Lajme nga vendi
Aliu–Bozhinovski: Kontrollet parandaluese janë shumë të rëndësishme për njohjen me kohë të simptomave të goditjes në tru
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot vizitoi Klinikën e Neurologjisë, ku u organizua një ditë e hapur me rastin e shënimit të “Ditës Botërore të Goditjes në Tru – 29 tetor”, thuhet në njoftimin e MSH-së.
Nga MSH thonë se në kuadër të aktivitetit, qytetarët patën mundësinë të kryejnë kontrolle parandaluese dhe të marrin këshilla profesionale për faktorët kryesorë të rrezikut që mund të çojnë në goditje në tru, siç janë tensioni i lartë i gjakut, sheqeri në gjak, yndyrat e shtuara, duhanpirja dhe mënyra e jetesës joaktive.
“Ne sistemin shëndetësor nuk e shohim vetëm si sistem për trajtim, por edhe si sistem për parandalim, prandaj ditë të tilla të dedikuara për kontrolle parandaluese janë shumë të rëndësishme për njohjen më të shpejtë të simptomave të goditjes në tru dhe për një mënyrë më të shëndetshme jetese dhe ushqimi. Sot jam i impresionuar nga infrastruktura e brendshme e Klinikës së Neurologjisë dhe nga aktivitetet e drejtorit, pasi në një kohë të shkurtër arriti të organizojë ngjarjen dhe të riorganizojë proceset e brendshme për të optimizuar shërbimet”, theksoi ministri Aliu.
Drejtori i Klinikës së Neurologjisë, Jovan Bozhinovski, informoi se të gjithë pacientët gjatë ditës së sotme do të kontrollohen me aparatin e ri doppler për arteriet karotide. Kjo veprimtari realizohet në bashkëpunim me Shoqatën Neurologjike të Maqedonisë.
“Dita e hapur e sotme ka qëllim edukativ, pra ngritjen e vetëdijes publike për goditjen në tru si sëmundje që është ndër më të shpeshtat dhe një nga shkaqet kryesore të vdekjes, por gjithashtu është edhe sëmundja numër një në botë për shkaktimin e invaliditetit, përfshirë edhe tek ne. Jam i kënaqur që kemi një pjesëmarrje të madhe. Në këtë drejtim, Klinika e Neurologjisë ka për detyrë të edukojë qytetarët për goditjen në tru, simptomat më të shpeshta dhe trajtimin e saj,” deklaroi Bozhinovski.
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

