Lajme nga bota
Rekord i rrallë! 56 vite në këtë post, presidenti 92-vjeçar i Kamerunit betohet për mandatin e tetë radhazi
AFRIKA- Presidenti 92-vjeçar i Kamerunit, Paul Biya, është zotuar të rivendosë rendin në vend, i cili është tronditur nga dhuna pas zgjedhjeve, ndërsa u betua për një mandat të tetë radhazi, deri në vitin 2032, kur do të jetë 99 vjeç. Sipas rezultateve përfundimtare, Biya fitoi 54% të votave, krahasuar me 35% për Issa Chiroma Bakari, i cili nga ana e tij akuzoi autoritetet për mashtrim.
Shpallja e rezultateve, siç raportohet nga BBC, çoi në protesta të përgjakshme në të gjithë vendin, me të paktën 14 të vdekur dhe më shumë se 1,200 të arrestuar, sipas Komisionit Kombëtar të të Drejtave të Njeriut. Organe të tjera kanë paraqitur një numër shumë më të lartë të vdekjeve.
Në fjalimin e tij të inaugurimit, presidenti më i vjetër në botë shprehu ngushëllimet e tij për viktimat e protestave dhe fajësoi për trazirat ata që i quajti “politikanë të papërgjegjshëm”. Pas akuzave për mashtrim gjatë zgjedhjeve të tetorit, Biya e përshkroi procesin zgjedhor si të kënaqshëm dhe vlerësoi autoritetin zgjedhor.
Në inaugurimin e tij në parlamentin e vendit në Yaounde, Biya falënderoi forcat e sigurisë për shtypjen e protestave , por nuk iu referua akuzave për forcë të tepruar. Në vend të kësaj, ai u bëri thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me të për të ndërtuar një vend “të bashkuar, të qëndrueshëm dhe të begatë”.
92-vjeçari premtoi të prioritizonte çështjet që prekin gratë dhe të rinjtë dhe u zotua të luftonte korrupsionin dhe problemet e sigurisë. Biya mori pushtetin në nëntor 1982, pas dorëheqjes së Presidentit Ahmadou Ahijo. Kritikët e tij thonë se ai e ka qeverisur vendin me grusht të hekurt që atëherë./noa.al/
Lajme nga bota
Rusia dhe Ukraina po përgatiten për një shkëmbim të ri të madh të të burgosurve
Rusia dhe Ukraina po përgatiten për një tjetër shkëmbim të madh të të burgosurve, ndërsa zyrtarët e të dyja palëve po punojnë për finalizimin e listave të personave që mund të lirohen, raportoi të mërkurën agjencia shtetërore ruse e lajmeve Tass, transmeton Anadolu.
“Po përgatitemi për një shkëmbim tjetër mjaft të madh; listat po finalizohen”, tha Lantratova për Tass.
Shkëmbimi i fundit i madh i të burgosurve u zhvillua më 19 gusht, kur Rusia dhe Ukraina shkëmbyen nga 103 ushtarakë, pas ndërmjetësimit të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Shkëmbimet e të burgosurve kanë mbetur një nga fushat e pakta të bashkëpunimit praktik mes Moskës dhe Kievit gjatë konfliktit të armatosur që filloi në vitin 2022.
Lajme nga bota
Tragjëdi në Pakistan: Zjarr në maternitet, humbin jetën 14 foshnje të posalindura
Të paktën 14 të porsalindur kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri që ka shpërthyer në repartin e maternitetit të një spitali në Islamabad, kryeqytetin e Pakistanit.
Ekipet e shpëtimit kanë bërë të ditur se zjarri tashmë është vënë nën kontroll dhe të lënduarit janë dërguar në repartin e kujdesit intensiv.
Zjarri ka shpërthyer në katin e tretë të repartit të nënës dhe fëmijës në spitalin PIMS, një nga spitalet kryesore shtetërore të qytetit.
Kryeministri Shehbaz Sharif ka shprehur “pikëllim të thellë” dhe ka urdhëruar një hetim të menjëhershëm.
Është ngritur një komision për të hartuar një raport brenda 24 orëve.
Lajme nga bota
Trump paralajmëron “luftë ekonomike” ndaj Iranit: Kush e ndihmon, do të përballet me pasoja
Presidenti amerikan, Donald Trump, paralajmëroi një „luftë ekonomike“ dhe izolim të Iranit në përmasa të paprecedenta, në kushtet e ngecjes së negociatave me Teheranin. Njëkohësisht, ai paralajmëroi se edhe vendet që do t’i ofrojnë mbështetje ekonomike Iranit do të përballen me pasoja të rënda ekonomike.
“Askush nuk i ka dhënë Republikës Islamike të Iranit mundësi më të madhe se unë për të arritur një marrëveshje”, shkroi Trump në platformën e tij „Truth Social“, duke shtuar se Teherani “nuk e shfrytëzoi atë”.
“Prandaj, sot po shpall OPERACIONIN EKONOMIK MË TË ASHPËR që është ndërmarrë ndonjëherë kundër cilitdo shtet”, shkroi presidenti amerikan. Trump shtoi se bëhet fjalë për “luftë ekonomike dhe izolim në përmasa të paprecedenta”.
Ai paralajmëroi se vendet, institucionet financiare, kompanitë, aeroportet apo strukturat shtetërore të të cilave do t’i ofrojnë “çfarëdo lloj ndihme shpëtimi Iranit”, do të përballen edhe vetë me “pasoja të mëdha ekonomike”.
Njoftimi paraqet një forcim të mëtejshëm të presionit amerikan ndaj Teheranit, në kushtet e ngecjes së vazhdueshme të përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje.
Mediat iraniane sot nuk shfaqin shqetësim të madh lidhur me kërcënimet e Trumpit, duke vlerësuar se bëhet fjalë për vazhdimësi të politikës amerikane të presionit ndaj Teheranit, raportoi DPA.
Agjencia iraniane e lajmeve “Fars” në “Telegram” vlerësoi se deklaratat e fundit të Trumpit janë pjesë e „luftës psikologjike dhe fushatës propagandistike“ së zakonshme, duke kujtuar se presidenti amerikan edhe në të kaluarën ka paralajmëruar rënien e Iranit dhe masa me përmasa historike.
Agjencia iraniane „Tasnim“ vlerësoi se mesazhi i Trumpit “nuk përbën ndonjë zhvillim të ri”, pasi SHBA-ja prej vitesh përpiqet të bllokojë lidhjet financiare dhe ekonomike me Iranin.
Megjithatë, Irani “ka mësuar se si t’i anashkalojë këto kufizime dhe është bërë shumë i aftë në këtë drejtim”, raportoi “Tasnim” në “Telegram”.
-
Lajme nga vendi1 month agoDyvjeçar nga Kumanova helmohet me tretës ngjyre, dërgohet në Klinikën “Nëna Terezë”
-
Lajme nga bota2 months agoFestivali kthehet në tragjedi, dy të vrarë dhe disa të plagosur nga të shtënat në Uashington. Arrestohet autori
-
Lajme nga bota2 months agoFranca në alarm, zjarret i afrohen Bordeaux, Macron mbledh qeverinë në takim krize

