Gjykata ka marrë informacione se në qelinë e Jovanovit, i cili ndodhet në paraburgim në burgun e Kumanovës është gjetur një telefon mobil Nokia me kartë SIM.
“Nuk e di kush ua ka sjellë, por tani do të jap një vërejtje. Të mos përsëritet. Herën tjetër do të ndaloj vizitat”, e kritikoi të akuzuarin e parë, gjykatësja Gruevska Ilievska.
Në seancën e sotme, e cila filloi me gjysmë ore vonesë për shkak të vonesës së njërit nga avokatët e mbrojtjes, pritet të dëgjohen tre dëshmitarë – përfaqësues ligjorë të palëve të dëmtuara.
Lajme nga vendi
VMRO: Opinioni ka të drejtë të dijë se sa para investoi Filipçe në Dubai për vizën e artë
Pas dëshmisë së ish-bashkëpunëtorit të Zoran Zaevit, Toma Avramski, se ish-kryeministri po ndërton një ndërtesë 42-katëshe në Dubai, e njëjta gjë u konfirmua nga Venko Filipçe dhe LSD, akuzojnë sot nga VMRO-DPMNE.
“Si LSD ashtu edhe Filipçe konfirmuan se Zaev po ndërton një ndërtesë në Dubai, nga ku të dy kanë viza të arta, por thonë se Filipce nuk është partner në këtë projekt ndërtimi shumëmilionësh.
Ajo që duket si dilemë, dhe për të cilën Filipçe ende nuk jep përgjigje, është se si dhe mbi çfarë baze e mori vizën e artë për në Dubai?
Për njëfarë kohe, ai pretendonte se e mori vizën e artë për shkak të negociatave për një angazhim pune në një spital atje dhe se do t’i vërtetonte të gjitha këto me fakte dhe prova, por deri më sot publiku maqedonas nuk ka parë asnjë dokument.
Nga ana tjetër, marrja e një vize të artë në Dubai kërkon një investim prej të paktën 500.000 dollarësh në biznes dhe pasuri të paluajtshme.
Prandaj, opinioni ka të drejtë të marrë një përgjigje të qartë nëse Venko Filipçe e mori vizën për shkak të një investimi prej të paktën 500.000 dollarësh, në pasuri të paluajtshme apo në biznes?”, akuzojnë nga VMRO-DPMNE.
Lidhur me investimet në pasuri të paluajtshme në Dubai, në të njëjtën dëshmi publike, Avramski pretendon se si Zaev ashtu edhe Filipçe kanë apartamente atje dhe se ai ishte në ndërtesën ku të dy i blenë apartamentet.

