Lajme nga vendi
Rasti “Lidhja Ndërkombëtare”, 5 vjet burg për Boki-13
Gjykata Themelore Penale në Shkup sot miratoi një aktvendim të ri në procedurën e përsëritur për rastin “Lidhja Ndërkombëtare”, me të cilin të pandehurit morën dënime më të ulëta krahasuar me vendimin fillestar të vitit 2022.
Në këtë procedurë të përsëritur, Bojan Jovanovski – Boki 13 u shpall fajtor për veprat penale “mashtrim” dhe “pastrim parash”, për të cilat iu shqiptua një dënim unik prej pesë vitesh burg.
Jasna Ercegoviq u dënua me dy vjet burg për “pastrim parash”, ndërsa koha e kaluar në arrest shtëpiak do t’i llogaritet në dënim.
Hristina Blazhevska mori një dënim me kusht prej një viti burg për “pastrim parash”, të cilin nuk do ta vuajë nëse nuk kryen vepër penale të re brenda tre viteve.
Mile Jovanovski u dënua me një vit e gjashtë muaj burg me kusht për “pastrim parash”, me të njëjtin kusht për moskryerje të një vepre të re penale.
Ndërkohë, personi juridik u gjobit me një milion denarë.
Vendimi i mëparshëm
Në vendimin e shkallës së parë, të miratuar më 7 prill 2022, Gjykata Penale kishte shqiptuar gjithsej 14 vjet burg për të pandehurit.
Bojan Jovanovski ishte dënuar me nëntë vjet burg për “mashtrim” dhe “pastrim parash”;
Jasna Ercegoviq me katër vjet burg për të njëjtat vepra;
Hristina Blazhevska me një vit burg për “pastrim parash”;
ndërsa Mile Jovanovski me dy vjet burg me kusht për “pastrim parash” dhe “tregti të paautorizuar me armë”.
Në atë vendim, Frosina Tashevska Remenski dhe Hristina Blazhevska u liruan nga akuza për “mashtrim”, ndërsa personi juridik “Lidhja Ndërkombëtare” u gjobit me një milion denarë.
Përsëritja e procedurës
Në prill të vitit 2024, Gjykata e Apelit e Shkupit e anuloi aktvendimin fillestar, pasi pranoi disa nga ankesat e të pandehurve dhe urdhëroi përsëritjen e procedurës.
Apeli në atë kohë konfirmoi vendimin lirues për Frosina Tashevska Remenskin dhe Hristina Blazhevskën për pjesën që lidhej me “mashtrimin”, ndërsa e ridrejtoi dënimin për Mile Jovanovskin, i cili tani është dënuar me një vit burg për “trafikim të paautorizuar me armë”.
Rasti “Lidhja Ndërkombëtare” lidhet me një aktivitet të organizuar kriminal që përfshinte mashtrime dhe pastrim parash përmes organizatës joqeveritare me të njëjtin emër, të udhëhequr nga Bojan Jovanovski.
Sipas akuzës, përmes kësaj organizate ishin mbledhur mjete financiare nga individë dhe kompani nën pretekstin e ndërtimit të shtëpive për të moshuar dhe projekteve sociale, të cilat më pas ishin keqpërdorur për përfitime personale.
Lajme nga vendi
POROJ – PËRKUJTOHET 27-VJETORI I RËNIES SË DËSHMORIT MUJDIN ALIU
Në fshatin Poroj u shënua 27-vjetori i rënies heroike të dëshmorit Mujdin Aliu, i cili ra në betejën e lavdishme të Koshares. Me këtë rast, familjarë, bashkëfshatarë dhe qytetarë të shumtë u mblodhën për të nderuar jetën dhe veprën e tij. Pranë vendit përkujtimor u vendosën kurora me lule dhe u bënë homazhe në shenjë respekti për sakrificën e dëshmorit. Bashkëveprimtarët e tij kujtuan sakrificën e tij dhe të familjes së tij në çlirimin e themelimin e shtetit të pavarur të Kosovës duke nderuar veprën dhe vendosmërinë e dëshmorit, Mujdin Aliu.
Deklaratë – XHEMAIL JUSUFI – Ish luftëtar
Deklaratë – LUAN VELIU – Ish luftëtar
Deklaratë – FAZLI VELIU – SHVL-UÇK
Të pranishmit vlerësuan lart kontributin e Mujdin Aliut, duke theksuar se ai mbetet simbol i guximit dhe përkushtimit për lirinë e atdheut. Në fjalët e tyre u nënvizua se sakrifica e dëshmorëve është themeli mbi të cilin është ndërtuar liria që gëzojmë sot.
Në përfundim të ceremonisë, u përsërit zotimi se kujtimi dhe vepra e dëshmorëve do të ruhen dhe do të përcillen brez pas brezi.
Lavdi e përjetshme dëshmorit Mujdin Aliu!
Lajme nga vendi
BIE ÇMIMI: DIZELI MË LIRË PËR 2.5 DENARË, BENZINAT PËR 1.5 DENARË!
Derivatet e naftës lirohen mesatarisht për 2.73%.
Nga mesnata një litër naftë do të shitet për 95.5 denarë, EUROSUPERI BS-95 për 82 denarë, kurse EUROSUPERI BS-98 do të kushtojë 84 denarë.
Komisioni Rregullator për Energjetikë miratoi vendimin për konstatimin e çmimeve më të larta të shitjes me pakicë për derivatet e naftës dhe karburantet e transportit.
Sipas vendimit, çmimi i ri i vajit ekstra të lehtë për amvisëri është 96.5 denarë për litër, çmimi i mazutit do të jetë 49.227 për kilogram.
Komisioni Rregullator për Energjetikë sqarojnë se korigjimi i çmimeve është si rezultat i uljes së çmimeve referenciale në bursat botërore, si dhe lëvizjes së kursit të denarit lidhur me dollarin amerikan.
Benzina ulet mesatarisht për 2.7%, dizeli për 3.25%.
Në arsyetim potencohet se gjatë formimit të çmimeve janë marrë parasysh edhe akcizat, harxhimet për distribuim, kompensimi për rezervat dhe harxhimet ekologjike, konform metodologjisë në fuqi.
Lajme nga vendi
Ministria e Ekonomisë dhe Punës: Rritje minimale e çmimeve, ulje e marzhit tregtar te produktet bazë
Ministria e Ekonomisë dhe Punës, në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror të Tregut, përpiloi analizë krahasuese të lëvizjes së çmimeve të produkteve bazë ushqimore dhe joushqimore, në përputhje me konkluzionin e miratuar në seancën e 162-të të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Analiza përfshin çmimet e 55 produkteve më të shitura, të përcjella në katër zinxhirë tregtar me pozicionim të ndryshëm të çmimeve, në periudhën nga 1 shkurti deri më 1 prill të vitit 2026.
Rezultatet tregojnë se në periudhën e analizuar është regjistruar rritje minimale e çmimeve të shitjes prej 0,43%, derisa çmimet e blerjeve shënojnë rritje diçka më të lartë prej 1,01%. Në të njëjtën kohë, marzhi mesatar i fitimit bruto te tregtarët është ulur nga 16,28% në 15,80%, gjë që tregon se një pjesë e presionit nga rritja e çmimeve blerëse është absorbuar nga tregtarët, me qëllim që të ruhet stabiliteti i çmimeve për qytetarët.
Në lidhje me kategoritë individuale:
– Тe produktet ushqimore bazë ka rritje të lehtë prej 0,45%, me ç’rast rritje më të madhe ka te kosi, djathi, vezët dhe vaji;
– në rastin e pijeve joalkoolike është regjistruar ulje prej 1,01%;
– te frutat dhe perimet ka rënie prej 0,86%, përkundër rritjes së domateve dhe qepëve;
– te produktet bazë të higjienës është shënuar rritje prej 1,42%.
Ministria vlerëson se lëvizjet e çmimeve në periudhën e analizuar janë mesatare dhe nën kontroll, falë edhe uljes së marzheve tregtare.
Ministria e Ekonomisë dhe Punës do të vazhdojë të monitorojë në mënyrë aktive kushtet e tregut dhe, nëse është e nevojshme, të propozojë masat e duhura për stabilizimin e çmimeve.
-
Lajme nga bota3 weeks ago“Do jem makthi i Iranit”, Trump ‘kërcënon’ sërish: Nëse nuk ulen në negociata, bombardimet do të shtohen
-
Lajme nga rajoni3 weeks agoZbardhet dëshmia e autorit të vrasjes së Liridonës, Plava: Kisha marrëveshje me Murselin, më tha se Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni
-
Sport3 weeks agoBARDHI: NËNVLERËSIMI VETËM SE NA MOTIVON KUNDËR DANIMARKËS!

