Lajme nga vendi
Besnik Emshiu do të garon për mandatin e dytë për kryetar komune të Bogovinës
Kryetari aktual i komunës së Bogovinës, Besnik Emshiu, përmes një statusi në facebook, ka konfirmuar kandidaturën e tij për mandatin e dytë për kryetar të komunës së Bogovinës.
Postimi i plotë i kandidatit për kryetar komune të Bogovinës nga Besëlidhja AKI, Besnik Emshiu:
Të dashur bashkëqytetar, të nderuara struktura të Degës së BDI-së në Bogovinë, të respektuar anëtarë të Kryesisë Qendrore të Bashkimit Demokratik për Integrim,
I nderuar kryetar z. Ali Ahmeti,
I nderuar sekretar i përgjithshëm z. Faton Ahmeti,
Të nderuar bashkëpunëtorë, aktivistë dhe miq të dashur,
Sot, me një ndjenjë të thellë mirënjohjeje dhe përulësie, ju drejtohem të gjithëve nga zemra për të shprehur falënderimin tim më të sinqertë për përkrahjen dhe besimin që më dhatë duke më propozuar dhe mbështetur si kandidat për mandatin e dytë për kryetar të komunës së Bogovinës.
Ky vendim, për mua nuk është thjesht një mbështetje politike apo formale për punën që kemi bërë deri më sot, por është një obligim moral dhe kombëtar, një përgjegjësi e madhe ndaj qytetarëve tanë dhe ndaj misionit të përbashkët për të zhvilluar komunën e Bogovinës dhe për ta bërë atë shembull të suksesit.
Një falënderim të veçantë e kam për liderin tonë vizionar, kryetarin Ali Ahmeti, i cili me urtësinë, përvojën dhe largpamësinë e tij ka qenë dhe mbetet udhërrëfyes jo vetëm për mua personalisht, por për gjithë ne që kemi vendosur të shërbejmë me përkushtim ndaj komunitetit dhe kombit.
Në këto katër vite të para të mandatit tim, kemi punuar shumë – kemi përballuar sfida jo të vogla, por mbi të gjitha kemi ndërtuar themelin e një komune më moderne, më të zhvilluar dhe më të denjë për qytetarët e saj. Ne kemi dëshmuar se kur ka vullnet, transparencë dhe bashkëpunim, mund të arrihen rezultate konkrete dhe të prekshme.
Por ende ka shumë punë për të bërë. Dhe është pikërisht kjo mbështetje që më jepni sot që më motivon të vazhdojmë edhe më fuqishëm në rrugën e përparimit dhe zhvillimit. Mandati i dytë nuk do të jetë vetëm vazhdim i punës sonë – do të jetë një fazë e re me objektiva më të mëdha, me projekte më ambicioze dhe me angazhim edhe më të madh për çdo lagje, çdo fshat dhe çdo familje në komunën tonë.
Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për unitet, urtësi dhe vizion të qartë. Dhe me përkrahjen tuaj, me ndihmën e strukturave tona dhe me besimin e qytetarëve të komunës së Bogovinës, jam i bindur se do ta bëjmë ndryshimin edhe më të madh – për një komunë ku të rinjtë shohin të ardhme, ku fermerët kanë përkrahje, ku shkollat dhe rrugët janë moderne, dhe ku çdo qytetar ndihet i përfaqësuar dhe i respektuar.
Ju falënderoj të gjithëve edhe një herë për mbështetjen, për besimin dhe për përkushtimin që tregoni.
Së bashku do të vazhdojmë – jo vetëm për një mandat të dytë, por për një komun më të mirë për të gjithë!
Me respekt dhe përkushtim të plotë,
Besnik Emshiu
Kandidat për kryetar të Komunës së Bogovinës
Lajme nga vendi
MPB, të hënën në mëngjes grevë e doganierëve grekë në pikat kufitare
Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët se, sipas informacioneve të pranuara nga organet kompetente të Republikës së Greqisë, më 27.07.2026 (e hënë) është paralajmëruar grevë e punonjësve të doganave në pikat kufitare greke Evzoni (Bogorodicë), Dojrani (Dojran) dhe Niki (Mexhitli).
“Gjatë periudhës nga ora 05:00 deri në 09:00 sipas kohës së Maqedonisë (06:00–10:00 sipas kohës së Greqisë), në këto pika kufitare, automjetet e udhëtarëve do të lejohen të kalojnë çdo 10 minuta, ndërsa qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave do të jetë plotësisht i ndërprerë, si për hyrje ashtu edhe për dalje nga Republika e Greqisë”.
“Ministria e Punëve të Brendshme do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe do të angazhojë të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike për menaxhimin e situatës”, – thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
Ulet numri i rasteve të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Gostivar
Sipas të dhënave nga institucionet publike shëndetësore në Gostivar, gjatë ditës së djeshme (23.07.2026) janë regjistruar gjithsej 197 pacientë të rinj, përkatësisht persona që për herë të parë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, çka tregon një ulje krahasuar me një ditë më parë.
Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar janë regjistruar gjithsej 117 vizita të reja, prej të cilave 82 në repartin e sëmundjeve infektive (pa shtrime të reja në spital dhe me tre pacientë të liruar), 40 në repartin e pediatrisë dhe 7 vizita në Qendrën e Urgjencës.
Në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë regjistruar 80 vizita të reja në shërbimin kujdestar, si dhe 13 thirrje në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë.
Lajme nga vendi
Hetime për kredinë hungareze 1 miliardë € që mori Maqedonia e Veriut, urdhëron Magyar
Qeveria në Hungari, e udhëhequr nga Péter Magyar, do të hetojë nëse ka pasur keqpërdorim të mundshëm të fondeve shtetërore në lidhje me kredinë prej një miliard eurosh që “Eximbanka” shtetërore ia dha Maqedonisë së Veriut.
Kështu njoftoi dje Magyar, i cili, siç raportuan mediat vendase, ndau se kredia e marrë nga Maqedonia e Veriut është një nga katër rastet e lidhura me “Eximbank”-un, për të cilat sot Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës ka dorëzuar ankesa, shkruan Fokus.
„Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dorëzoi katër ankesa të enjten për mashtrim të dyshuar në vlerë totale prej një mijë miliardë forintash, në katër raste të ndryshme. Të gjitha kanë të bëjnë me aktivitetet e ‘Eximbank’-ut“ – tha Magyar.
Ai theksoi se kredia u dha në kushte shumë të favorshme me një normë interesi prej 3,25 për qind.
Kredia, tha ai, do t’i kushtojë buxhetit hungarez 90 miliardë forinta (rreth 248 milionë euro) për shkak të diferencave të interesit.
„Kjo paraqet një barrë prej 90 miliardë forintash (rreth 248 milionë euro) për buxhetin hungarez, ndërsa shteti hungarez mori përsipër garanci 100 për qind për kredinë nën udhëheqjen e qeverisë së Orbanit“, tha Magyar.
Sipas tij, norma e interesit me të cilën “Eximbanka” shtetërore i dha kredinë Maqedonisë është shumë më e favorshme se normat e interesit me të cilat kompanitë hungareze dhe qytetarët e vendit marrin hua.(INA)

