Lajme nga vendi
Lokalet/ Rekord kandidatësh për kryetar të komunave dhe këshillave komunalë
312 kandidatë janë paraqitur për të garuar për kryetar të 80 komunave dhe Qytetit të Shkupit në kuadër të zgjedhjeve lokale, të cilat do të mbahen më 19 tetor të këtij viti. Nga ana tjetër, në komisionet zgjedhore janë dorëzuar 575 lista të kandidatëve për këshilltarë. Megjithatë, lista nuk është përfundimtare, pasi ka filluar procesi i verifikimit i cili do të zgjatë deri më 20 shtator kur do të dihet se cilët nga kandidatët i plotësojnë kushtet për të garuar. Interesim më të madh ka për Qytetin e Shkupit. Gjithsej janë paraqitur 18 kandidatë dhe 20 lista për këshilltarë, ndërsa gara më serioze pritet të jetë tradicionalisht mes kandidatëve të VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, Orce Gjorgjievskit dhe Kaja Shukovës.
9 kandidatë janë paraqitur për Komunën e Strugës, ku përballja më serioze pritet të jetë mes kandidatit të pavarur që po mbështetet edhe nga koalicioni VLEN, Mendi Qyra dhe kandidatit të Aleancës Kombëtare për Integrim, Arsim Dalipi. Ndërsa 9 kandidatë, gjithashtu janë paraqitur edhe për Prilepin. Në Kumanovë janë paraqitur 8 kandidatë, ndërsa gara kryesore pritet të zhvillohet mes Maksim Dimitrievskit të ZNAM-it dhe Martin Kostovskit të LSDM-së. Nga 8 kandidatë gjithashtu janë paraqitur edhe për Manasitirin dhe Shuto Orizaren. Nga 7 kandidatë për Kisella Vodën, Gazi Babën dhe Dollnenin.
Për Tetovën janë paraqitur 6 kandidatë, ndërsa gara më serioze pritet të zhvillohet mes Bilall Kasamit të VLEN-it dhe Bajram Rexhepit të AKI-së. Po aq kandidatë janë paraqitur edhe për Novacin, Aerodromin dhe Koçanin. Nga 5 kandidatë për Karposhin, Debërcën, Demir Hisarin, Demir Kapinë dhe Gjevgjelinë.
Në 15 komuna të vendit, janë paraqitur nga 4 kandidatë. Në Gostivar përballë Valbon Limanit të AKI-së do të jenë Sebaedin Dauti nga VLEN, Darko Grujoski nga e Majta dhe Visar Ademi si kandidat i pavarur. Në Kërçovë kryetari i deritanishëm Fatmir Dehari do të përballet me Fatmir Limanin e VLEN-it, ndërsa kandidaturë kanë paraqitur edhe Aleksandar Jovanovski nga VMRO-DPMNE dhe Shkodran Alili kandidat i pavarur. 4 kandidatë do të ketë edhe në Saraj, krahas përballjes së Blerant Ramadanit nga AKI dhe Muhamet Elmazit nga VLEN, janë paraqitur për të garuar edhe Tenzi Beluli nga partia Demokratët dhe kandidati i pavarur Remzi Mamuti.
Për 24 komuna të vendit janë paraqitur nga 3 kandidatë. Ndër garat më të ashpra që pritet të jenë në këto zgjedhje është për Çairin, ku në duelin midis Izet Mexhiti nga VLEN-it dhe Bujar Osmani nga AKI-së, ka shprehur interesim të përfshihet edhe Ico Kolevski nga Partia e Punëtorëve. Në Haraçinë, përballja serioze pritet të zhvillohet mes Daut Beqirit të koalicionit VLEN dhe Skender Isufit nga AKI, ndërsa do të garojë si kandidat i pavarur edhe Fekri Bakiu. Dibrën, VLEN e synon me Fisnik Melën, ndërsa AKI me Ilirijan Fetahun, ndërsa në garë është paraqitur edhe Ramadan Imeri si kandidat i pavarur. Azem Sadiku është kandidat i pavarur për edhe një mandat për Studeniçanin, ndërsa përballë do të ketë kandidatin e VLEN-it, Sedat Bislimin dhe atë të AKI-së, Ejup Abazi.
Në 22 komuna të vendit janë paraqitur nga vetëm 2 kandidatë. Erkan Arifi nën logon e AKI-së do të kërkojë edhe një mandat në Likovë, ndërsa kundërshtar do ta ketë Nexhmedin Sadikin nga VLEN. Gjithashtu edhe në Zhelinë Blerim Sejdiu do të garojë për të ruajtur pozitën e kryetarit, ndërsa përballë do ta ketë Emir Sulejmanin nga AKI. Në Bogovinë, Feti Abazi nga VLEN, forcat do t’i matë me Besnik Emshiun nga AKI, ndërsa në Tearcë Daut Emshiu nga VLEN do të ketë përballë Nazim Taipin nga AKI./alsat.mk/
Lajme nga vendi
TETOVË: PËRUROHET RRUGA E “SHTIPIT”
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami I shoqëruar nga Ministri I Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolovski dhe Zv/Ministrja Kaltrina Zekolli në Tetovë promovuan përfundimin e punimeve në Rrugën e Shtipit, një investim i Ministrisë së Transportit me ko-financim të Komunës së Tetovës.
Ministri I Transportit, Aleksandar Nikolovski, u shpreh se në Tetovë po vërrehet një bum investimesh, për të cilët përgëzoi Kryetarin Kasami duke u zotuar se Ministria që drejton ai do të jetë në shërbim të projekteve që lehtësojnë lëvizjen e qytetarëve.
Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Transportit në Tetovë po realizohen 29 projekte të përbashkëta.
KALTRINA ZEKOLLI – Bëhet fjalë për një rrugë me 680 metra, me gjerësi mesatarisht 5.5 metra kurse sipërfaqja totale e asfaltuar është rreth 4.000 metra katrorë.
Lajme nga vendi
Rregulla të reja në lizingun financiar në Maqedoninë e Veriut
Kuvendi ka miratuar ndryshime në Ligjin për Lizingun Financiar, të cilat prekin kushtet për themelimin dhe funksionimin e kompanive të lizingut, menaxhimin korporativ, mbikëqyrjen, transparencën dhe mbrojtjen e përdoruesve. Me ndryshimet përcaktohen elementet e detyrueshme që duhet të përmbajë çdo kontratë e lizingut financiar, përfshirë të gjitha tarifat dhe kompensimet që lidhen me kontratën. Gjithashtu, parashihet mundësia që kontratat të lidhen edhe në formë elektronike, në përputhje me legjislacionin për dokumentet elektronike, identifikimin elektronik, mbrojtjen e të dhënave personale dhe parandalimin e pastrimit të parave.
Rregullat e reja sjellin kontrata më të qarta, mundësi për shlyerjen e parakohshme pa kosto shtesë, kontroll më të madh mbi punën e kompanive të lizingut dhe standarde më të larta për mbrojtjen e shfrytëzuesve.
“Me qëllim të rritjes së transparencës dhe mbrojtjes së shfrytëzuesve, me ndryshimet specifikohen elementët e detyrueshëm që duhet të përmbajë çdo kontratë lizingu financiar, duke përfshirë të gjitha kompensimet që lidhen me lizingun. Përveç kësaj, mundësohet që kontratat e lizingut financiar të lidhen edhe në formë elektronike, nëse kushtet plotësohen në përputhje me dispozitat për dokumentet elektronike, identifikimin elektronik dhe shërbimet konfidenciale, si dhe dispozitat për parandalimin e pastrimit të parave, mbrojtjen e të dhënave personale dhe dispozitat e tjera përkatëse”, thonë nga Ministria e Financave.
Me këto ndryshime vendoset mundësia që shfrytëzuesi i lizingut financiar të shlyejë detyrimet e mbetura plotësisht ose pjesërisht në çdo kohë në përputhje me planin e amortizimit, pa kosto shtesë. Kjo gjithashtu siguron të drejtën për të ulur kostot e përgjithshme për periudhën e mbetur të kontratës.
“Përveç kësaj, përforcohet mbrojtja e shfrytëzuesve duke specifikuar se ofruesi i lizingut financiar nuk mund ta shfrytëzojë lëndën e lizingut financiar si kolateral pa pëlqimin paraprak me shkrim të shfrytëzuesit. Pëlqimi duhet të jepet te noteri, në dokument të veçantë – deklaratë, veçmas nga kontrata e lizingut financiar, me kushtet e përgjithshme, me përcaktimin e qartë të pasojave juridike të pëlqimit të tillë. Ofruesit e lizingut financiar do të jenë të detyruar të publikojnë raportet financiare vjetore, së bashku me raportin dhe mendimin e revizorit të autorizuar, në faqet e tyre të internetit. Në këtë mënyrë, individët dhe personat juridikë si shfrytëzues të lizingut do të kenë mundësinë të kenë pasqyrë më të qartë mbi punën e kompanive të lizingut para se të krijojnë marrëdhënie afariste”, thonë nga Ministria.
Me ndryshimet, thonë më tej nga kjo Ministri, përforcohet edhe mbikëqyrja përmes avancimit të dispozitave kundërvajtëse, si dhe stabiliteti financiar i ofruesve të lizingut financiar duke rritur vlerën minimale të principalit bazë nga 6.000.000 në 30.000.000 denarë.
“Me qëllim të përforcimit të integritetit të subjekteve që kryejnë lizing financiar, me ndryshimet zbatohen gjithashtu rekomandimet e Komitetit MONEYVAL pranë Këshillit të Evropës në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Me to vendosen kritere për përshtatshmërinë dhe reputacionin që duhet t’i përmbushin themeluesit dhe anëtarët e organeve drejtuese të ofruesve të lizingut financiar”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Ndryshimet e miratuara nga Kuvendi janë një nga tetë hapat që Ministria e Financave po zbaton në kuadër të Agjendës reformuese.
Lajme nga vendi
14-vjeçarja nga Kavadari ndërron jetë pasi ra nga një luhatëse në parkun e Gostivarit
SPB Tetovë njofton se ka humbur jetën një 14-vjeçare nga Kavadari, e cila ka rënë nga luahtësja në parkun e Gostivarit.
Nga atje thonë se trupi është dorëzuar për autopsi.
SPB Tetovë njofton se ka humbur jetën një 14-vjeçare nga Kavadari, e cila ka rënë nga luahtësja në parkun e Gostivarit.
Nga atje thonë se trupi është dorëzuar për autopsi.
Sipas raportimit, e mitura ka rënë nga luhatësja në parkun e Gostivarit, pas së cilës është transportuar në Qendrën Mjekësore Gostivar, ku në ora 20:55 mjekukujdestar ka konstatuar vdekjen.
Është njoftuar prokurori publik, me urdhër të të cilit trupi është dorëzuar për autopsi“, thonë nga SPB Tetovë.

