Lajme nga vendi
Me 20 milionë euro do të rindërtohet Salla Universale në Shkup! Do të ketë 1,200 ulëse, për përdorim do të lëshohet në vitin 2028
Salla e re Universale do ta ruajë formën ekzistuese me qëllim respektimin e kujtesës kolektive, do të ketë një kapacitet prej 1.200 ulëse, ndërsa do të pajiset me akustikë të re hapësinore dhe sisteme bashkëkohore tekniko-teknologjike, theksoi ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov, pas prezantimit të sotëm të zgjidhjes pamore të këtij objekti kult për shkupjanët.
“Sot, publikut të Maqedonisë së Veriut iu prezantua zgjidhja vizuale për Sallën e re Universale – një strukturë moderne dhe funksionale që do të rikthejë rëndësinë e këtij lokacioni kult dhe do t’i japë energji të re skenës kulturore në Shkup. Projekti, i cili u mor përsipër nga Qyteti i Shkupit, është ruajtur në pjesën e zgjidhjes konceptuale arkitekturore. Ndryshimet u bënë në pjesën e elementeve konstruktive, në përputhje me udhëzimet nga studimet shtesë të kërkuara nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit, ndërsa ishin të domosdoshme pas djegies së objektit”, tha ministri Lutkov.
Me këtë rast, ai informoi se është përpunuar një akustikë e re hapësinore, e cila përfshin sisteme tekniko-teknologjike – HVAC, teknikë dhe mekanikë skenike, ndriçim LED, si dhe instalime audio-video dhe elektrike.
Ai theksoi se pret që në fillim të tetorit të përfundojnë edhe procedurat për përzgjedhjen e realizuesit dhe mbikëqyrësit, me ç’rast, siç u shpreh, do të krijohen kushtet për fillimin e ndërtimit të Sallës Universale sipas sistemit “çelës në dorë”. Është planifikuar që ndërtimi pritet të përfundojë deri në fund të vitit 2027.

“Me ç’rast, në vitin 2028 do të jemi të gatshëm të fillojmë me realizimin e programit për projektin “Shkupi – Kryeqyteti Evropian i Kulturës 2028”. Investimi sipas llogaritjes do të kushtojë 20 milionë euro. Kjo nuk është vetëm një ndërtesë – kjo është një investim në kulturën, identitetin dhe të ardhmen e Shkupit. Salla Universale do të bëhet një simbol modern i shkëmbimit kulturor, kreativitetit dhe bashkësisë, e qasshme për të gjithë qytetarët”, theksoi Lutkov pas brifingut të sotëm me gazetarët.
Për rindërtimin dhe adaptimin e objektit që është simbol i qytetit dhe i dedikuar për ngjarje të ndryshme, foli projektuesi Bujar Muça. Ndër të tjera, ai sqaroi se është ruajtur koncepti i sallës së spektatorëve – dispozita e blloqeve, hyrjeve dhe daljeve.
“Është zvogëluar numri i radhëve për të rritur komoditetin e publikut dhe për të përmbushur parametrat e sigurisë në rast evakuimi dhe mbrojtje nga zjarri. Janë paraparë rreth 1.200 ulëse, në vend të 1.500 sa kishte më parë salla”, shtoi ai.
Me këtë rast, ai njoftoi edhe një lajm të mirë për regjisorët, duke theksuar se në Sallën Universale do të mbahen premiera, ndërsa me akustikën e përmirësuar, objekti nuk do t’i pengojë banorët përreth.
Në pyetjen e gazetarëve, ministri Lutkov deklaroi se pas përfundimit të projektit, Salla Universale do të kthehet nën kompetenca të Qytetit të Shkupit.
Lajme nga vendi
SHBA merr vendim: Këto janë masat e prera për shtetet e Ballkanit,Kosovën ,Shqipërin,Serbin,Bosnjën, Maqedonin e Veriut dhe Malin e Zi
Departamenti Amerikan i Shtetit ka shpalosur sot një kthesë të rëndësishme strategjike në politikën e tij të jashtme ndaj Ballkanit Perëndimor, duke deklaruar zyrtarisht se epoka e ndërtimit të shteteve përmes ndërhyrjeve të jashtme ka përfunduar.
Në dëshminë e tij të shkruar përpara Nënkomitetit për Evropën në Kongresin Amerikan, Zëvendës-Ndihmës Sekretari i Shtetit, Daniel Lawton, bëri të qartë se Uashingtoni zyrtar nuk do të ofrojë më “mjete të pakufizuara për qëllime të paprcaktuara”.
Ai u bëri thirrje liderëve ballkanikë që të braktisin grindjet e vjetra dhe të gjejnë vetë zgjidhje pragmatike për problemet e tyre. Sipas dokumentit të siguruar, politika e re e SHBA-së në rajon do të mbështetet në tri shtylla kryesore, ruajtja e stabilitetit, zgjerimi i interesave ekonomike amerikane dhe luftimi i krimit të organizuar transnacional që kërcënon drejtpërdrejt sigurinë e SHBA-së.
Mesazhet e prera për rajonin
Kosovë: Kritika për vonesat institucionale dhe thirrje për mbrojtjen e serbëve
Uashingtoni rikonfirmoi mbështetjen e fuqishme për pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës, por shprehu shqetësim të hapur për ngadalësimin e proceseve të brendshme. Lawton vuri në dukje se agjenda e përbashkët është penguar nga zgjedhjet e përsëritura, qeveritë e zgjatura në detyrë dhe vonesat në krijimin e institucioneve. Më tej, në deklaratë ngrihen shqetësime për “shqyrtim të tepruar ligjor dhe policor ndaj popullatës serbe në Kosovë”, duke kërkuar që të gjithë qytetarët të gëzojnë të drejta të barabarta për të ruajtur stabilitetin. Ndërkohë, prania e KFOR-it mbetet jetike dhe do të vazhdojë të mbështetet nga trupat amerikane.
Shqipëri: Partneritet ushtarak dhe goditje e kartelave të drogës
Shqipëria cilësohet si një aleat i ngushtë i NATO-s me të cilin SHBA po punon ngushtë për çmontimin e organizatave kriminale që bashkëpunojnë me kartelet e Hemisferës Perëndimore. Përmes një kredie të sapofinalizuar për Financimin e Ushtrisë së Jashtme (FMF), SHBA do të ndihmojë Shqipërinë të modernizojë ushtrinë e saj dhe të rrisë blerjet e pajisjeve të prodhuara në Amerikë.
Serbi: SHBA po bëhet “partneri i përzgjedhur”
Dokumenti zbulon një afrim të ndjeshëm të SHBA-së me Beogradin zyrtar me qëllim bllokimin e ndikimeve të huaja kundërshtare (si Rusia dhe Kina). Pas Dialogut Strategjik SHBA-Serbi të mbajtur në korrik, Uashingtoni po e sheh Serbinë si një vend kyç për ekuilibrin rajonal dhe po rrit bashkëpunimin në energji, mbrojtje dhe tregti.Dialogu Kosovë-Serbi ka ngecurSa i përket marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit, SHBA vlerëson se përparimi më i madh ka ndodhur gjatë Marrëveshjes së Uashingtonit të vitit 2020, të ndërmjetësuar nga Presidenti Trump në mandatin e tij të parë. Megjithatë, dialogu aktual i lehtësuar nga BE-ja ka ngecur për shkak të “mungesës së vullnetit politik nga të dyja palët”. SHBA kërkon rifillimin e bisedimeve direkte pa parakushte dhe shmangien e provokimeve.
Bosnjë, Maqedoni e Veriut dhe Mali i Zi:
Në Bosnjë dhe Herzegovinë, diplomacia amerikane vlerëson se ka shmangur një krizë të rëndë duke siguruar tërheqjen e legjislacionit anti-Dayton nga Republika Srpska. Ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi lavdërohen për projektet e tyre të ndërlidhjes infrastrukturore dhe energjetike (përfshirë gazin LNG), të cilat hapin dyer të reja për investimet e kompanive amerikane.
Lajme nga vendi
Qeveria e RMV-së do të mundësojë blerjen e deri në dy viteve stazh për pension, paralajmëroi ministri Vellkovski
Në përputhje me një ligj që tashmë është duke u shqyrtuar në Qeveri, qytetarët që i kanë plotësuar kushtet e moshës për pensionim, por u mungojnë deri në dy vite stazh pune për minimumin ligjor prej 15 vitesh, do të mund t’i paguajnë vetë kontributet për këtë periudhë dhe të fitojnë të drejtën për pension – njoftoi ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Gjoko Vellkovski, në një intervistë për “360 Gradë” në RTM 1. Ai thotë se, sipas zgjidhjes së propozuar ligjore, të drejtën për blerjen e stazhit do ta kenë vetëm personat që kanë të paktën 13 vite stazh pune dhe që tashmë nuk janë më të siguruar aktivë në tregun e punës, transmeton Portalb.mk.
“Blerja e stazhit u referohet dhe do t’u referohet vetëm atyre që tashmë nuk janë të siguruar, që kanë mbushur 62-64 vjeç, pra gra dhe burra. Të drejtë do të kenë ata që kanë deri në 13 vite stazh pune të realizuar në momentin kur kanë mbushur moshën për pension, pra 24 muaj mund ta blejnë stazhin e tyre, përkatësisht ta paguajnë atë”, tha Vellkovski.
Ai thotë se për muajt që u mungojnë deri në minimumin ligjor prej 15 vitesh, qytetarët do të duhet ta mbulojnë kontributin për sigurimin pensional, ndërsa baza për përllogaritje nuk do të jetë e plotë, por gjysma e pagës mesatare të vitit të kaluar.
“Pra, nga viti kur është larguar, përkatësisht në rastin konkret viti 2025, kontributi do të paguhet mbi atë pagë, po. Pra, kontributi paguhet mbi atë pagë. Përafërsisht, tani të mos i them shifrat, por varësisht se sa muaj i kanë mbetur secilit për të dalë në pension, do të ketë një shumë të caktuar që duhet ta paguajnë vetë qytetarët, e më pas do ta marrin pensionin e përllogaritur me të gjithë parametrat në përputhje me ligjin”, tha ministri.
Në praktikë, siç thotë ai, nëse bëhet fjalë për një vit në të cilin paga mesatare ka qenë 45.000 denarë neto, kontributi prej 19,9 përqind do të përllogaritet mbi 22.500 denarë, shumëzuar me numrin e muajve që u mungojnë, por më së shumti 24 muaj.
Pasi të kryhet pagesa për stazhin që mungon, lartësia e pensionit do të përcaktohet sipas formulës standarde ligjore, përkatësisht në bazë të të ardhurave që i siguruari i ka pasur gjatë viteve kur ka qenë i punësuar.
“Varësisht se sa kanë pasur gjatë 13 viteve, formula që do të rezultojë – pra, nga 13 vitet, sa kanë kursyer, me çfarë page kanë qenë të deklaruar e kështu me radhë, vetë formula do të përcaktohet më tej. Kështu, nëse ka qenë në pagë minimale, atëherë do të jetë në disa nga kategoritë minimale, të cilat janë gjithsej nëntë në sistem. Nëse kanë marrë, përkatësisht kanë qenë të deklaruar me pagë më të lartë, në atë mënyrë do të përllogaritet”, përfundoi Vellkovski.
Lajme nga vendi
Shtetasja e Maqedonisë dënohet me 45 ditë burg në Mal të Zi për vrasjen e një qeni me veturë
Gjykata Themelore në Ulqin ka dënuar me 45 ditë burgim S.Stojanovskën, 43-vjeçare nga Shkupi, pasi e shpalli fajtore për veprën penale “vrasje dhe keqtrajtim të kafshëve dhe shkatërrim të habitatit të tyre”.
Sipas aktgjykimit, më 24 korrik, në bulevardin “Teuta” në Ulqin, Stojanovska me automjetin e saj “Mercedes” të paktën dy herë ka kaluar mbi një qen të racës së Sharrit, i cili më pas ka ngordhur nga plagët e rënda.
Gjykata si rrethana lehtësuese ka marrë parasysh se ajo është nënë e dy fëmijëve, njëri prej tyre i mitur, se nuk ka qenë e dënuar më parë, si dhe faktin se në momentin e kryerjes së veprës kishte aftësi të konsiderueshme të zvogëluar për të gjykuar, gjë e konstatuar nga një ekspert psikiatër.
Në dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, që nga 24 korriku 2026.
-
Lajme nga vendi2 months agoDyvjeçar nga Kumanova helmohet me tretës ngjyre, dërgohet në Klinikën “Nëna Terezë”
-
Lajme nga bota2 months agoFestivali kthehet në tragjedi, dy të vrarë dhe disa të plagosur nga të shtënat në Uashington. Arrestohet autori
-
Lajme nga bota2 months agoFranca në alarm, zjarret i afrohen Bordeaux, Macron mbledh qeverinë në takim krize

