Lajme nga vendi
Arben Fetai godet politikën e vjetër: ‘Dy dekada makiavelizëm për pushtet, koha e VLEN ka ardhur’
Zëvendëskryeministri dhe një nga Lideret e VLEN, Arben Fetai ka reaguar me një postim të fortë ndaj politikës së vjetër shqiptare në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se për dy dekada të njëjtët njerëz kanë justifikuar çdo padrejtësi ndaj shqiptarëve dhe kanë mbjellë politikë makiaveliste me synim të vetëm pushtetin.
“Për 20 vite, të njëjtët njerëz që çdo keqbërje ndaj shqiptarëve e justifikonin me ‘ku të shkojmë’, vazhdojnë të mbjellin politikë makiaveliste. Me çdo formë, me çdo mjet propagandistik, synojnë vetëm një gjë – pushtetin. Sepse vetëm ashtu dinë të jetojnë”, shkruan Fetai.
Ai kujtoi edhe periudhën e negociatave të paszgjedhjeve të kaluara, duke përmendur emra konkretë nga BDI-ja.
“E kujtojmë mirë kohën kur kryenegociatori i BDI-së, Fatmir Besimi, pas 150 mijë votave shkonte të bënte koalicione. E ato negociata zgjatnin 10 minuta – mjaftonte fjala e Sasho Mijallkovit për ndarjen e posteve!”, theksoi ai.
Sipas Fetait, kjo mënyrë e vjetër e të bërit politikë ka marrë fund me ardhjen e forcës së re politike VLEN.
“Kjo politikë mori fund më 19 tetor. VLEN është forca që mendon, vepron dhe mbron. Asnjëherë kundër kombit, asnjëherë kundër askujt”, përfundon ai.
Lajme nga vendi
Mesatarja e maturës në RMV këtë vit arrin në 3.66
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka bërë publike rezultatet përfundimtare të afatit të qershorit të maturës, dy muaj pas zhvillimit të provimit të parë ekstern dhe pas përfundimit të shqyrtimit të ankesave.
Nga të tri format e maturës është regjistruar një mesatare e përgjithshme prej 3.66. Në maturën shtetërore rezultati mesatar ishte 3.62, në maturën shtetërore profesionale arriti në 3.91, kurse në maturën shtetërore artistike ishte 3.59.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, u shpreh e kënaqur me rezultatet. Ajo vuri në dukje se mesatarja është thuajse e njëjtë me atë të vitit të kaluar, e cila ishte 3.69, ndërsa është më e lartë se në vitin 2024, kur u shënua mesatarja 3.26.
“Vlerësoj se këto janë rezultate objektive për shkak të përgatitjes së të gjithë të përfshirëve në organizimin e maturës”, deklaroi Janevska.
Për provimet eksterne të afatit të qershorit u regjistruan 14.587 nxënës që e kanë përfunduar arsimin e mesëm gjatë vitit shkollor 2025/2026. Maturën shtetërore e kanë dhënë 12.184 prej tyre, maturën shtetërore profesionale 2.276, ndërsa maturën shtetërore artistike 127 nxënës.
Nga të regjistruarit, 348 nxënës nuk u paraqitën në provime. Kjo shifër përbën 2,39 për qind të numrit të përgjithshëm.
Për herë të parë këtë vit, maturantët iu nënshtruan tri llojeve të provimeve: maturës shtetërore, maturës shtetërore profesionale dhe maturës shtetërore artistike.
Gjuha angleze ishte provimi më i përzgjedhur, me 13.208 nxënës të paraqitur. Sipas llojit të maturës, kandidatët mund të zgjidhnin gjithashtu matematikën, gjuhën frënge, gjermane, ruse ose italiane, ndërsa historia ofrohej si zgjedhje në maturën artistike.
Lajme nga vendi
QMK: Mbrëmë janë regjistruar 20 zjarre në hapësira të hapura, vetëm një është aktiv në Makedonski Brod
Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK) informon se gjatë 24 orëve të fundit, deri në orën 07:30, janë regjistruar gjithsej 20 zjarre në hapësira të hapura në territorin e Maqedonisë.
Sipas raportit të fundit, vetëm një zjarr është aktiv aktualisht, një është vënë nën kontroll, ndërsa 18 zjarre janë shuar plotësisht.
Zjarri në deponinë në Dellçevë është nën kontroll, ndërsa shërbimet kompetente vazhdojnë ta monitorojnë situatën.
Ndërkohë, zjarrfikësit ndërhynë me sukses dhe shuan 18 zjarret e mbetura, të cilat u regjistruan në disa komuna në të gjithë vendin, duke përfshirë Karposhin, Petrovecin, Butelin, Manastirin, Bogdancin, Prilepin, Dollnenin, Kavadarin, Negotinën, Vinicën, Zërnovcin, Likovën, Kratovën, Rankovcën, Zhelinën, Tearcën dhe Gostivarin.
Lajme nga vendi
Analizat e ujit në Gostivar, do të publikohen deri më 20 gusht
Më shumë detaje rreth epidemisë me ujin e kontaminuar në Gostivar do të dihen deri më 20 gusht, kur Ministria e Shëndetësisë do të publikojë analizën, njoftoi ministri Sasho Klekovski.
“Po dalim nga faza akute dhe tashmë po hyjmë në një periudhë normale. Numri i pacientëve të regjistruar rishtazi ditët e fundit ka qenë midis 40 dhe 80, që është brenda numrave të zakonshëm të gushtit”, tha Klekovski në “Kanal 5”.
Ai theksoi se epidemia nuk do të përfundojë zyrtarisht derisa të përjashtohet mundësia që rastet e reja të lidhen me ujin e pijshëm, duke shtuar se ekipi i ekspertëve po punon për një analizë të detajuar.
“Kronologjinë do ta ndajmë me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe Qendrën për Menaxhimin e Krizave, dhe më pas do ta publikojmë”, tha Klekovski.
Duke iu referuar kritikave nga opozita, Ministri tha se është gati të japë një deklaratë para Prokurorisë Publike nëse, siç tha ai, “përcaktohet se çfarë krimi kam kryer”.

