Lajme nga bota
Kryeministri spanjoll kërkon përjashtimin e Izraelit nga garat sportive
Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez tha se sikurse Rusia edhe Izraeli duhet të përjashtohet nga garat sportive ndërkombëtare.
Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez bëri thirrje për përjashtimin e Izraelit nga ngjarjet sportive ndërkombëtare. Për fushatën e tij ushtarake në Rripin e Gazës Izraeli duhet të trajtohet në mënyrë të ngjashme si Rusia për pushtimin e Ukrainës, tha Sánchez para anëtarëve të Partisë së tij Socialiste.
Sánchez u bëri thirrje organizatave sportive të shqyrtojnë nëse është etike që Izraeli të vazhdojë të marrë pjesë në garat ndërkombëtare.
Lajme nga bota
Zelensky shpall zgjedhjet presidenciale dhe referendumin më 24 shkurt
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky po planifikon zgjedhje presidenciale në pranverë, së bashku me një referendum për marrëveshjen e paqes, raportoi sot “Financial Times”, duke cituar zyrtarë ukrainas dhe perëndimorë të njohur me çështjen.
Lëvizja thuhet se erdhi pas presionit nga administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump për të mbajtur zgjedhje deri më 15 maj, përndryshe Ukraina rrezikon humbjen e garancive të sigurisë nga SHBA-ja.
Sipas raportit, Zelensky do të shpallë zgjedhjet më 24 shkurt, në përvjetorin e katërt të sulmit rus.
Plani përputhet me një përpjekje të SHBA-së, për të nënshkruar të gjitha dokumentet për t’i dhënë fund konfliktit më të madh të Evropës që nga lufta e dytë botërore deri në qershor.
“Ata thonë se duan të bëjnë gjithçka deri në qershor… në mënyrë që lufta të përfundojë”, tha presidenti i Ukrainës, duke përmendur dëshirën e Shtëpisë së Bardhë për të zhvendosur fokusin e saj në zgjedhjet “midterm” në SHBA në nëntor.
“Dhe ata duan një orar të qartë”, shtoi ai.
Mbajtja e zgjedhjeve do të shënonte një kthesë dramatike politike për një president i cili ka argumentuar vazhdimisht se votime të tilla ishin të pamundura ndërsa vendi mbetet nën ligjin e luftës, miliona ukrainas janë të zhvendosur dhe rreth 20 përqind e vendit është nën pushtimin rus.
Sipas zyrtarëve ukrainas dhe evropianë të përfshirë në planifikim dhe të tjerëve të informuar mbi këtë çështje, Zelensky synon të shpallë planin për zgjedhjet presidenciale dhe një referendum më 24 shkurt, përvjetorin e katërt të pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë.
“Ukrainasit kanë këtë ide të vështirë se e gjithë kjo duhet të shoqërohet me rizgjedhjen e Zelensky”, tha një zyrtar perëndimor.
Lajme nga bota
18 të vdekur nga moti ekstrem i ftohtë në New York, kryebashkiaku apelon për kujdes dhe siguri
Kryetari i bashkisë së New York City raportoi se 18 persona kanë humbur jetën për shkak të motit ekstrem të ftohtë që ka përfshirë qytetin.
Prej fundit të janarit, New York-u ka kaluar një valë të ashpër të ftohti, me 13 ditë me temperatura që kanë arritur ose rënë nën 0°C, duke e bërë këtë periudhë një nga më të gjatat të motit nën zero në gjashtë dekada.
Gjatë fundjavës, një tjetër person ka humbur jetën në rrugët e qytetit, konfirmoi Zohran Mamdani të hënën, duke shtuar se “çdo jetë e humbur është një tragjedi dhe ne do të vazhdojmë t’i mbajmë familjet e tyre në mendimet tona”.
Ndërsa temperaturat pritet të rriten këtë javë, ato mbeten nën mesatare, me Mamdanin që u thotë banorëve të “qëndrojnë të sigurt, të qëndrojnë brenda… [dhe] të vazhdojnë të kujdesen për njëri-tjetrin”.
Kryebashkiaku shtoi se që nga 19 janari, kur u njoftua një emergjencë e Kodit Blu e cila lehtësoi politikat e pranimit për strehimoret e të pastrehëve rreth 1 mijë e 400 vendosje ishin bërë në strehimore.
Veç kësaj, 64 dhoma hoteli shtesë iu shtuan kapacitetit të strehimit të qytetit, me të paktën 150 punonjës të tjerë në terren në rrugë, tha Mamdani.
Më 27 janar, Mamdani theksoi se të paktën 10 nga personat që kishin vdekur u gjetën jashtë. Rrethanat e vdekjeve të tjera nuk dihen.
“Ne kemi punuar shumë për t’i mbajtur njujorkezët të sigurt dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Sepse nuk parashikohet të jetë mbi 32 gradë [Fahrenheit] deri nesër, dhe kjo nuk është mot i butë”, tha ai.
Shërbimi Kombëtar i Motit i SHBA-së (NWS) bëri të ditur se temperaturat do të rriten në rreth 0C për pjesën më të madhe të javës, pas temperaturave të ngrirjes së vazhdueshme të hënën.
Ai shtoi se temperaturat maksimale ishin normalisht rreth 4C në këtë kohë të vitit.
Një seri 13-ditore temperaturash në 0C ose më poshtë një nga seritë më të gjata për Qytetin e Nju Jorkut që nga viti 1963, përfundoi të premten pasi temperaturat u rritën shkurtimisht mbi 0C.
Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave të Nju Jorkut tregoi se ditët pasuese të të ftohtit ekstrem dhe borës përbënin rreziqe serioze për sigurinë në të gjithë qytetin.
Ajo paralajmëroi se shkrirja e borës dhe akullit mund të binte nga ndërtesat pa paralajmërim dhe se rrugët dhe trotuaret mund të ngrinin përsëri gjatë natës.
Lajme nga bota
Spanja realizon transplantin e parë të fytyrës në botë
Spanja ka shënuar një moment historik në mjekësinë botërore, duke realizuar për herë të parë një transplant fytyre duke përdorur inde nga një dhurues, i cili kishte marrë ndihmë mjekësore gjatë vdekjes, procedurë e ligjshme në Spanjë që nga viti 2021.
Ky operacion u krye në Spitalin Universitar Vall d’Hebron në Barcelonë dhe konsiderohet një hap i madh përpara në fushën e transplantologjisë dhe kirurgjisë rindërtuese, raportoi “Euronews”.
Operacioni u krye nga një ekip prej rreth 100 profesionistësh shëndetësorë dhe u aplikua te një paciente që kishte pësuar dëmtime të rënda të indeve të fytyrës si pasojë e një infeksioni serioz.
Këto dëmtime kanë cenuar funksione jetike si frymëmarrja, ushqyerja dhe të folurit.
Operacioni u drejtua nga doktor Joan Pere Barret, shefi i Shërbimit të Kirurgjisë Plastike dhe Djegieve në Vall d’Hebron.
Sipas Barretit, ky lloj transplanti përfshin transplantimin e lëkurës, muskujve, nervave dhe strukturave kockore, si dhe përdorimin e vazhdueshëm të barnave imunosupresive për të parandaluar refuzimin e indeve.

