Lajme nga vendi
Opozita përshëndet rekomandimet e Venecias: Kryeprokurori me shumicë të kualifikuar, jo mandat të dytë
Partitë opozitare përshëndesin propozimet e Komisionit të Venecias lidhur me ligjet për Prokurori Publike dhe Këshillin e Prokurorëve dhe kritikojnë pushtetin që deri tani nuk kanë arritur të realizojnë reformat e nevojshme në gjyqësor. Kreu i LSDM-së Venko Filipçe tha se edhe pse kanë formuar ekip të ekspertëve, vërejtjet e tyre për ligjet reformuese nuk janë marrë fare parasysh dhe nuk ka asnjë përgjigje nga Ministria e Drejtësisë. 12 ligjet nga agjenda reformuese lëre që nuk janë miratuar në Kuvend por as nuk janë dorëzuar tha Filipçe.
“Dhe qartë tregojnë se nevojiten reforma në sistemin juridiko-ligjvënës. Si asnjëherë më parë, para disa muajsh u përpoqa të ndryshoj kulturën politike dhe isha në takim te kryeministri. Një nga gjërat për të cilat bisedova ishte që bashkërisht të punojmë në agjendën reformuese, të sjellim të gjitha ligjet reformuese në gjyqësor, që të lëvizë ai segment përpara, që të lëvizim drejt Europës ashtu siç presin të gjithë nga ne, ashtu siç qytetarët tanë duan ta shohin”, tha Venko Filipçe – Kryetar i LSDM-së.
Propozimin e Komisionit të Venecias e përshëndesin edhe nga AKI. Nga atje madje shtojnë se përpos 2/3 të votave në Kuvend, të shtohet edhe badenteri.
“Sigurisht se ne mbështesim një rekomandim të tillë dhe shtojmë se përpos 2/3 të votave duhet të ketë edhe shumicë të badinterit në përzgjedhjen e kryeprokurorit në mënyrë që të ndërtojmë institucione të fuqishme ku do të kenë besimin e të gjithëve që do të kenë një konsensus të gjerë. Pra, 2/3 plus badenteri në mënyrë që të kemi një kryeprokuror të ri, me një mandat dhe pa të drejtë rizgjedhjeje ashtu siç thotë edhe komisioni i Venecias”, u shpreh Arbër Ademi – AKI.
Për tu miratuar propozimet e Komisionit të Venecias, nevojiten dy të tretat e votave në Kuvend, respektivisht nevojitet ndryshimi i Kushtetutës. Shumica parlamentare nuk i ka numrat e nevojshëm por për ligjet reformuese nuk do të ishte problem mbështetja e partive opozitare. Problem ngelet çështja e ndryshimeve të tjera kushtetuese sikurse futja e bullgarëve në Kushtetutë si kërkesë nga Bullgaria, diçka që për momentin tek VMRO-DPMNE nuk ka vullnet për ta bërë. Pikërisht për shkak mungesës së shumicës së 2/3 dhe mungesës së badenterit, në Kuvend kanë ngecur edhe disa ligje të tjera të rëndësishme sikurse propozim ligji për vetqeverisje lokale por edhe ndryshimet e kodit zgjedhor. Sipas agjendës së reformës, Ligji për Prokurori Publike dhe Ligji për Këshillin e Prokurorëve Publikë duhet të miratohen në Parlament deri në dhjetor të këtij viti./ Alsat.mk
Lajme nga vendi
Dimitrieska-Koçoska: Takim koordinues me drejtorët e DAP-it dhe Doganës – Ndjekim me kujdes lëvizjen e realizimit të Buxhetit
Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska sot pati takim pune me drejtoreshën e Drejtorisë së të Ardhurave Publike Elena Petrova dhe drejtorin e Drejtorisë Doganore Boban Nikollovski, ku u shqyrtua realizimi rrjedhës i Buxhetit, me fokus të veçantë në arkëtimin e të ardhurave dhe lëvizjet në kategoritë individuale të tatimeve.
Gjatë takimit u konstatua se realizimi i Buxhetit lëviz në kuadër të dinamikës së planifikuar dhe se në këtë moment nuk ka devijime të theksuara as në anën e të ardhurave as në anën shpenzimeve.
Ministria e Financave, në koordinim me Drejtorinë e të Ardhurave Publike dhe Drejtorinë Doganore, vazhdon të ndjekë me kujdes lëvizjen dhe realizimin e të ardhurave buxhetore.
“Buxheti po realizohet në përputhje me dinamikën e planifikuar. Së bashku me DAP-in dhe Drejtorinë Doganore, i kemi ndjekur në detaje të ardhurat dhe të gjitha lëvizjet që mund të kenë ndikim në realizimin e tyre. Në këtë moment nuk ka devijime domethënëse nga ajo që ishte planifikuar, por mbetemi të kujdesshëm dhe do të reagojmë në kohë nëse situata do të na imponojnë”, tha ministrja Dimitrieska-Koçoska.
Të dhënat për realizimin e Buxhetit deri në muajin gusht tregojnë se të ardhurat e përgjithshme arrijnë në 230.6 miliardë denarë, përkatësisht 60.77% e të ardhurave të planifikuara, ku bazuar në këto të dhëna shënohet rritje prej 8%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Të ardhurat tatimore në tetë muajt e parë të vitit janë realizuar në vlerë prej 131.5 miliardë denarësh, që paraqet rritje prej 8.2% në bazë vjetore. Rritje është shënuar në të gjitha kategoritë kryesore tatimore – të ardhurat nga tatimi mbi fitimin janë më të larta për 19.9%, të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale për 10.9%, të ardhurat ga TVSH-ja për 10.6%, ndërsa të ardhurat nga detyrimet e importit shënojnë rritje prej 9.7%.
Te akcizat është evidentuar devijim i caktuar, i cili lidhet edhe me masat e ndërmarra nga Qeveria për zbutjen e ndikimit të krizës së shkaktuar nga derivatet e naftës. Ecuria e të ardhurave në këtë kategori do të vazhdojë të ndjekjet me vëmendje.
Në anën e shpenzimeve, në periudhën janar–gusht janë realizuar 268.9 miliardë denarë, përkatësisht 63.15% e shpenzimeve të planifikuara.
Në takim u theksua rëndësia e koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet Ministrisë së Financave, DAP-it dhe Drejtorisë së Doganave, si institucione me rol kyç në realizimin e të ardhurave buxhetore. Në periudhën e ardhshme do të vazhdojë ndjekja e rregullt e realizimit të Buxhetit dhe i zhvillimeve ekonomike mbi bazën e të cilave do të merren vendime për përshtatje eventuale të shpenzimeve buxhetore.
Ministria e Financave mbetet e përkushtuar ndaj menaxhimit të përgjegjshëm të financave publike, servisimit në kohë të detyrimeve dhe sigurimit të qëndrueshmërisë së Buxhetit, duke i dhënë përparësi mbrojtjes së qytetarëve dhe sektorit të ekonomisë.
Lajme nga vendi
Mexhiti: Çdo rrugë ka rëndësi, çdo lagje meriton investime
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, sot ishte në terren për të parë nga afër punimet infrastrukturore që po zhvillohen në disa pjesë të komunës. Në rrugën “Emin Duraku” po vazhdon rikonstruimi, ndërsa punime po realizohen edhe në rrugët “Dervish Hima” dhe “Parashqevi Qiriazi”.
Në këto rrugë po bëhet asfaltimi, rregullimi i trotuareve me kubëza dhe hyrjeve të banesave. Paralelisht, në të njëjtat lagje është investuar edhe në hapësirat për fëmijë, përmes rregullimit dhe vendosjes së këndeve të reja të lojërave.
“Çdo rrugë e Çairit ka rëndësinë e vet dhe çdo lagje meriton kushte më të mira. Prandaj po investojmë gjithandej. Një lagje e mirë nuk ka vetëm rrugë të rregulluara, por edhe trotuare, hapësira për fëmijë dhe kushte më të mira për jetën e përditshme. Çairi sot është një kantier ndërtimi dhe kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve, sepse po punohet dhe po investohet për komunën tonë, për lagjet tona dhe për të ardhmen,” deklaroi Mexhiti.
Punimet do të vazhdojnë në pjesë të ndryshme të Çairit, me investime që synojnë përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve të jetesës në çdo lagje.
Lajme nga vendi
Hoxha: Agjenda e Gjelbër duhet të kalojë nga zotimet në rezultate konkrete për qytetarët e Ballkanit Perëndimor
Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, merr pjesë në Takimin e Tretë Ministror për Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor (GAWB), i cili mbahet më 18 dhe 19 shtator në Zhabljak, Mali i Zi, në kuadër të kryesimit të Malit të Zi me Procesin e Berlinit për vitin 2026.
Në fjalimin e tij në sesionin kryesor „Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor – nga zotimet drejt zbatimit“, ministri Hoxha konfirmoi përkushtimin e Maqedonisë së Veriut ndaj Agjendës së Gjelbër dhe integrimit evropian, duke theksuar se në fazën e ardhshme fokusi duhet të jetë te zbatimi, investimet dhe bashkëpunimi rajonal.
„Agjenda e Gjelbër duhet gjithnjë e më shumë të bëhet një platformë për zbatim rajonal dhe jo vetëm për dialog rajonal. Ndotja nuk ndalet në kufij, ndërsa rreziqet klimatike janë të përbashkëta“, theksoi Hoxha, duke nënvizuar nevojën për zgjidhje të përbashkëta, shkëmbim të njohurive dhe të dhënave, harmonizim të standardeve dhe zhvillim të infrastrukturës rajonale aty ku kjo është e arsyeshme.
„Suksesi nuk do të matet me numrin e dokumenteve të miratuara. Ai do të matet përmes ndryshimeve konkrete që sjellin përfitime për qytetarët në të gjithë rajonin“, theksoi Hoxha.
Duke folur për prioritetet kryesore të Maqedonisë së Veriut në periudhën e ardhshme, ministri u ndal te përshpejtimi i investimeve në burimet e ripërtëritshme të energjisë dhe efikasitetin energjetik, forcimi i qeverisjes klimatike dhe përgatitja për kornizën evropiane për klimën, tranzicioni i drejtë për rajonet e varura nga qymyri, përshpejtimi i reformave në menaxhimin e mbetjeve dhe ekonominë qarkore, si dhe forcimi i përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike, mbrojtjes së natyrës dhe biodiversitetit.
Takimi i Tretë Ministror për Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor është një forum për të shqyrtuar përparimin e arritur deri më tani dhe për të përcaktuar drejtimet politike për fazën e ardhshme të zbatimit të Agjendës së Gjelbër. Në kuadër të takimit në Mal të Zi është paraparë miratimi i Deklaratës Ministrore për Agjendën e Gjelbër për vitin 2026, si dhe mbështetja politike për hapa kyç në nivel rajonal.
-
Lajme nga vendi2 months agoDyvjeçar nga Kumanova helmohet me tretës ngjyre, dërgohet në Klinikën “Nëna Terezë”
-
Lajme nga bota2 months agoFranca në alarm, zjarret i afrohen Bordeaux, Macron mbledh qeverinë në takim krize
-
Lajme nga bota2 months agoFestivali kthehet në tragjedi, dy të vrarë dhe disa të plagosur nga të shtënat në Uashington. Arrestohet autori

